Një rrëshqitje dherash është regjistruar në zonën e Currilave në Durrës, duke krijuar rrezik për një pallat.
Sipas informacioneve, një masë dheu dhe gurësh është shkëputur nga kodra dhe ka rënë në afërsi të pallatit, duke mbuluar pjesërisht shkallët.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te banorët, të cilët janë alarmuar për sigurinë e tyre dhe të banesave. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe strukturat përgjegjëse, të cilat po kryejnë vlerësimet e para mbi situatën dhe shkallën e rrezikut.
Ekspertët pritet të bëjnë verifikimet për të përcaktuar nëse objekti është prekur nga lëvizjet e terrenit dhe nëse ekziston rrezik i mëtejshëm për banorët.
Banorët ndërkohë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, pasi zona është përballur edhe më herët me probleme të ngjashme, sidomos gjatë periudhave me reshje intensive.
© Panorama.al


















