Disa studiues nga Universiteti i Cambridge ka zhvilluar një vaksinë të projektuar nga Inteligjenca Artificiale (AI), e cila synon të ofrojë mbrojtje ndaj një game të gjerë virusesh dhe të ndihmojë në parandalimin e pandemive.
Sipas studiuesve, kjo është hera e parë që komponenti kryesor i një vaksine, i njohur si antigjen, është krijuar plotësisht nga AI dhe më pas është testuar te njerëzit. Vaksina është projektuar për të vepruar kundër të gjithë familjes së koronaviruseve, duke përfshirë variantet e COVID-19 dhe viruse të tjera që qarkullojnë te kafshët dhe mund të kalojnë te njerëzit në të ardhmen.
Përmes analizimit të kodeve gjenetike të dhjetëra koronaviruseve të identifikuara nga programet ndërkombëtare të monitorimit, sistemi i Inteligjencës Artificiale krijoi një “super-antigjen”, i cili synon të trajnojë sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar një grup të tërë virusesh, edhe nëse ato pësojnë mutacione.
Studimi i parë, me 39 vullnetarë, ka si qëllim vlerësimin e sigurisë së vaksinës, ndërsa një fazë e dytë me rreth 200 pjesëmarrës do të analizojë më në detaje efektivitetin e saj.
“Ne jemi gjithmonë prapa,” tha Prof Jonathan Heeney duke shtuar “ajo që po përpiqemi të bëjmë është të ecim përpara kurbës” dhe aq shumë përpara sa mund të na mbrojnë nga shpërthimet ose pandemitë e reja.
Ndërkohë, ekipi po punon edhe për zhvillimin e vaksinave universale kundër gripit sezonal, gripit të shpendëve H5N1 dhe sëmundjeve hemorragjike virale, përfshirë format e ndryshme të Ebola.
© Panorama.al












