
Gjykata e Pogradecit ka lënë në arrest me burg 25-vjeçarin Romeo Myrteza, autorin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Pogradecit. Në seancën e zhvilluar në Spitalin Rajonal të Korçës për shkak të gjendjes shëndetësore të autorit i cili u vetëqëllua duke marrë një plagë në këmbë, autorit i është komunikuar vendimi për ta lënë atë në burg deri në momentin që do të jepet dënimi për vrasjen e dyfishtë të kryer prej tij. Në dhomën e spitalit ku është zhvilluar seanca pa praninë e gazetarëve, prokuroria ka paraqitur skenën e ngjarjes, sipas së cilës fillimisht autori ka vrarë vëllain e tij, Dritan Myrteza, 38 vjeç dhe më tej gjyshin e ish-bashkëshortes, 65-vjeçarin Fatmir Muhaxhiri nga Elbasani, pasditen e 14 shtatorit. Autori ka pohuar se ka qenë në gjendje të dehur, ndaj dhe nuk mbante mend asnjë moment nga ngjarja ku mbeti dhe vetë i plagosur. Ai ka shprehur pendesë për krimin e kryer në mënyrë të pavetëdijshme. “Nuk mbaj mend se çfarë kam bërë, nuk e di se si mund të ketë ndodhur kjo. Di vetëm që kam qenë i dehur. Unë kam qenë thuajse gjithë paraditen në një lokal afër lagjes duke pirë me vëllain tim. Nuk mbaj mend ta kem vrarë dhe as të kem shkuar në shtëpinë e ish-vjehrrit dhe të kem vrarë gjyshin e ish-bashkëshortes”, ka deklaruar edhe një herë para togave të zeza 25-vjeçari, teksa qëndronte i shtrirë në krevatin e spitalit. Më 14 shtator, Romeo Myrtezai, pas një konflikti familjar ekzekutoi me automatik shtetasit Fatmir Muhaxhiri 65-vjeç dhe Dritan Myrteza 38-vjeç. Sipas familjarëve të ish-bashkëshortes ai vazhdimisht kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre dhe për këtë arsye ata kishin marrë urdhrin e mbrojtjes nga gjykatat e qytetit të Pogradecit. dh.d











