
TIRANE – Gjykata e Tiranës pritet të gjykojë një 38-vjeçar të akuzuar për vrasjen e kunatit të tij, pas dyshimeve se i rrihte të motrën. Prokuroria e Tiranës mbylli pak ditë më parë hetimet ndaj Astrit Elezit, i vënë në akuzë për një ngjarje të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në fshatin Pinar të komunës Zall-Herr të Tiranës. Sipas organit të akuzës, Elezi duhet të gjykohet për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Regjistrimi i dosjes në Gjykatën e Tiranës konfirmohet nga burime zyrtare të institucionit. Shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Martin Deda si shqyrtues të kësaj dosjeje. I pandehuri Astrit Elezaj u arrestua pasditen e 4 nëntorit 2011, vetëm pak minuta pasi dyshohet të ketë vrarë kunatin e tij, Xhevdet Xh., baba i katër fëmijëve të mitur. Sipas Policisë, krimi në familje kishte ardhur pas zënkave të herëpashershme të viktimës me bashkëshorten e tij, që ishte edhe motra e të pandehurit Elezaj. Ditën e ngjarjes, një telefonatë nga motra e tij që i kërkonte ndihmë e kishte çuar Elezajn në banesën e saj. Sipas hetimeve, ajo i ka telefonuar pasi ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj. Pas mbërritjes aty, Elezaj është përballur me kunatin, me të cilin ka debatuar. Debati ka precipituar më pas në grushte dhe përleshje fizike. Pas përleshjes, sipas Policisë, ka goditur disa herë me thikë kuantin e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Elezaj u largua më pas nga vendngjarja dhe u arrestua pak minuta më pas në banesën e tij në fshatin Ferraj të kryeqytetit. Policia u lajmërua nga bashkëshortja e viktimës dhe motra e të pandehurit. Në deklarimet e saj para oficerëve të policisë ajo u shpreh se kishte 16 vjet e martuar me viktimë, por se në vitet e fundit ajo keqtrajtohej fizikisht prej tij. Sipas saj, bashkëshorti nuk konsumonte alkool, por debatet mes tyre kishin për burim kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë. ar.ba











