Vrau 4 persona, në burg përjetë

May 12, 2011 | 8:53
I akuzuari për vrasje, Haki Miska

Me 4 akuza për vrasje mbi shpinë, 51-vjeçari Haki Miska nuk i ka shpëtuar dënimit me burg të përjetshëm.Gjykata e Elbasanit vendosi masën ekstreme ndaj Miskës, duke pranuar dhe kërkesën e prokurorisë. Sipas trupit gjykues, të gjitha provat e mbledhura faktojnë krimet e kryera nga Miska, duke nisur me gruan e tij 16 vjet më parë e deri te vrasja e së ëmës vitin e kaluar, çka solli dhe zbardhjen e serialit të ekzekutimeve. Seanca e djeshme është zhvilluar me dyer të mbyllura, në prani dhe të vetë të pandehurit. Në seancën e kaluar, prokurori i çështjes kërkoi dënimin maksimal për 51-vjeçarin, duke e akuzuar për vrasjen e gruas së tij, të mësuesit të fshatit, të njerkut e së fundi të nënës. Këto akuza bënë që gjykata t’i pranojë dhe të vendosë për burgim të përjetshëm.
Haki Miska u arrestua vetëm pak ditë më vonë, pas datës 16 shkurt të një viti më parë, pasi kreu vrasjen e nënës së tij. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor ai rrëfeu vrasjet e kryera në një periudhë kohore prej 16 vitesh, të cilat kishin mbetur pa autor. Miska rrëfeu të gjitha vrasjet e kryera, duke filluar që nga bashkëshortja, që sipas tij, e ka vrarë me mjete të forta për shkaqe xhelozie. Të shoqen ai e groposi në një vend jashtë shtëpisë, ndërsa shpërndau lajmin e zhdukjes së saj të papritur. Bashkëshorten e vrau në muajin prill të vitit 1994, që sipas tij, e kishte kryer këtë krim për motive xhelozie, pasi mendonte se bashkëshortja e tij kishte një lidhje jashtëmartesore me mësuesin e fshatit. Qamil Llukën ai e vrau një vit më vonë, duke e goditur e më pas hedhur nga një lartësi e konsiderueshme, me qëllim humbjen e gjurmëve. Para krimit të Llukës, Haki Miska kishte vrarë njerkun e tij, Gani Bruku. Ndryshe nga dy krimet e mëparshme, ku në këtë ngjarje u implikua dhe nëna e tij, Dile Miska. Pas vrasjes po me mjete të forta, trupin e Brukut e vendosën poshtë peme, duke deklaruar për policinë se ai kishte rënë nga pema. Edhe këtë ngjarje policia e mbylli duke e cilësuar aksidentale. Ndërsa Miska rrëfeu në prokurori se e vrau njerkun për arsye pronash, pasi viktima nuk pranoi që të vendoste emrin i tij në hipotekë. Vrasja e fundit do të ishte pikërisht nëna e tij, ndërsa do të plagosej vetë vajza e Miskës. Ngjarja ndodhi në shkurt të vitit 2010, pas një debati me të ëmën, e cila i kërkonte të birit të tregonte për zhdukjen e së shoqes.

Krimet e Miskës

Viti 1994 – Vret me mjete të forta të shoqen 32-vjeçare, Mimoza Miska, duke e groposur më pas disa metra larg shtëpisë.

Viti 1995 – Dhunon e më pas e hedh nga shkëmbi mësuesin e fshatit, të cilin e akuzonte për lidhjen me të shoqen.

Viti 1995 – Bashkë me të ëmën vret njerkun, për motive pronësie.

Viti 2010 – Ekzekuton të ëmën me sëpatë, pas debatit mbi zhdukjen e së shoqes.

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura