
TIRANË – Ergest Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit, të akuzuarit si vrasësi i katër policëve më 7 gusht 2009, në Durrës, kërkon lirimin e tij në Gjykatën e Lartë. Xhoxhaj u arrestua në ngjarjen ku humbën jetën 4 punonjësit e policisë dhe më pas u vu nën akuzë për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Pas arrestimit, Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, masë në të cilën vijon të jetë në fuqi. Pak ditë më parë, Xhoxhaj i është drejtuar Gjykatës së Lartë ku kërkon ndryshimin e masës “arrest me burg” ndaj tij dhe zëvendësimin me një masë tjetër. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Lartë. Bëhet e ditur se rekursi i tij në Gjykatën e Lartë ka si objekt: “revokim, zëvendësim i masës së sigurimit të ‘arrestit në burg’”. Po sipas burimeve, bëhet e ditur se ende nuk është përcaktuar Kolegji Penal që do të marrë në shqyrtim kërkesën e Xhoxhit. Ergest Xhoxhi, kunati i të pandehurit Dritan Dajti, u arrestua në të njëjtin operacion policie ku u vranë katër policët. Sipas kërkesës për gjykim të dosjes “Dajti” tek Krimet e Rënda, Xhoxhi ka qenë në vendin e shoferit të automjetit “touareg”, Brenda të cilit ndodhej Dritan Dajti pak sekonda para masakrës. Aktualisht, Xhoxhi është i bashkëpandehur në të njëjtin proces gjyqësor ku po gjykohet Dritan Dajti, si edhe Mariglen Muça. Në fillesat e gjykimit tek Krimet e Rënda, Gjykata rrëzoi kërkesën e Xhoxhit për veçim të çështjes. ar.ba











