Vëllai i viktimës mori hakun e babait një vit më parë
Konflikti i nisur që në vitin 1998 ndërmjet dy fiseve në Selenicë të Vlorës shënon viktimën e tretë. Në orët e vona të së dielës u vra me breshëri automatike shtetasi Nure Xhaferri, 52 vjeç. Ai është djali i viktimës së ‘98-s, krim për të cilin i vëllai, në bashkëpunim me persona të tjerë, morën hak qershorin e vitit të kaluar. Ata vranë një 60-vjeçar të fisit Llanaj me të cilët ishin në hasmëri. Baftjar Llanaj u qëllua po me breshëri në afërsi të Selenicës, teksa ai ndodhej në mjetin e tij në ecje. Pikërisht kjo ngjarje e rëndë që ndodhi vitin e kaluar, dyshohet të jetë edhe motiv i vrasjes së dy netëve më parë, teksa afrohej mesnata. Viktima, Nure Xhaferri, ka qenë i vetëm në mjetin e tij teksa i është afruar banesës në Selenicë. Por autorët që i kishin zënë pritë e kanë qëlluar atë me breshëri sapo ka zbritur nga makina për t’u futur në banesën e tij. Breshëria ka terrorizuar të gjithë banorët e qytezës së vogël, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërriti Policia e Vlorës. “Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se është vrarë me armë zjarri shtetasi Nure (Agim) Gjysh Xhaferri, lindur e banues në Selenicë. Paraprakisht ka rezultuar se vrasja është kryer për motive hakmarrjeje, pasi viktima dhe familjarët e tij, që prej vitit 1998 e deri më sot, janë në konflikt me fisin Llanaj, konflikt i cili ka vijuar me vrasjet reciproke”, bëri të ditur Policia. Më 14 qershor të vitit të kaluar, vëllai i viktimës, Sako Xhaferri, në bashkëpunim me persona të tjerë vranë në pritë 60-vjeçarin Baftjar Llanaj. Nga breshëria e pakontrolluar e personave me qëllim eliminimin e Llanajt, mbeti i plagosur rëndë edhe shtetasi Sako Xhaferri, 45 vjeç, nga Selenica, i cili pasi mori ndihmën mjekësore u arrestua si autor i krimit. 6 vite më parë, Llanaj akuzohej se i kishte vrarë babanë e Xhaferrit, si dhe i kishte plagosur atij të vëllanë. Për këtë ngjarje Sako Xhaferri mori hak, duke e vrarë Baftar Llanajn. Më pas, shtatorin e vitit të kaluar, u tentua të vritej Nihat Xhaferri, vëllai i viktimës së mbrëmshme. Policia arrestoi si autorë të dyshuar shtetasit Altin Aliaj (nipi i familjes Llanaj) 35 vjeç nga Selenica, si dhe Armando Shakajn, 27 vjeç. Por më pas gjykata vendosi për ta masën “detyrim paraqitjeje”. Pas ndalimit dhe kontrollit fizik të automjetit të tyre u janë gjetur veshur doreza llastiku, kapele dhe kominoshe të zeza, por nuk u gjet arma e krimit. Policia e Vlorës ka shoqëruar mbrëmë gjashtë persona, mes të cilëve pjesëtarë të familjes Llanaj, të cilët po merren në pyetje për ngjarjen.
Tri ngjarjet e hasmërisë
. Në vitin 1998, në Selenicë të Vlorës është vrarë shtetasi Gjysh Xhaferri, babai i viktimës së mbrëmshme, Nure Xhaferri dhe i Sako Xhaferrit, i arrestuar për vrasjen e Baftjar Llanajt. Më 14 qershor të vitit 2011, Baftjar Llanaj, 60 vjeç, është vrarë me armë zjarri në rrugën për në Selenicë. I dyshuar për këtë vrasje është Sako Xhaferri, i cili është arrestuar
. Më 26 shtator 2011, familja Llanaj tentoi të marrë hak dhe të vriste djalin e viktimës së ‘98-s. Ai arriti t’i shpëtojë pritës, ndërsa gjykata la me “detyrim paraqitjeje” të dyshuarit
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











