Vrasja te Xhamlliku, i riu qëlloi shokun për borxhin

Jul 9, 2011 | 9:47

TIRANE – Para se Artan Këllezi të qëllohej disa herë më thikë mbrëmjen e 1 korrikut në një pikë lotoje pranë Kodrës së Priftit, te Xhamlliku në Tiranë, ai kishte qëndruar në të njëjtën tavolinë me të akuzuarin për vrasjen, Stiljan Korabin. Ata kishin njohje të mëparshme me njëri-tjetrin dhe mbrëmjen e ngjarjes janë ulur në shoqërinë e njëri-tjetrit. Pas pak ata kanë filluar të debatojnë me fjalë. Debati i lindur për shkak të një borxhi të papaguar të Këllezit ndaj Korabit e ka shndërruar situatën në vijim nga një “kafe mes miqve” në një “arenë lufte”. Sherri mes të dyve ka kulmuar kur Stiljan Korabi ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar disa herë personin me të cilin po ndante të njëjtën tavolinë. Për shkak të goditjeve të shumta dhe humbjes së gjakut Këllezi ndërroi jetë. Të paktën kështu është argumentuar dinamika e ngjarjes së 1 korrikut në vendimin e gjykatës që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të akuzuarit Stiljan Korabi. Ai akuzohet nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Njohja e mëparshme e dy “protagonistëve” të sherrit që përfundoi me vdekjen e njërit dhe me arrestimin e tjetrit pohohej në vendimin e gjykatës të caktimit të masës së sigurisë për Korabin. “Sipas hetimeve paraprake rezulton se shtetasi Stilijan Korabi dhe i dëmtuari Artan Këllezi, të dy me banim në qytetin e Tiranës, kanë pasur njohje të mëparshme. Më datë 01.07.2011, rreth orës 21:00, shtetasi Artan Këllezi ka qenë i ulur në lokal ‘Lloto Ibet’, që ndodhet në rr. ‘Qemal Stafa’. Ndërkohë, në lokal ka shkuar dhe shtetasi Stilijan Korabi, i cili është takuar me shtetasin Artan Këllezi. Të dy këta shtetas janë ulur në një nga tavolinat e ambientit të këtij lokali. Pas takimit, ndërmjet shtetasve Artan këllezi dhe Stilijan Korabi ka lindur një debat me fjalë. Shkak i këtij debati është se shtetasi Artan Këllezi kishte marrë një shumë të hollash nga shtetasi Stilijan Korabi dhe se deri në atë moment nuk ia kishte kthyer. Gjatë debatit, në një moment shtetasi Stilijan Korabi ka nxjerrë nga brezi një mjet prerës dhe me anë të këtij mjeti ka qëlluar disa herë mbi trupin e shtetasit Artan Këllezi. Si pasojë e këtyre goditjeve, shtetasi Artan Këllezi ka gjetur vdekjen. Ndërkohë, shtetasi Stilijan Korabi është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit”, thuhej në vendimin e gjykatës.

© Panorama.al

Te lidhura