Vrasja për xhelozi, kapen autorët

Sep 9, 2011 | 11:08
Arjan Mejdani, i vrarë të mërkurën në Tiranë

Karburanti, i cili ka mbaruar para kohe, ka tradhtuar autorët e dyshuar të vrasjes së shtetasit Arjan Mejdani, i cili u vra me armë mbrëmjen e të mërkurës në Tiranë.Dy të dyshuarit për ngjarjen kanë tentuar të largohen nga Tirana, por karburanti u ka mbaruar dhe policia ndërkohë nuk e ka lënë rastin t’i shpëtojë. Forcat e rendit, që ishin vënë në ndjekje gjatë gjithë natës, kanë arritur të zbulojnë vendndodhjen e të dyshuarve në afërsi të rrethrrotullimit të Doganës. Drejtoria e Policisë së kryeqytetit pohoi dje se janë arrestuar autorët e dyshuar të vrasjes së shtetasit Arjan Mejdani dhe plagosjes së Bujar Mejdanit e Arben Muharremit. Sipas Policisë, të dyshuarit janë Jakup (Arben) Shahu, 38 vjeç, i cili ka qëlluar për vdekje 28-vjeçarin Arjan Mejdani, si dhe Agron Isiu, 31 vjeç, që dyshohet se është autori i plagosjes së dy personave të dëmtuar në ngjarje. Të njëjtat burime thanë se viktima, të plagosurit dhe autorët, që i përkasin komunitetit rom, kanë pasur një konflikt për motive xhelozie, konflikt që pati pasoja tragjike dy ditë më parë, rreth orës 20:40, në lagjen “Selitë”, te rruga “Irfan Tomini” në Tiranë. Sherri mes njërit prej autorëve, Jakup Shahut dhe viktimës, shtetasit Arjan Mejdani, ka pasuar si shkak konfliktin e vazhdueshëm të bashkëshorteve të tyre. Gratë e dy protagonistëve të ngjarjes pretendonin për tradhti bashkëshortore.
ARRESTIMI
Pas mesnatës të së mërkurës, e gjithë zona e Selitës së Vogël, te rruga “Irfan Tomini”, në Tiranë, është rrethuar me forca policie. Një zonë që përfshinte të paktën 4 pallate ishte rrethuar me shirit policie, si vendngjarje, pasi vrasja e Mejdanit dhe plagosja e dy të tjerëve është kryer në disa rrugica të lagjes. Brenda pak minutave nga krimi, forcat e policisë së kryeqytetit morën informacione se personat që ata kërkonin për t’i arrestuar ishin larguar nga zona me një automjet që u identifikua nga policia. Në këtë kohë u ngritën postblloqe në të gjitha rrugën dalëse të kryeqytetit. Të dyshuarit i ka lënë në baltë makina me të cilin po tentonin të largoheshin nga Tirana. Mjeti nuk ka qenë i furnizuar mjaftueshëm me karburant, duke i lënë në mes të rrugës, pranë rrethrrotullimit të Doganës, në drejtim të Kthesës së Kamzës. Ata janë kapur në flagrancë kur po shtynin makinën në drejtim të karburantit më të afërt dhe janë arrestuar. Policia tha se në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar një pistoletë e kalibrit 7.62 mm, model 54 TT, dhe një krehër automatiku me fishekë.
Xhelozia
Një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë konfliktit me armë mes banorëve të komunitetit rom në Selitë të Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:40, në mes të pallateve ku banon pjesa më e madhe e komunitetit rom. Policia dhe dëshmitarët okularë thanë se ngjarja mund të kishte pasur përmasa edhe më të mëdha nëse autorit nuk do t’i bllokohej arma automatike tip “Kallashnikov”, me të cilën kreu vrasjen dhe plagosjen e dy personave. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë 15 minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak, 28-vjeçari Arjan Mejdanin. Ndërsa janë plagosur babai i tij, Bujar Mejdani dhe kunati i këtij të fundit, Arben Muharremi.

Vrasësi u akuzua nga e shoqja se shkoi me gruan e viktimës

Tiranë – Vrasja e 28-vjeçarit Mejdani dhe plagosja e dy të tjerëve, sipas burimeve zyrtare të Policisë, ka ndodhur për motive xhelozie. Nga të dhënat hetimore të mbledhura nga oficerët e seksionit të krimeve kundër jetës mësohet se autori i ngjarjes, Jakup Shahu, kishte një lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e viktimës Arjan Mejdani. Kjo lidhje fillimisht është zbuluar nga bashkëshortja e autorit, e cila ka kërkuar shpjegime te gruaja e viktimës, pasi sipas saj, ishte ajo që i vardisej të shoqit. Sipas dëshmitarëve, të cilët janë pyetur nga policia, gruaja e të dyshuarit Jakup Shahu, një javë para ngjarjes, ka shkuar për te lokali i viktimës, aty ku ndodhi edhe vrasja, dhe ka nisur të debatojë me gruan e Arjan Mejdanit, duke e akuzuar se i kishte marrë bashkëshortin. Aty ka nisur konflikti mes dy bashkëshorteve, fillimisht me fjalë e më pas janë kanë nisur të godasin njëra-tjetrën me sende të forta. Gjatë këtij debati kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarët e familjes së viktimës, të cilët kanë ndërhyrë duke i dhënë fund përkohësisht dhunës mes tyre. Sherri ka vijuar pothuajse çdo ditë. Sipas dëshmitarëve, të dyja gratë, sa herë që përballeshin në rrugë apo në lokal, ziheshin me njëra-tjetrën duke u kapur nga flokët, derisa shkonin persona të tjerë për t’i ndarë. Për këtë konflikt të vazhdueshëm është vënë në dijeni viktima Arjan Mejdani, të cilit i kanë treguar të afërmit e vet, por edhe banorë të tjerë të lagjes që kishin parë sherret e vazhdueshme të bashkëshortes së tij me të shoqen e autorit. Pasi ka dëgjuar variantin e gruas së tij, me të cilën kishte 3 fëmijë, Mejdani ka shkuar të takojë të dyshuarin Jakup Shahu, i cili banonte pranë shtëpisë së Mejdanit. Duke debatuar me të, në mes është futur bashkëshortja e Shahut, e cila ka rrëfyer edhe historinë e tradhtisë nga ana e të shoqit dhe gruas së viktimës. Ky debat është bërë dy ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë mbrëmjen e së mërkurës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky ka qenë edhe shkaku i debatit që nisi para se të përdoreshin armët. Fillimisht viktima dhe të plagosurit kanë nisur të debatojnë me dy autorët në lokalin e tyre dhe më pas ata kanë nxjerrë armët nga një “dum-dum” që ishte i parkuar para lokalit dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të tyre. Nga plumbat janë plagosur rëndë Arjan Mejdani, babai i tij, Bujar Mejdani dhe kunati, Arben Muharremi. Arjan Mejdani ka gjetur vdekjen sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak, ndërsa dy të plagosurit mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura