TIRANE – Isuf Sinani, 67-vjeçari që vrau në gjaknxehtësi e sipër bashkëfshatarin e tij 77-vjeçar Feim Leka, në janar të këtij viti në Yrshek, kërkon gjykim me kohë të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës. Sipas rrëfimit të 67-vjeçarit pas arrestimit, konflikti që përfundoi me një të vrarë kishte pasur shkas ofendimin e familjarëve të tij nga ana e viktimës. Kërkesa për zgjidhjen e çështjes në gjendjen në të cilën ndodhen aktet, u bë dy ditë më parë, në seancën e parë gjyqësore në ngarkim të tij. Gjykata do të shprehet në lidhje me këtë kërkesë në seancën e radhës. Nëse kjo kërkesë pranohet nga Gjykata, Sinani do të përfitojë uljen e një të tretës së masës së dënimit, në dënimin përfundimtar. Isuf Sinani po gjykohet për veprën penale të “vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Ngjarja për të cilën ai akuzohet, ndodhi më 6 janar 2011 në Yrshek, të komunës Kashar, Tiranë. Ai pranoi autorësinë e ngjarjes, që pas arrestimit nga policia. “Nga deklarimet e autorit të kësaj ngjarje, si i vetmi person i pranishëm, arrijmë në arsyetim se veprimet e kryera nga shtetasi Isuf Sinani janë kryer si pasojë e tronditjes së fortë të çastit të pësuar nga fjalët fyese të drejtuara ndaj pjesëtarëve të familjes së tij, nga ana e shtetasit Feim Leka”, thuhej në vendimin e gjykatës, që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. ar.ba











