Vrasja në Kavajë, RENEA kap mikun e bandës së Durrësit

Nov 4, 2011 | 11:57

Një person i kërkuar për vrasje është vënë në pranga mbrëmë nga forcat speciale të repartit RENEA në Tiranë. Shtetasi  Ermir Dervishi, një prej miqve të ngushtë të personave kryesorë të akuzuar si anëtarë të bandës së Durrësit, është kapur në një banesë në zonën e Freskut në Tiranë. Burimet nga Policia thanë se 40-vjeçari Dervishi kërkohej prej dhjetë vitesh nga Drejtësia për një vrasje të kryer në Kavajë në vitin 1998. Ai është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Durrësit në vitin 2001, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Gentian Duro në Kavajë. Sipas Policisë, i arrestuari Ermir Dervishi, ka pasur marrëdhënie shoqërore me Duron para se ta vriste. Të njëjtat burime thanë se Ermir Dervishi ka pasur miqësi me disa prej anëtarëve të bandës së Durrësit, por vrasjen nuk e ka kryer për llogari, apo si pjesë e kësaj bande. Fakti se Dervishi ka pasur miqësi me anëtarët e bandës së Durrësit është shpjeguar edhe gjatë deklarimeve që kanë dhënë në gjykatë dëshmitarët, si dhe nga i penduari Adriatik Coli. Megjithatë, ende nuk është i sqaruar plotësisht “roli” që 40-vjeçari Dervishi ka pasur në bandën e Durrësit, falë miqësive me anëtarët e saj dhe nëse ka kryer krime apo jo për llogari në bashkëpunim me ta. Një prej dëshmitarëve, E.K., ka deklaruar në vitin 2006, gjatë procesit hetimor për bandën e Durrësit, se Ermir Dervishin e ka parë shpesh të shoqërohej me krerët e bandës së Durrësit. “Rreth viteve 1997-1998 unë kam pasur raste të takohesha me Lulin dhe Ermirin dhe të pinim kafe bashkë. Luli dhe Miri kanë qenë shokë bashkë”, shprehet dëshmitari. Më tej, ai tregon edhe për një makinë tip “Golf 2”, pa dokumente, të cilën ia kishte kërkuar për ta blerë Ermir Dervishi në vitin 1998.
ARRESTIMI
Operacioni për arrestimin e Ermir Dervishit u krye mbrëmë rreth orës 21:00, në afërsi të Freskut në Tiranë. Pas informacioneve të marra për vendndodhjen e të kërkuarit, është dhënë urdhri për ndërhyrje nga forcat speciale RENEA. Aksioni ka nisur me rrethimin e pallatit 7-katësh, ku banonte prej disa vitesh i kërkuari. Ai u kap në një apartament në katin e tretë, ku bashkëjetonte me një grua të divorcuar dhe djalin e saj. Në kohën kur policia i ka bërë thirrje te dera e apartamentit, duke u prezantuar si forcat RENEA, i kërkuari ka vonuar për disa minuta për të hapur derën. Ai është parë në ballkonin e apartamentit, por poshtë tij ndodheshin forcat speciale me armët e drejtuara lart. Në këtë kohë ai është kthyer sërish brenda dhe ka hapur derën, duke u vetëdorëzuar.

© Panorama.al

Te lidhura