Vrasja mafioze: Biznesmeni, në dosjen e bandës së Durrësit

Nov 14, 2011 | 9:09

Adriatik Coli

Dëshmia e të penduarit Adriatik Coli: Gent Gashi mori 100 mijë euro për kokën e Lul Berishës.

Biznesmeni Gentian Zguri (Gashi), i vrarë të dielën me një plumb në kokë në Durrës, dyshohet se ka pasur të bënte në të kaluarën e tij me bandën e Durrësit. Historia duket se fillon që në kohën kur ai u dënua për drogë në Itali dhe vazhdon më tej me disa ngjarje të ndodhura në qytetin e Durrësit, përfshi edhe një atentat ndaj Lulzim Berishës.  Grupi hetimor i Policisë së Durrësit, i ngritur të dielën menjëherë pas vrasjes së 35-vjeçarit, mësohet se i ka përqendruar hetimet edhe në lidhjet e viktimës me disa prej anëtarëve të bandës së Durrësit. Sipas thënieve të të penduarit të bandës së Durrësit, Gentian Gashi dyshohet të jetë implikuar edhe në disa ngjarje të tjera kriminale. Nga të dhënat hetimore, dyshohet se Gashi është përfshirë në një atentat që ishte planifikuar kundër Lulzim Berishës, atentat i ndodhur pak kohë pas vrasjes së Klodian Saliut, por në përfundim nuk është realizuar. Sipas grupit hetimor, Gashi është një nga personat që ka transportuar Adriatik Colin me një automjet në drejtim të Shkodrës, pasi ky i fundit ka kryer vrasjen e Ilir Koldashit, në Tiranë. Dy ditë pas vrasjes në Durrës të biznesmenit 35-vjeçar, grupi hetimor ka ngritur si një pistë tjetër që mund të çojë drejt zbardhjes së vrasjes, edhe miqësinë e tij me anëtarët e bandës së Durrësit dhe shërbimet që ai ka bërë për ta. Sipas burimeve nga policia, Gashi është njohur me vëllanë e Klodian Saliut, Arjan Saliun, në një burg në Itali, pasi të dy ishin arrestuar për trafik droge. Duke qenë se kishin qëndruar disa muaj në të njëjtën qeli, Gashi dhe Saliu ishin miqësuar dhe, në këtë mënyrë, pasi është liruar Gentian Gashi, ka takuar më pas vëllanë e tij, Klodian Saliun. Të njëjtat burime pohuan se Gentian Gashi është përfshirë në dy ngjarje, që janë kryer rreth 6 vite më parë nga anëtarët e bandës së Durrësit. Emri i tij është përmendur edhe nga deklarimet që ka dhënë i penduari Adriatik Coli, deklarime që janë përfshirë në konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës. Më poshtë ndodhen episodet e rrëfimit të Adriatik Colit, ku përmendet emri i biznesmenit, të cilin i penduari e citon me emrin Gent Gashi. Coli e ka përmendur 35-vjeçarin fillimisht në atentatin kundër Lul Berishës, të cilin sipas të penduarit pasi e mori përsipër për 100 mijë euro, Gashi nuk arriti ta realizojë, duke hequr dorë e madje duke kthyer paratë.
ATENTATI NDAJ LUL BERISHES
Emri i Gentian Gashit përmendet nga i penduari Adriatik Coli gjatë deklarimeve të tij, në lidhje me atentatin e kryer ndaj Lulzim Berishës, pas vrasjes së Klodjan Saliut në vitin 2005. Në deklarimet e tij rreth kësaj ngjarjeje, Coli shprehet: “Pas varrimit të Klodian Saliut, tek shtëpia e vjetër e Klodianit qëndroja unë, Endrit Dokle, Shkëlqim Saliu, Gaz Begu, Altin Begu, Moisiu, si dhe Rid Xhunga, vëllai i Ilir Xhungës. Tek te shtatat e Klodian Saliut vjen. Aty ndodheshim unë, Endrit Dokle, Shkëlqim Saliu. Endrit Dokle e merr veç nesh dhe e çon tek dhoma e gjumit ku bisedojnë për të vrarë Lulzim Berishën. Genti i kërkon Endrit Dokles makinë, armë dhe një kapar (një shumë lekësh). Pasi bisedojnë, Genti bie dakord me Endritin, vijnë tek dhoma e pritjes ku po rrinim ne, qëndron pak dhe ikën. Pyesim Endritin që kishin bërë muhabet më parë, që të na gjente njerëz për të vrarë Lulzim Berishën. Genti kishte rënë dakord që të gjente njeri për të vrarë Lulzim Berishën. Këto na i tha Endriti pas bisedës që bëri. Shuma që do të jepej ishte 100 mijë euro. Atë kohë, Endriti merr Landin në telefon, që merret me tregti makinash në Shijaku, ku ka një servis tek autostrada që hyn nga Rruga e Durrësit për në Tiranë. … Landi gjen makinën tip “Pasat”, ngjyrë ulliri e hapur, tip i ri dhe e merr në telefon Endritin. I thotë që makinën e kam gjetur. Kjo ndodhi pesë ditë pasi kishin kaluar të shtatat. Ne ndodheshim tek shtëpia e vjetër e Klodian Saliut, unë, Çim Saliu, Altin Begu, Endrit Dokle, Rid Xhunga dhe Gazi. Ishte pasdite kur Endrit Dokle e kishte lënë me Landin për të shkuar që të merrnin makinën “Pasat”. Kështu që ne morën një karrotrec që ndodhet në lagjen time, sepse makina “Pasat” ishte e vjedhur, pasi i kërkuam makinë të vjedhur Landit. … E bëra unë për të marrë karrotrecin pasi do transportonim një makinë të prishur në autostradë dhe ai pranoi. Ai tha kushton rreth 80 mijë lekë dhe i thashë se s’ka problem. Unë ndodhesha me Endrit Doklen dhe Altin Begun. Po lëviznim me benzin tim 2500 ngjyrë blu, targa DR 1635 C. U nisëm për në Tiranë, ecëm rrugës drejt për në hyrje të Tiranës, morëm djathtas ku është një karburant përpara, u futëm në një rrugicë, parkuam dhe i thamë që ta zbriste aty “Pasatin”. Më pas mbyllëm makinën aty tek ajo lagje para një apartamenti. I dhamë lekët karrotrecit dhe ai u largua. Unë, Altin Begu dhe Endrit Dokle shkuam tek shtëpia e Endritit që ndodhet tek 21-shi, tek kryqëzimi. Në darkë, Endrit Dokle merr në telefon dhe i thotë që porositë tuaja i kemi marrë. Genti i thotë që do të vijë vonë në darkë. Rid Xhunga vjen për në Tiranë sipas porosisë që i dha Endrit Dokle që të sillte “Skorpionsin” dhe pistoletën “Beretë” tip i vjetër, e vogël. Ridi i sjell me makinë dhe ikën. Se me çfarë makine i sjell nuk më kujtohet, por i solli tek shtëpia e Endritit poshtë. Në darkë vjen tek shtëpia e Endrit Dokles. Unë, Altin Begu dhe Endrit Dokle ndodheshim tek dhoma e gjumit të Endritit, i cili kishte një dhomë e kuzhinë. Vjen Genti, i hapim derën dhe futet brenda. Na gjen ne të tre dhe bisedojmë me Gentin. Kishte njerëz të tjerë në familje, ishin nga kuzhina. Bisedojmë për vrasjen e Lulzim Berishës. Genti thotë për një ditë apo dy vjen njëri nga Elbasani dhe do ta shoqëroj vetë para klubit të Lulit “Ceronavolta” për ta vrarë. Ne i themi, makinën ta kemi gjetur dhe i tregojmë dhe vendin ku ishte makina. I japim “Skorpionsin”, pistoletën dhe 20 mijë euro. I merr Genti dhe ikën. Për një javë e ke të vrarë Lulzim Berishën. Ne flemë atë natë aty, unë së bashku me Altin Begun. Të nesërmen nisemi për në Spitallë tek shtëpia e Klodit. Ne rrinim gjithmonë në lagje dhe tek shtëpia e Klodit. Pritëm një javë dhe Genti nuk kishte bërë asgjë. Nisemi për në Tiranë unë, Endrit Dokle dhe Altin Begu. Në fillim shkojmë tek makina që e kishim lënë me karrotrecin. Shohim makinën që s’kishte lëvizur fare. Marrin Gentin në telefon dhe atë natë flemë përsëri tek shtëpia e Endritit, unë së bashku me Altinin. Merr Endriti në telefon dhe Genti i thotë që akoma nuk ka ardhur personi dhe ne vendosëm që ta linte këtë muhabet për vrasjen e Lulit. I thotë Endriti të sillte ato që kishte marrë më parë, “Skorpionsin”, pistoletën dhe lekët.
Shoqërimi i Colit në Shkodër
Episodi tjetër kur Adriatik Coli përmend ndihmën që i ka dhënë Gentian Gashi, është pas vrasjes së Ilir Koldashit në Tiranë, që sipas Colit, Gashi e ka transportuar me një fuoristradë në drejtim të Shkodrës. “…Në atë kohë, duke ardhur avash-avash, duke zbritur përballë tek dera e Gardës, shoh njërin me motor dhe i them po deshe të më ndihmosh se kam babanë sëmurë, të jap 20 euro. Do me çonte deri tek 21-shi. Ai pranon, i jap 20 euro. I biem nga Rruga e Kavajës, aty ku dolëm për tek disko, dhe shkoj tek shtëpia me qira qe kishte Endriti afër shtëpisë së vet dhe shoh Endritin që ishte në shtëpi. Duke biseduar me Endritin për ngjarjen, ndenja 10 minuta aty. Endriti thotë që unë do shkoj të dorëzohem. Unë i them, t’i shko dorëzohu, unë nuk dorëzohem, do iki. Kështu që ai vendos të vijë me mua dhe shkojmë tek shtëpia e tij në Tiranë. Flemë atë natë të dy aty. Bisedojmë me Gentin si ndodhi. Genti atë natë nuk rri aty në shtëpi, vetëm unë me Endritin. Unë i them Endritit që përsipër ta marrë Kujtimi (vrasjen e Ilir Koldashit), se kështu e lamë. Se vrasja u bë për faj të Kujtimit. Endriti thotë po ai do ta marrë përsipër vrasjen. Të nesërmen vjen Genti, bëjmë muhabet. Pasdite, para se të erret, nisemi nga Genti, shkojmë tek shtëpia ime, unë me Endrit Doklen, që kisha me qira tek 21-shi. Aty nuk kishte njeri vetën unë me Endrit Doklen. Endrit Dokle bisedon me babanë e vet, sepse Policia atë natë që ishte bërë vrasja, kishte shkuar tek shtëpia e Endritit. Endriti i thotë babait së vet që nuk e kam vrarë unë. Babai i vet i thotë dorëzohu dhe Endriti i thotë do dorëzohem. Duke ndenjur me Endritin atë natë, unë thërras familjen time, pasi ishin tek njerëzit e vet. Endriti thërret Vin Cukën. Të nesërmen unë përzë familjen time, i them të nisen për tek njerëzit e nuses dhe të vijnë pasdite me njerëzit e kësaj, të marrin rrobat për të vajtur për në Durrës. Mbasi ikën familja, shkoj tek dhoma që ishte Endriti me Vin Cukën. Endriti vendos të dorëzohet, mbasi të iki unë. Në atë kohë, Endrit Dokle merr në telefon Aleks Kekon dhe i thotë, do të vij Tiku aty që të ma nisësh për në Itali. Ai bie dakord që të më ndihmonte mua. Më pas thotë Vin Cukja, na gjeti hall i madh, më ngelën punët të gjitha mua. E kishte fjalën për punët e drogës. Për të më çuar në Shkodër, Endriti më tha lër një orar. Ka qenë ora 11:30-12:00. Vin Cukja ikën. Në shtëpi rrimë vetëm unë dhe Endrit Dokle. Vin Cukja shkoi tek Ermali në mëngjes, mori lekët që kishte, nja 70 mijë euro. Solli lekët. Ervini i kërkoi Endrit Dokles 10 mijë euro, se nuk kishte lekë, se i kishte në punë. Marr dhe unë 10 mijë euro, por në fakt ishin 8500 euro. Merr në telefon dhe ishte duke më pritur në rrugë me një fuoristradë ngjyre jeshile, me sirenën e policisë lart. Shofer ishte një qeros, trup pak i mbushur. Ishte shok i T. Nisemi për në Shkodër, ku më priste Aleks Keko. Një ditë mbas vrasjes së Ilir Koldashit, jam nisur për Shkodër. Më ka çuar me fuoristradë jeshile, me sirenë policie. Ishte dhe një tjetër shofer, me flokë të rëna përpara. Kemi marrë rrugën për në Shkodër. Atje na priste Aleks Keka. Kishte një makinë “Rexhina”, ngjyrë gri, targa Tiranë, siç më kujtohet. Pasi kemi takuar Aleksin në Shkodër, jemi ndarë. Unë shkova me Aleksin. Me shoferin u kthyen ne Tiranë. Në atë kohë Aleksi më çoi te shtëpia e vet, në Koplik të Shkodrës. … U ulëm duke bërë muhabet. I tregova ngjarjen Aleks Kekës, siç ndodhi një ditë më parë. Në atë kohë, marr Endritin në telefon dhe ai më thotë që do të dorëzohej. Unë i nxjerr Aleksin në telefon. Aleksi i thotë mos bëj gabim të dorëzohesh. Pse s’erdhe t’i bashkë me Tikun? Vinit këtej nga unë. Mbas një ore marrim vesh që i kishte shkuar policia Endritit tek shtëpia. Këtë e mësova nga njerëzit e afërt të nuses sime”. ETLEVA DELIA

 

Durres/ Policia u mëshon pistave të larjes së hesapeve dhe pronave
Biznesmeni i vrarë, shuhet shpresa mbi provën e syzeve

Ekspertiza: I përkasin viktimës Gentian Zguri. Asnjë gjurmë në vend nga vrasësi me pagesë

Viktima, Gentian Zguri, pas ekzekutimit dje në Durrës

Mbetet mister ekze-kutimi i biznesmenit të njohur nga kryeqyteti Gentian Zguri (Gashi), i cili mbeti i vrarë mesditën e së shtunës në Durrës. Duke u nisur edhe nga mënyra e ekzekutimit, paraprakisht flitet se 35-vjeçari është qëlluar nga një vrasës me pagesë. Këtë fakt e përforcon edhe më shumë vendi i ngjarjes, ku mësohet se nuk janë gjetur prova të autorit. Në vendin e krimit, rreth tre metra larg trupit të viktimës janë gjetur vetëm një palë syze, të cilat pasi janë dërguar për ekzaminim, kanë rezultuar se i përkasin 35-vjeçarit. Xhami i majtë i syzeve është thyer nga plumbi që fillimisht ka përçuar ato dhe më pas syrin e majtë të biznesmenit. Kur kanë kaluar dy ditë nga ekzekutimi me plumb në kokë të Gentian Zgurit, i cili njihej dhe me mbiemrin Gashi, Policia dhe Prokuroria e qytetit të Durrësit ende nuk kanë një autor apo një version zyrtar për arsyet e kësaj vrasjeje. Referuar viteve të mëparshme, kur 35-vjeçari akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike në shtetin italian, nga ana e Policisë së Durrësit raportohet se hetimet janë përqendruar në disa pista. Mësohet se më shumë përparësi i është dhënë pistës që 35-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për larje hesapesh, ndërsa po hetohet edhe në pistën e hakmarrjes, ndonëse nuk përjashtohen edhe pista të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetin e tij të përditshëm. Të njëjtat burime policore sqarojnë se po hetohet e kaluara e viktimës, si edhe konfliktet apo hasmëritë që ky shtetas mund të ketë pasur me ndonjë person, me të cilin ka bashkëpunuar për ezaurimin e veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike vite më parë në shtetin fqinj, apo në lidhje me bizneset e tij në Tiranë. Zbardhja e aktiviteteve të vjetra të Gentian Zgurit po kryhet me qëllim për të rënë në gjurmë të autorit, apo personit i cili mundësoi ekzekutimin e tij. Ndërkaq, po nga Policia mësojmë se krahas pistave të lartpërmendura, të tjera pista të mundshme janë ngritur për të zbardhur motivin e vrasjes së biznesmenit. Lidhur me hetimet në Prokurorinë e Durrësit, mësojmë se për të zbardhur ngjarjen, prokuroria e këtij qyteti do t’u kërkojë homologëve të tyre në Itali dërgimin e dosjes se plotë të aktivitetit të paligjshëm të 35-vjeçarit, si dhe personave të përfshirë në akuzë së bashku me viktimën, me qëllim zbardhjen e plotë të aktivitetit të tij penal, por edhe identifikimin e të tjerë personave që mund të kenë lidhje me ekzekutimin e shtetasit Gentian Zguri. Megjithatë, Policia nuk përjashton krimin për shkak të bizneseve të Zgurit dhe zgjerimit të aktiviteteve private. Mes tyre, dhe ngritja e një kompleksi turistik në Qerret të Kavajës, të përfituar prej tij që nga vera e këtij viti. Nisur nga një ekzekutim i mirëmenduar, paraprakisht Policia e Durrësit dyshon se vrasësi mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të kryer ekzekutimin dhe se nuk mund të jetë banor i Durrësit.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, rreth orës 12:45 minuta, në Lagjen numër 4 të qytetit bregdetar, vetëm disa metra larg Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave. Viktima Gentian Zguri (Gashi), 35 vjeç, banor i qytetit të Tiranës, ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është qëlluar me një plumb në kokë.

1 plumb
i vetëm, qëlluar nga afër, i ka marrë jetën 35-vjeçarit Gentian Zguri (Gashi), mesditën e së shtunës në qytetin e Durrësit, ku viktima kishte shkuar për punë dokumentesh, siç pohuan miqtë e tij.

25 persona
janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Durrësit gjatë orëve të paskrimit, por konfirmohet se thuajse të gjithë janë dëshmitarë apo persona që kishin miqësi me viktimën 35-vjeçar.

Të shoqëruarit
Sipas Policisë së Durrësit, në Komisariatin e Durrësit, krahas 20 dëshmitarëve të një dite më parë, janë shoqëruar edhe pesë persona të tjerë. Me gjithë numrin e lartë të personave që janë marrë në pyetje, pohohet se bëhet fjalë për dëshmitarë dhe jo për persona që janë në dyshim për ngjarjen e rëndë. Gjithsesi, deri tani nuk thuhet asgjë konkrete për dëshmitë e as për ndonjë autor të mundshëm që ka pasur interes apo ka ekzekutuar vetë Gentian Zgurin. Pritet që lista e të shoqëruarve të zgjatet më tej, me dëshmitë kyçe që mund të jenë ato të familjarëve të viktimës.

Autori
Policia e Durrësit bën të ditur se të shumtë kanë qenë personat që kanë dhënë për Policinë jo vetëm skenën se si ka ndodhur krimi, por edhe të dhëna mbi vrasësin. Dëshmitarët kanë treguar se nga pamja e jashtme ata kanë arritur të dallojnë se autori ishte rreth 30 vjeç, rreth 1.75-1.80 metra i gjatë, i veshur me rroba të zeza dhe në kokë mbante një kapele. Ai është larguar nëpër rrugicat pas vendit të krimit, duke humbur gjurmët dhe nuk dihet nëse ka pasur bashkëpunëtorë që po e prisnin pas vrasjes. Bazuar tek të dhënat e dëshmitarëve, policia po punon për të ndërtuar identikitin e autorit. DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura