Vrasja, Halimi: Prokuroria, favor të paligjshëm Xhuvanit

Dec 24, 2011 | 13:01
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Ministria e Drejtësisë “kryqëzoi” dje Prokurorinë e Tiranës në lidhje me hetimin dhe dënimin e dhënë nga gjykata ndaj Kostandin Xhuvanit, djalit të artistëve Gjergj e Luiza Xhuvani, i dënuar me dy vjet burg për vrasje. Një kopje e raportit të inspektimit, ku radhiteshin “mëkatet” e Prokurorisë, iu dërgua dje nga ana ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. “Bashkë me raportin ministri Halimi i kërkonte Presidentit të Republikës dhe prokurores së Përgjithshme të ushtrojnë kompetencat e tyre për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurorit të çështjes dhe drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës”, njoftuan dje burime zyrtare të Ministrisë.
RAPORTI
Gazeta “Panorama” siguroi dje raportin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë në dosjen “Xhuvani”. “Në kërkesën e Prokurorit për caktimin e masës së dënimit nuk janë analizuar të gjitha elementet e figurës së veprës penale dhe konkretisht rrezikshmëria shoqërore e veprave penale, fakti i fshehjes për një farë kohe të të pandehurit nga hetimi, lloji dhe marzhi i dënimit, fakti që i pandehuri akuzohet për më shumë se një vepër penale”, thuhej në raport. Sipas raportit, në rastin konkret, në Prokurorinë e Tiranës konstatohet standard i dyfishtë dënimi për veprën penale të vrasjes. “Është e papranueshme pabarazia në trajtimin e subjekteve të procedimit penal, që nuk është asgjë tjetër përveçse shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës. Është për t’u theksuar se nuk është ndjekur një politikë e njëjtë dënimi për të njëjtën vepër penale, të kryer në rrethana të njëjta apo të përafërta nga të pandehur të ndryshëm”, thuhej në raport. Po aty pohohej se ky lloj qëndrimi e keqorienton edhe gjykatën në vendimmarrjen e saj në gjykimin e çështjes. Si një nga anët më të “errëta” të konstatuara nga raporti ishte përmbyllja e hetimeve ndaj Xhuvanit, duke u paraqitur një kualifikim i ri për akuzën ndaj tij. “Është i papranueshëm përfundimi i hetimeve paraprake, duke paraqitur akuzë të ndryshme nga sa ishte proceduar deri në atë moment, brenda ditës, nga prokurori dhe pa asnjë arsyetim”, referohej nga inspektimi. Sipas raportit, prokurori nuk e kishte pranuar sugjerimin e Policisë Gjyqësore për procedimin e Xhuvanit për veprën penale të “vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. “Prokurori ka proceduar, brenda ditës, në mënyrë të atëçastme, pa asnjë arsyetim për papranueshmërinë e sugjerimit të Policisë Gjyqësore me akuzën e ‘vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme’. Këto veprime të prokurorit nuk përputhen me gjendjen e faktit, sepse të dhënat tregojnë që i pandehuri ka qenë në vendngjarje i armatosur paraprakisht”, thuhej në përfundimet e inspektimit. Sipas raportit, Prokuroria nuk kishte përdorur të gjitha mjetet për kërkimin e provës. “Është marrë në pyetje vetëm i pandehuri dhe çuditërisht asnjë prej të dëmtuarve nuk është pyetur. Kjo tregon në mënyrë të dukshme se është  pranuar versioni hetimor i ngritur nga i pandehuri, pa marrë në konsideratë as mundësinë e ekzistencës së një versioni të kundërt me të”, citonte raporti. Ndërsa kritikat mbi drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës kishin lidhje me miratimin e tij për dërgimin e dosjes në gjyq me një vepër penale të ndryshme nga ajo e referuar fillimisht dhe të ndryshme edhe nga ajo e sugjeruar nga Policia Gjyqësore në përfundim të hetimit paraprak. Njëkohësisht, sipas raportit, prokurori i rrethit ka vonuar dërgimin administrativ në gjykatë të çështjes penale për dy muaj, pa asnjë shkak të dokumentuar. Sipas raportit, “kjo sjellje ka vetëm një përfundim: vonesa është përdorur për të harruar në publik ngjarjen e ndodhur”.

Vendimi
Më 14 nëntor 2011, Kostandin Xhuvani u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, në dëm të shtetasit Alfred Musabelli, si dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. I pandehuri tjetër i kësaj dosjeje, Albi Zela, u dënua me 14 muaj burg për kryerjen e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”. Sipas vendimit, më 12 shkurt 2011, Xhuvani kishte qëlluar me armë drejt Alfred Musabellit teksa kishte parë që ky i dyti i drejtoi një pistoletë dhe i tha që do ta vriste. Arma e viktimës Musabelli ishte lodër. Aktualisht dosja në ngarkim të Xhuvanit ndodhet në Gjykatën e Apelit.

Ina Rama: Halimi po na cenon pavarësinë

Kryeprokurorja Ina Rama

Prokuroria e Përgjithshme, me anë të një deklarate, i cilësoi dje ndërhyrje të rënda në punën e Drejtësisë deklaratat e ministrit Eduard Halimi. Pasi është vënë në dijeni të letrës së datës 23.12.2011 që i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe prokurores së Përgjithshme Ina Rama mbi përfundimet e këtij inspektimi, Prokuroria e Përgjithshme tha se është e detyruar të informojë opinionin publik në lidhje me çështjen. “Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Halimi, është një ndërhyrje e rëndë në funksionimin dhe pavarësinë e sistemit të Drejtësisë dhe në rastin konkret presion i hapur ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë, në kushtet kur një çështje është ende në gjykim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Sipas saj, çështja ndaj shtetasit Kostandin Xhuvani është ende në gjykim, pasi është në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, ndaj është e pashpjegueshme që një titullar politik të ndërhyjë e të deklarohet pa u ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Prokuroria thekson se ministri i Drejtësisë nuk është pjesë e gjykimit dhe për vendimin e një gjykate mund të shprehet vetëm një gjykatë e shkallës më të lartë. Prokuroria theksoi se ministri i Drejtësisë sulmoi organin e akuzës për mosrespektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal. Prokuroria theksoi se kjo bëhet me fjalë të përgjithshme, dhe jo duke marrë parasysh dispozitat konkrete të veprës penale dhe marzhin e dënimit që parashikohet për këto vepra, të cilat duke u analizuar me rrethanat e tjera që ndikojnë llojin dhe masën e dënimit, përcaktojnë dhe politikën e dënimit. “Në respekt të Kushtetutës dhe ligjit duhet t’i kujtojmë si opinionit publik, ashtu dhe ministrit të Drejtësisë, se i vetmi institucion kushtetues i cili kualifikon veprën penale për të cilën duhet të deklarohet fajtor, llojin dhe masën e dënimit të përshtatshme, është vetëm Gjykata. Kompetencën për drejtësinë e këtij vendimi apo fuqinë për ta ndryshuar atë e ka vetëm një gjykatë më e lartë, por kurrsesi një organ ekzekutiv”, theksoi Prokuroria.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura