Vrasja e Ziver Veizit, Apeli lë në burg gardistin Llupo

Mar 11, 2011 | 12:32

Në vendimin e Apelit është lënë fuqi masa e dhënë ndaj Llupos më 10 shkurt të këtij viti, nga Gjykata e Shkallës së Parë të kryeqytetit. Bëhet e ditur se vendimi ndaj gardistit, i vetmi i mbetur në qeli, është dhënë dy ditë më parë nga një treshe gjykuese e Gjykatës së Apelit, e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni. Agim Llupo akuzohet nga Prokuroria për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim” dhe “shpërdorim të detyrës”. Në seancën me dyer të mbyllura, gjykata është njohur me kërkesën e mbrojtësit ligjor të gardistit Llupo, avokatit Genc Gjokutaj. Avokati i ka kërkuar gjykatës shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës që la në “arrest me burg” Llupon, si edhe lirimin e tij. Bëhet e ditur se në argumentet e tij para gjykatës, avokati ka pohuar se predha e plumbit, e gjetur në trupin e Ziver Veizit, është një plumb rikoshet dhe jo i shtënë drejt tij. Sipas mbrojtësit, kjo faktohet nga dëmtimet e shumta që ka predha. Po sipas pretendimeve të mbrojtësit, Llupo kishte qëlluar në ajër në 21 janar dhe jo në drejtim të turmës. Ndërkohë, përfaqësuesi i akuzës, prokurori Gent Xholi, i ka kërkuar gjykatës lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë për Llupon.
EKSPERTIMET
Agim Llupo është i vetmi nga gardistët e lakuar si të “përfshirë” në vrasjet e 21 janarit 2011, kundër të cilit prokuroria zotëron argumente shkencore. “Deri në këtë fazë të hetimit rezulton se janë ekzaminuar dy prej tre predhave të gjendura në trupat e viktimave, konkretisht predhat e gjendur tek viktimat Ziver Veizi dhe Faik Myrta. Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me  nr. 975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se: ‘…predha e gjetur tek viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul ‘244’ dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike ‘244’. Veprimet hetimore të mëtejshme kanë vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim, Agim Llupo, me detyrë shef i shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës’, thuhej në vendimin e 10 shkurtit të Gjykatës së Tiranës. Në të njëjtin vendim, referuar akt-ekspertimeve shkencore, gjykata pohonte dëmtimet e vërejtura në predhën e plumbit. “Është e vërtetë që si nga procesverbali i marrjes së predhës në trupin e viktimës, edhe në aktin e ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr. 975, datë 07.02.2011, konkludohet në mënyrë të pakundërshtueshme fakti që predha ka një dëmtim  të konsiderueshëm në formën e një ulluku”, thuhej në vendim.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura