Vrasja e Rexhepit, autori i dyshuar: Ja alibia ime

Jan 6, 2012 | 12:02

Viktima Ilir Rexhepi, i vrarë në mbrëmjen e 30 dhjetorit

Bledar Muça nis e-mail: Jam në Londër. Do vij në Elbasan për sqarim.

Bledar Muça, i shumëkërkuari nga Policia e Elbasanit pasi dyshohet për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi, jep alibinë e tij për natën e krimit.
Me anë të një mesazhi për gazetarët, të nisur mesditën e djeshme në rrugë elektronike, personi i identifikuar si Bledar Muça ka sqaruar pozicionin në lidhje me shpalljen në kërkim si person i akuzuar për ngjarjen e 30 dhjetorit. Duke marrë shkas nga publikimi i emrit të tij si person i dyshuar për krimin, Muça thotë se këtë shpjegim po e bën për të vënë në vend emrin e familjes së tij. “Dua t’ju informoj mbi atë akuzë që kanë ngritur ndaj meje se veçse është absurde, cenon rëndë dinjitetin tim dhe atë të familjes sime”, deklaron në e-mail personi që pohon se është pikërisht i kërkuari nga Drejtësia. “Kam rreth 48 orë që kam lënë territorin shqiptar dhe kam kaluar nga pika kufitare e Kapshticës, së bashku me bashkëshorten time, për të udhëtuar drejt Belgjikës, aty ku familja ime kaloi festën e ndërrimit të viteve. Kam kaluar si çdo qytetar i kësaj bote, pa asnjë problem dhe duke qëndruar në radhët e gjata të pikës kufitare greke. Unë jam shtetas anglez dhe kam mbërritur në Shqipëri përpara Krishtlindjeve. Festën e Vitit të Ri e kam kaluar në Elbasan, së bashku me time shoqe dhe miq të mi, madje duke qenë gjatë gjithë ditëve deri përpara ikjes sime nga Shqipëria, në bulevardin e qytetit tim dhe pranë të afërmve të mi. Nuk kam pasur asnjë shqetësim gjatë kohës që kam qëndruar në Elbasan, qoftë nga organet policore apo të tjerët”, shkruan Muça. Ai ndalet tek akuza e ngritur në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi, duke thënë se është i gatshëm të përballet në çdo kohë kur të kthehet në Shqipëri, ndonëse si pengesë ai nxjerr lejen që do të marrë nga pronari i tij në Londër. Me anë të mesazhit, Muça kërkoi nga media që të jetë e vëmendshme në akuzën e ngritur ndaj tij, duke theksuar faktin se përmendja e emrit si person i dyshuar për vrasje njollos familjen e tij. Në lidhje me ngjarjen, Muça deklaron se shumë shpejt avokati i tij do të vendosë në dispozicion filmimet e kamerave të sigurisë në momentin kur ka ndodhur vrasja për të cilën ai akuzohet. “Unë kam qenë në shoqërinë e dy miqve të mi në ambientet e një lokali në periferi të qytetit. Më pas kam ardhur në drejtim të qendrës së qytetit pas orës 21:00, çka konfirmon saktë dhe drejtë se ku ndodhesha unë në momentin e ngjarjes për të cilën më akuzon policia”. Në fund të mesazhit, Bledar Muça shpreh besimin në mirëkuptimin e medias, ndërsa uron dhe për Vitin e Ri. E-mail-i i Muçës është shpërndarë në një rreth gazetarësh, duke tentuar që me anë të medias të japë publikisht dhe variantin e tij për ngjarjen.

Polici
Reagimi i Bledar Muçës erdhi një ditë pasi nga burime të Policisë u mësua emri i tij si person i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi në Elbasan. Sipas Policisë, i kërkuari kishte mundur të kalonte lehtësisht në pikën kufitare të Kapshticës mbrëmjen e 3 janarit, ndonëse ishte vënë në listën e personave që duheshin ndaluar. Aktualisht në qeli ndodhet vetëm oficeri i Policisë së Kapshticës, i cili akuzohet për përkrahje të autorit në kërkim.

Hetim mesazhit të të kërkuarit
Policia dhe Prokuroria e Elbasanit janë njohur nga media për këtë mesazh të dërguar nga personi i kërkuar për vrasjen e 41-vjeçarit Ilir Rexhepi, duke nisur hetimet. Ata kanë kërkuar ndihmën e specialistëve për të verifikuar se nga është nisur e-mail-i, ndërsa paraprakisht ka dyshime të forta se dërguesi nuk është vetë Bledar Muça dhe se është nisur nga qyteti i Elbasanit. Megjithatë, nisur nga rëndësia që ka çështja, pasi bëhet fjalë për ekzekutimin e një personi, vëllai i të cilit u vra 3 vjet më parë, hetimet po kryhen intensivisht. Sipas Prokurorisë së rrethit të Elbasanit, Bledar Muça është i dyshuari për ngjarjen, por provat që janë ende në proces verifikimi do të jenë saktësuese për të vërtetuar autorësinë e vrasjes. Ndërkohë që bazuar në e-mail-in e Muçës, pritet që ai të kthehet në Elbasan për t’u përballur me Drejtësinë.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura