
Autori: Nëse nuk do të më japësh përqindjen që dua, do të të vras.
Vrasja e biznesmenit të ndërtimit dy ditë më parë ndodhi në sy të punëtorëve të firmës që menaxhonte viktima. Ata kanë deponuar në polici konfliktin që kishte disa ditë që kishte nisur mes të zotit të tokës dhe pronarit të tyre, Ardian Dervishi, për truallin ku do të ndërtonte një pallat. Sipas punëtorëve, autori Adnand Gori ka folur më parë në telefon me viktimën dhe më pas ka ardhur në zonën ku do të ndërtohej pallati. Më pas ata kanë filluar të replikojnë dhe të debatojnë me zë të lartë duke kaluar në sharje e fyerje të rënda me njëri-tjetrin. “Nëse nuk do të më japësh përqindjen që dua unë, do të të vras. Ti nuk e ha dot djersën time”. Kështu mësohet t’i jetë drejtuar 31-vjeçari viktimës, Ardian Dervishi. Ky i fundit i ka kërkuar të bisedonin qetësisht, duke e sqaruar se aq përqindje i takonte dhe se ai nuk mundej t’i jepte më shumë. “Autori vazhdonte të këmbëngulte se i takonte më tepër dhe se nuk ishte dakord me përqindjen e dhënë më parë. Ai e kërcënonte se do të anulonte ndërtimin e pallatit. Pas debateve të ashpra që zgjatën për disa minuta, ai nxori një armë zjarri pistoletë dhe qëlloi në drejtim të Ardianit. Pasi qëlloi, u largua me shpejtësi. Ne njoftuam policinë dhe e çuam menjëherë të plagosurin në spital”. Kështu janë shprehur në cilësinë e dëshmitarit tre personat që viktima Ardian Dervishi kishte punësuar në një magazinë në të cilën tregtonte tulla ndërtimi. Policia e Vlorës bëri të ditur se është duke hetuar me qëllim

lokalizimin e vendndodhjes së 31-vjeçarit Gori, i cili akuzohet për vrasjen e ndërtuesit. Por me gjithë kërkimet e kryera, ai është ende i lirë. Policia ka kryer edhe dje kontrolle në hyrjet dhe daljet e Vlorës, por nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e të kërkuarit. Blutë e kanë zbardhur tashmë motivin e këtij krimi të rëndë, i cili sipas burimeve zyrtare ka ndodhur për motive pronësie. Viktima do të ndërtonte një pallat në tokën e personit që i mori jetën. Ata kishin nënshkruar të gjitha marrëveshjet me njëri-tjetrin. Por më pas 31-vjeçari ishte penduar duke i kërkuar ndërtuesit një përqindje më të madhe të asaj që i takonte në pallatin që do të ndërtohej. Kjo ka qenë edhe fillesa e mosmarrëveshjeve, pasi 45-vjeçari nuk ka pranuar të rrisë përqindjen e pretenduar nga pronari i tokës ku ai do të ndërtonte. Mësohet se Policia e Vlorës ka shoqëruar edhe dje disa persona, mes të cilëve të afërm të viktimës dhe autorit, miq të të dy palëve, por edhe punëtorët e magazinës që ndodhet në rrugën transballkanike, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të krimit të rëndë. Fillimisht Dervishi mbeti i plagosur rëndë, por rreth pesë orë më vonë, ai gjeti vdekjen në spitalin e Vlorës. Policia e Vlorës bëri të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, në ambientet që ishin në pronësi të viktimës në rrugën transballkanike. Megjithëse viktima u çua në spital, ai ndërroi jetë rreth orës 19:00. Burime spitalore bënë të ditur se ai kishte marrë një plumb në pjesën e kraharorit, çka i shkaktoi edhe vdekjen.
Policia, kontrolle në disa banesa
Policia e Vlorës ka kryer edhe dje kontrolle në disa vende dhe banesa, ku dyshohet të jetë fshehur autori i vrasjes së dy ditëve më parë, Adnand Gori. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke punuar edhe me metoda speciale të hetimit me qëllimin për të lokalizuar vendndodhjen e të kërkuarit. Por deri më tani nuk ka të dhëna për ndonjë operacion të mundshëm për arrestimin e tij. Blutë kanë kryer kontrolle gjatë këtyre dy ditëve edhe të mjeteve që dalin nga qyteti i Vlorës, ndërsa fotografia e të kërkuarit u është shpërndarë edhe komisariateve të afërta me Vlorën.
Përcillet në banesën e fundit 45-vjeçari
Viktima 45 vjeç, Ardian Dervishi, është përcjellë dje për në banesën e fundit nga të afërmit dhe miqtë e tij. Ata kanë kërkuar të kapet autori dhe të vihet para përgjegjësisë ligjore për krimin e rëndë. Ardian Dervishi njihej në Vlorë si biznesmen që merrej kryesisht me shitjen e tullave të ndërtimit. Por së fundmi ai kishte vendosur të ndërtonte një pallat në afërsi të rrugës transballkanike, pikërisht në truallin që kishte në pronësi 31- vjeçari që e ekzekutoi atë me armë zjarri. Mes lotëve e dhimbjes, familja e tij i dha dje lamtumirën. Ndërsa pritet që ata të merren në pyetje nga policia e Vlorës për ngjarjen e rëndë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











