
Katër ekspertë gjenetikë u betuan para Gjykatës së Tiranës për përgjegjësinë dhe ruajtjen e sekretit në kryerjen e analizave të ADN-së për tre familjarë të Lavdërim Tufës, të akuzuarit për vrasjen e Fatmir Ramës, të njohur edhe si “Miri i Xhikes”.Ekspertët do të përgatitin një akt-ekspertim, i cili pritet të paraqitet në procesin gjyqësor ndaj Tufës në Gjykatën e Tiranës në seancën e 15 qershorit të këtij viti. Betimi i ekspertëve dhe marrja e detyrave nga gjykata u bë dy ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se mes ekspertëve ndodhet edhe dr. Grigor Zoraqi, përgjegjës i Qendrës së Kërkimeve Gjenetike pranë maternitetit “Nëna Mbretëreshë”, si edhe prof. Vahe Mokini, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, lënda “Gjenetikë”, si edhe Shef i Departamentit të Gjenetikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në të njëjtën seancë, gjykata pranoi të shtynte jashtë afateve ligjore, atij 2-javor, seancën e radhës për t’u dhënë kohën e mjaftueshme ekspertëve për përgatitjen e aktit. “Kjo shtyrje bëhet jashtë afateve me kërkesë te ekspertëve”, pohonte gjykata në vendimin e ndërmjetëm që shtyu seancën. Kryerja e analizave gjenetike ndaj të afërmve të Tufës është një nga urdhëresat e Gjykatës së Lartë në vendimin që ktheu për rigjykim dosjen e tij për rigjykim në Shkallën e Parë. Ekspertimi gjenetik u shfaq si i nevojshëm, pas dyshimeve se gjurmë të gjetura në vendin e ngjarjes së marsit 2003 në Lundër, mund të ishin të ndonjë prej familjarëve të Tufës. Në seancat e mëparshme, gjykata shtronte si pyetje para ekspertëve që analizuan provat e gjetura pranë vendit të ngjarjes, nëse aty mund të kishte prova të lëna nga të afërm të Tufës. “Për të shikuar nëse këto gjurmë janë lënë ose jo nga familjarë ose të afërt të të pandehurit Lavdërim Tufa, kjo kërkon kryerjen e analizës e ADN të personave përkatës”, u përgjigjën ekspertët. Lavdërim Tufa akuzohet si autor i ngjarjes së 29 marsit 2003 në Lundër të Tiranës, ku në një atentat të armatosur u vra “Miri i Xhikes” dhe dy të tjerë. Dosja në ngarkim të tij ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërsa në maj të vitit 2009 u dërgua për rigjykim në Gjykatën e Tiranës.











