
Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pohoi dje se dy pista po hetohen në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen javën e kaluar në Vlorë.Ndërsa doli para medias për arrestimin e disa të kërkuarve në Itali, Burgaj iu përgjigj interesimit në lidhje me hetimet që po zhvillohen për vrasjen e gjyqtarit 33-vjeçar, që gjeti vdekjen nga shpërthimi i eksplozivit në makinën me të cilën po udhëtonte. Kreu i policisë, Hysni Burgaj, deklaroi dje se janë ngritur dy pista konkrete për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ai tha se po hetohet intensivisht për identifikimin e kapjen e autorëve. Sipas Burgajt, shumë shpejt mund të ketë dhe emra konkretë të ekzekutorëve. “Po hetohet në dy pista. Ka vlerësim maksimal nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mendoj se së shpejti mund të kemi ndonjë emër”, deklaroi Hysni Burgaj, i pyetur nga gazetarët për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Drejtori i Përgjithshëm, edhe pas këmbënguljes së gazetarëve, nuk bëri të ditur se për çfarë pistash bëhej fjalë, por shtoi se po punohej intensivisht për zbulimin e plotë të ngjarjes së ndodhur paraditen e së premtes në Vlorë. Ndërkohë, mësohet se pistat në fjalë kanë të bëjnë me vrasjen për shkak të detyrës dhe atë për shkaqe personale. Pohimi i kreut të Policisë, Hysni Burgaj, në Tiranë duket i njëjtë me deklaratën e pak ditëve më parë nga drejtori i Policisë së Vlorës, Ylli Metko, i cili pohoi se shumë shpejt Policia do të dilte me një emër në lidhje me autorët e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Ndërkohë që zyrtarët e Policisë deklarojnë se kanë pista dhe persona të dyshuar, emrat e të cilëve do të bëhen të ditur shumë shpejt, Prokuroria nuk nxitohet me deklarata. Po ashtu, deklaratat e Policisë ngjajnë më tepër me një taktikë që është ndjekur në vazhdimësi pas ngjarjeve të rënda, që nga rasti i vrasjes së biznesmenëve Florian Vila e Arben Pojani, e duke vazhduar më pas me ish-sekretarin e Komunitetit Mysliman, Selim Muça dhe në fund me ish-deputetin Fatmir Xhindi. Në gjithë këto raste, Policia ka premtuar kapjen e shpejtë të autorëve, por ngjarjet kanë mbetur pa autor edhe sot e kësaj dite. ETLEVA DELIA
Zbardhet kalvari i pronave të Konomit në Durrës

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë, nëpërmjet të cilit familja e Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të ekzekutuar me një shpërthim të telekomanduar të premten në Vlorë, përfitoi të drejtën e pronësinë së dhjetëra hektarëve truall në Hamallaj të Durrësit. Në vendimin e 14 qershorit 2011, paraqitet gjithë beteja ligjore ndër vite e trashëgimtarëve ligjorë të familjes Shallvari, një prej të cilëve ishte edhe gjyqtari Konomi. Sipas vendimit të Gjykatës, “rrjedha” ka nisur nga Miltiadh Shallvari, trashëgimlënësi i truallit. Me anë të një testamenti, Shallvari ia kishte trashëguar pronën e tij bashkëshortes italiane, Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Por, një vendim gjyqësor i 2 marsit 1946, e ka konsideruar të pavlefshëm testamentin e lënë nga Miltiadh Shallvari në favor të bashkëshortes. Më parë, në një kohë që vlefshmëria e testamentit po shqyrtohej në një proces ligjor, në vitin 1940, bashkëshortja e Shallvarit kishte lidhur kontratë me një shoqëri italiane E.I.A.A. Sipas kontratës, ajo i jepte shoqërisë në përdorim truallin për 99 vjet. Në vitin 1945 prona u konfiskua nga shteti, në zbatim të ligjit të atëhershëm “mbi konfiskimin e pasurive të shtetasve italianë dhe gjermanë të ndodhura në Shqipëri”. Pas viteve 1990 trashëgimtarët e Shallvarit, mes të cilëve edhe babai i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, kanë kërkuar njohjen e pronësisë në Zyrat Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Durrës. Fillimisht, më 1 gusht 2007 u ka pranuar atyre kërkesën për njohjen e të drejtës së pronësisë. Një muaj më vonë, Z.R.K.K e Pronave, Durrës, e shfuqizoi vendimin dhe e ktheu dosjen për rishqyrtim. Në dhjetor të vitit 2007, Z.R.K.K e Pronave, Durrës, nuk u njohu trashëgimtarëve të drejtën e pronësisë, me faktin se “këta trashëgimtarë nuk legjitimohen si palë në procesin administrativ, për mangësitë e dala në pjesën përshkruese të vlerësimit ligjor që ndodhet në dosje”. Ky vendim u la në fuqi në vitin 2008 edhe nga Zyra Qendrore e Agjencisë së Kthimit të Pronave, Tiranë. Në vitin 2009, Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës, ka pranuar të drejtën e pronësisë të trashëgimtarëve, vendim që u rrëzua nga Apeli, një vit më vonë. Ndërsa, në qershor të këtij viti, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit dhe la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Nëpërmjet këtij vendimi, familja e gjyqtarit Konomi fitoi të drejtën e pronësisë në zonën e Hamallajt.
TRASHËGIMTARËT
“Në rastin konkret, me të drejtë, Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës, duke bërë një renditje kronologjike të origjinës së pronësisë dhe kalimit të titullit të pronësisë ndër vite mes subjekte të ndryshme, gjithmonë të lidhur në gjini me pronarin e parë Miltiadh Shallvari dhe atin e tij, ka konkluduar se në momentin e shtetëzimit të pronës, ajo (prona) nuk ka pasur asnjë pronar tjetër, përveç pjesëtarëve të familjes Shallvari dhe subjekteve të tjera të lidhur me të. Fakti se akti përkatës i shtetëzimit ka dalë në emër të shoqërisë italiane E.I.I.A., nuk do të thotë se titulli i pronësisë i përkiste kësaj të fundit. Sikundër është provuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, në asnjë rast shoqëria italiane E.I.I.A. nuk ka pasur ndonjë titull pronësie mbi sipërfaqet e pronës së shtetëzuar. Kjo sipërfaqe i është dhënë shoqërisë italiane E.I.I.A. në posedim nëpërmjet një kontrate enfiteoze, kontratë kjo që me të drejtë është konstatuar se, asnjëherë nuk mund të pretendohet të përbëjë titull pronësie”, arsyetohej në vendimin e Gjykatës së Lartë.
“Në cilësinë e pronarit të sendit, me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës, ka evidentuar fillimisht shtetasin Miltiadh Shallvari. Me vdekjen e këtij të fundit, rezultoi se prona i kaloi të vesë së tij, shtetases së huaj Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo, nëpërmjet trashëgimisë testamentare. Ky titull pronësie rezultoi se, në vijim, u bë objekt i goditjes gjyqësore nga subjekte të tjera, që lidheshin në rrugë gjinore me shtetasin Miltiadh Shallvari. Duke qenë se pas shqyrtimit gjyqësor (i nisur në vitin 1934) është marrë një vendim përfundimtar, ai nr.52, datë 02.03.1946, i Gjyqit Civil të Prefekturës së Durrësit, i formuar me Kolegj Arbitrar të Gjykatës së Durrësit, ky i fundit me të drejtë është konsideruar i formës së prerë dhe me fuqi të plotë juridike mbi palët në këtë proces, palë këto që nuk e kishin humbur në asnjë rrethanë pronësinë mbi sendin deri në momentin e shtetëzimit”, vijonte vendimi. ar.ba











