Vrasja e ish-policit, hetim për pronat

May 17, 2011 | 11:03
Vendi ku u gjet i vrarë, Ylli Kalemaj

“Megjithëse hetimet për vrasjen e 46-vjeçarit nga Cakrani, Ylli Kalemaj, janë shtrirë në të gjitha pistat e mundshme të dyshuara, është vështirë të kemi një shkak për ekzekutimin”.Grupi i hetimit në policinë e Fierit ka nisur një punë intensive për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në rrugën në ndërtim Levan-Tepelenë. Në verifikim është kushdo që viktima ka takuar së paku gjatë 30 ditëve të fundit. Hetuesit tregojnë se të përfshirë në listën e personave e marrë në pyetje janë banorë të zonës ku jetonte 46-vjeçari, në Gorrishovë të Fierit, për t’u pyetur rreth pronave të ndara dhe ato publike në këtë territor. Në këtë fshat ka sipërfaqe toke që shfrytëzohen nga banorët, ndonëse janë prona shtetërore të komunës. Po ashtu janë pyetur edhe personat me të cilët Kalemaj ka pasur kontakt këtë muaj jo vetëm ballazi, por dhe ata me të cilët ka shkëmbyer mesazhe dhe telefonata. Nga burimet e policisë pohohet se janë 35 persona të pyetur, megjithatë, ata nuk kanë dhënë informacione që të ndihmojnë çështjen. Po ashtu, paralel me këtë procedurë po kontrollohen të gjitha dosjet dhe ngjarjet e ndodhura në vitet kur Kalemaj ka punuar si polic në Komisariatin e Ballshit. Burimet nga Prokuroria e Fierit pohojnë se, nisur nga rrethanat e krimit, dyshohet se viktima e ka njohur autorin, i cili e ka kontaktuar. Të dy mund të kenë pasur një debat të lënë në mes pa sqaruar dhe sedra për të mos iu shmangur përballjes e ka çuar viktimën drejt vendit të takimit, pikërisht në rrugën në ndërtim e sipër, Levan-Tepelenë. Madje aty mendohet që autorët (mendohet më shumë se një person) dhe viktima të kenë pasur debate të ashpra, deri në konfrontim fizik mes njëri-tjetrit, çka ka sjellë edhe irritimin dhe daljen jashtë kontrollit të autorëve që, nisur nga karikatori i zbrazur, duket se kanë qëlluar me shumë mllef. Ekspertët kanë konstatuar se mes viktimës dhe autorëve ka pasur konfrontim, deri në shkrehjen e armës. Këto, në fakt, janë hipoteza duke parë disa të dhëna nga vendi i ngjarjes, por hetuesit nuk janë në gjendje të japin një shkak konkret. Ata kanë marrë në pyetje edhe familjarët, të cilët kanë deklaruar se asnjëherë biri dhe familjari i tyre nuk ka pasur probleme të asnjë natyre. Madje ata kanë deklaruar se edhe kur ishte polic, ai nuk kishte ndonjë rol të rëndësishëm në detyrë. Ndërkohë, burimet e hetimet tregojnë se në ditët në vijim do të merren në pyetje edhe njëherë kolegët e Kalemajt, për t’i pyetur tashëm nëse mund të ketë pasur ndonjë rast tentative vjedhjeje në vendin e punës ku vitet e fundit 46-vjeçari punonte si roje. Kjo do të jepte një sqarim përsa i përket njërës pistë, asaj të vrasjes, për të siguruar vjedhjen e mjeteve në këtë firmë punuese.

PISTA 1-Vrasja për shkak të detyrave që ka mbajtur 46-vjeçari Ylli Kalemaj vite më parë si punonjës i Komisariatit të Ballshit dhe së fundi si roje i makinerive të firmës që po ndërton rrugën nacionale Levan-Tepelenë.

PISTA 2-Vrasja për shkaqe personale, shkaktuar nga ndonjë konflikt i Kalemajt me banorë të fshatit ku jeton, duke arritur deri në krimin
që i mori jetën atij mbrëmjen e së shtunës. Viktima u gjet vetëm të nesërmen.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura