
Mbetje celulari dhe pluhur magneti janë gjetur në vendin ku ndodhi shpërthimi, që i mori jetën gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.Burime të Policisë së Shtetit thanë se gjyqtari magjistrat u ekzekutua me eksploziv të llojit C4, që është komanduar në distancë me anë të një celulari. Pikërisht mbetjet e këtij celulari që ka aktivizuar shpërthimin janë gjetur në vendin e ngjarjes. Aty hetuesit kanë marrë edhe mostrat e pluhurit të eksplozivit, si dhe disa thërrmija të tjera që kanë rezultuar të jenë magnet dhe që dyshohet se kanë qenë pjesë e mekanizmit të bombës. Sipas të dhënave të hetimit, sasia e lëndës plasëse ka qenë 400-500 gramë. Ky është varianti i përfundimit paraprak që kanë arritur ekspertët kriminalistë dhe ata të Antiterrorit, pasi kanë verifikuar me imtësi makinën me të cilën po lëvizte gjyqtari Skerdilajd Konomi kur ndodhi ngjarja. Burime nga grupi hetimor thanë se në automjet janë gjetur copa, në formë mbetjesh, të një telefoni të dytë celular, që nuk rezulton të jetë i viktimës, si dhe copa të vogla magneti. Sipas të njëjtave burime, këto elemente të gjetura në automjet, tashmë të sekuestruara në cilësinë e provës materiale, tregojnë se eksplozivi i përdorur për ekzekutimin e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, në mes të Vlorës, është i llojit C4. Ekspertët e argumentojnë përfundimin e arritur me mënyrën se si ndërtohet një minë e tillë, si vendoset dhe si shpërthen. Mostrat e gjetura në vendin e ngjarjes janë marrë për ekzaminime, ndërsa hetuesit po punojnë për përcaktimin e markës së telefonit që është përdorur për bombën. Në rast identifikimi të aparatit telefonik me anë të pajisjeve teknologjike, hetuesit mund të gjejnë fakte domethënëse në lidhje me ngjarjen.
Bomba
Sipas tyre, copat e gjetura në vendngjarje i përkasin celularit që është pjesë e bombës. Qarku elektronik i celularit lidhet me kapsollën elektrike, ku është futur më parë eksplozivi plastik i llojit C4, e cila mbahet e lidhur nëpërmjet një magneti që nuk lejon shkëputjen e celularit nga eksplozivi. Mjafton vetëm një telefonatë nga një tjetër celular në atë telefon që është lidhur me minën dhe, në këtë moment, elektriciteti që shkakton rënia e ziles, shkakton detonimin e eksplozivit dhe, për rrjedhojë, shpërthimin e fuqishëm, që varet nga sasia e lëndës eksplozive. Nisur nga përmasat e shpërthimit, ekspertët shpjegojnë se sasia e eksplozivit C4 ka qenë rreth 400-500 gramë, pasi në rast se mund të ishte më shumë se kaq, rrezja e veprimit do ishte më e madhe dhe pasojat do ishin edhe më të rënda. Nisur nga eksperiencat e mëparshme, por edhe mekanizmi i shpërthimit, si dhe nga lloji i minës që dyshohet të ketë vrarë gjyqtarin Konomi, ekspertët kanë arritur në përfundimin se eksplozivi mund të jetë prodhuar dhe blerë në Malin e Zi. Burime nga grupi hetimor thanë se mina me telekomandë e kësaj ngjarjeje është e ngjashme me disa mina, që janë sekuestruar para disa vitesh në Shqipëri dhe që vinin nga Mali i Zi, kundrejt çmimeve nga 2500-5000 euro. Megjithatë, edhe pse mbetjet e gjetura në makinë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shpërthimi i fuqishëm nuk ka lënë në to asnjë gjurmë që mund të shërbente për hetimin.
Pistat
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në dy pista. Versioni i parë dhe i detyrueshëm për verifikim është vrasja për shkak të detyrës ndërkohë; Pista e dytë dhe më e besueshme është vrasja për konflikte personale, konkretisht për konfliktet lidhur me pronat në zonën e Hamallajt dhe Gjirit të Lalëzit. ETLEVA DELIA
Topi në familjen Konomi: Akt mafioz nga krimi i organizuar

Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj dhe anëtarë të kabinetit, ngushëlluan dje personalisht familjen Konomi për humbjen e njeriut të tyre, gjyqtarin Skerdilajd Kono-mi, si pasojë e një atentati me eksploziv në qendër të Vlorës.Kreu i Shtetit, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ngushëlloi familjarët e të ndjerit, ndërsa theksoi se atentati ndaj gjyqtarit Konomi është një akt mafioz dhe shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar. Topi dhe anëtarët e kabinetit të tij mbërritën në Vlorë një ditë pas homazheve të kryera për gjyqtarin nga kryeprokurorja Ina Rama, ministri i Drejtësinë, nënkryetari i KLD-së, deputetë si dhe kolegë të tij. Kreu i shtetit shprehu dhimbjen e madhe për këtë humbje të rëndë, e cila ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe, në mënyrë të veçantë, sistemin gjyqësor.
“Nuk gjej fjalë për t’ju shprehur ngushëllimet e mia, pasi tragjedia është jashtëzakonisht e rëndë. Duke dënuar ashpërsisht këtë akt kriminal e barbar të paprecedent, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj që ta përballoni me forcë këtë moment jashtëzakonisht të vështirë, duke ju siguruar njëkohësisht se Shteti shqiptar dhe të gjitha strukturat përkatëse të zbatimit të ligjit po punojnë intensivisht për zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë”. Kështu u shpreh Presidenti Topi dje në familjen e Skerdilajd Konomit, ku të pranishëm ishin prindërit, gruaja, motra, por dhe të afërm të familjes. Pas vizitës në banesën e viktimës, kreu i shtetit iu përgjigj edhe interesimit të mediave. “Erdha të ngushëlloj nga afër familjen Konomi, e cila realisht po përjeton momente të një dhimbjeje shumë të madhe, pas humbjes në mënyrë shumë tragjike të birit të saj, Skerdilajdit, ashtu sikurse edhe ju e keni përcjellë: nga ky akt mafioz. Çdo vrasje është barbare në vetvete, por mënyra e ekzekutimit të gjyqtarit Konomi është një shembull tipik i veprimit të krimit të organizuar, krim me të cilin shteti dhe punonjësit e tij përballen çdo ditë. Përtej ngushëllimit, natyrisht që unë inkurajoj të gjithë punonjësit e shtetit. Së pari, punonjësit e Policisë, ata të Drejtësisë, qoftë prokurorët, qoftë gjyqtarët, punonjësit e shërbimeve të tjera, të cilët garantojnë jetën e qytetarit, që të vazhdojnë punën e tyre me vetëmohim. Të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë shumë profesionale, në mënyrë që krimi, jo vetëm të luftohet drejtpërdrejtë, por të parandalohet në veprimet e tij”, u shpreh më tej Presidenti Topi. Sipas tij, jeta e gjyqtarëve, e punonjësve të shtetit, por edhe e qytetarit të thjeshtë duhet të jetë e garantuar. “Ju e dini që krime ndodhin kudo. Ndodhin në Shqipëri, ndodhin edhe në vende të tjera të botës demokratike. Kjo është arsyeja që të gjithë janë të angazhuar për të qenë së bashku në luftën kundër krimit dhe terrorizmit ndërkombëtar, i cili nuk ka kufij. Ndodh këtu, ndodh atje dhe unë besoj se gjithë ai solidaritet i shprehur nga kolegët e Skerdilajdit, por edhe nga autoritetet më të larta të shtetit, tregon që ne jemi të gjithë së bashku për të forcuar ligjet e për të forcuar gjithçka që të bëjmë të mundur që jeta e gjyqtarëve, jeta e punonjësve të shtetit, por edhe jeta e qytetarit të thjeshtë të jetë e garantuar”. VLORE/ QEMAL BIRAKU
Pushtetetarët e cilësuan akt terrorist
Ditën e ngjarjes makabre, të premten e 9 shtatorit, kur makina në të cilën udhëtonte gjyqtari Skerdilajd Konomi u hodh në erë, të gjitha palët e cilësuan ngjarjen një akt terrorist. Sipas tyre, atentati lidhej me detyrën si gjyqtar i Konomit. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, kërkoi dy ditë më parë mbledhjen urgjente të KLD-së për të analizuar krimin që i mori jetën gjyqtarit magjistrat, Skerdilajd Konomi.
Gazetari Arjan Konomi: vrasja, leksion i mafies, të kapen autorët

VLORE – Kushëriri i gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi, Arjan Konomi, ka deklaruar se krimi ndaj 33-vjeçarit erdhi pas disa javësh nga momenti që ai fitoi pronat e trashëguara në bregdetin e Durrësit. Ai është i vetmi që ka takuar përfaqësuesit e medias, duke shprehur dhe dyshimet e tij mbi këtë ngjarje. “Dua të flas jo vetëm si kushëri i Skerdilajdit, si njeri që përjetova dhimbjet bashkë me familjarët e tij më të afërt, por edhe si gazetar. Nuk jam ekspert i çështjeve, janë institucione të tjera që mund të merren me këtë gjë, por këtu ka dy arsye që mund të flitet. Është ajo për shkak të detyrës apo për shkak të pronave, duke qenë se Skerdilajd Konomi ishte trashëgimtar i madh pronash, qoftë në Vlorë, qoftë edhe në zonën e Durrësit”, u shpreh Konomi. Ai shton se, “në qoftë se do të ishte për arsye detyre, me ato që na rezultojnë ne si familjarë dhe unë që e kisha jo vetëm kushëri, por edhe shok, ai ishte një djalë shumë korrekt, shumë i drejtë, jo vetëm si person, por edhe në profesionin e tij”. Ashtu siç deklaroi një ditë më parë në gazetën “Panorama”, Konomi tha dhe dje se “ky ishte një leksion që mafia, krimi i organizuar t’i jepnin sistemit gjyqësor. Që: O bëni si themi ne, o ne nuk pyesim as për gjyqtarë”. Sipas kushëririt të viktimës, ai nuk ka arritur të mësojë për kërcënime ndaj Skerdilajdit, por ka pasur dijeni që ai ka pasur një gjyq shumë të madh, të cilin e fitoi në Gjykatën e Lartë, disa javë më parë. Në emër të familjes, gazetari Konomi i ka bërë thirrje strukturave shtetërore për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen e paprecedentë.
Hetimet për vrasjen, numër i madh përgjimesh
Tirane – Ndërkohë që grupi kryesor i hetimit për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi është vendosur në Vlorë, në ndihmë të tij po punojnë edhe hetues e prokurorë si dhe oficerë të Policisë Gjyqësore nga Tirana. Një numër i konsiderueshëm personash mësohet se janë vënë në përgjim telefonik vetëm pak orë pas vrasjes së gjyqtarit Skedrilajd Konomi, javën e kaluar në Vlorë. Sipas burimeve nga hetimi, Shërbimi Informativ Shtetëror është angazhuar dukshëm në hetimin e ngjarjes me anë të mbledhjes së informacioneve operative. Shefi i SHISH, prokurorja e Përgjithshme dhe kreu i Policisë ishin tre zyrtarët që u thirrën në raport nga Presidenti Topi, menjëherë pas vrasjes së gjyqtarit. Me kërkesë të grupit të hetimit, Prokuroria dhe SHISH mësohet se kanë vënë në përgjim një numër të madh personash, të cilët po mbahen në mbikëqyrje për të zbuluar nëse kanë lidhje me atentatin me bombë, ku gjeti vdekjen gjyqtari magjistrat i Vlorës. Përcaktimi i personave që mbahen në përgjim është ndihmuar që në ditën e parë të ngjarjes, pasi në mënyrë të shpejtë hetuesit morën informacion për konfliktin e gjyqtarit për çështje pronësie në Durrës.
Atentati gjyqtarit, 25 persona në polici
TIRANE – Një numër prej 25 personash janë marrë në pyetje nga grupi hetimor i Krimeve të Rënda, në lidhje me atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Dy prokurorë dhe një oficer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si dhe një grup special hetimi nga Policia mësohet se kanë marrë në pyetje 25 persona gjatë ditëve të fundit, në lidhje me vrasjen e gjyqtarit 33-vjeçar. Një numër i konsiderueshëm personash, që janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje, janë shtetas që bëjnë pjesë në rrethin familjar dhe shoqëror të gjyqtarit, i cili humbi jetën nga shpërthimi në makinë. Miqtë dhe familjarët e gjyqtarit mësohet se nuk kanë treguar ndonjë detaj apo informacion të veçantë në lidhje me shkakun e ngjarjes. Ata janë pyetur për çështjet që kanë të bëjnë me detyrën e gjyqtarit si dhe me proceset gjyqësore për pronat në të cilat ishte angazhuar Skerdilajd Konomi. Dy ditë më parë, një i afërm i gjyqtarit, konkretisht daja i tij, ka pohuar se Konomi ka pasur disa probleme sa u përket pronave të trashëguara në Hamallaj dhe në Gjirin e Lalëzit. Mësohet se Policia dhe Prokuroria po hetojnë në këtë pistë.
© Panorama.al











