Vrasja e Gent Gashit, pas pesë ditësh asnjë i dyshuar për krimin

Nov 16, 2011 | 8:51

Policia dhe Prokuroria e qytetit bregdetar të Durrësit nuk kanë asnjë të dyshuar për vrasjen e pronarit të lokalit “Rock & Roll”, si dhe të kompanisë private për ashensorë dhe shkallë lëvizëse. Vrasja mafioze e biznesmenit tiranas, 35-vjeçarit Gentian Zguri (Gashi), mbetet mister. Me gjithë hetimet e bëra dhe deklarimet e dëshmitarëve, ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorëve të krimit të ndodhur ditën e shtunë. Vrasja e biznesmenit është konsideruar nga hetuesit që janë ngarkuar zbardhjen e saj si mjaft e vështirë. Burime nga grupi hetimor mësohet se për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë angazhuar një numër i madh agjentësh të Policisë Kriminale. Duke qenë se viktima që pas vitit 1997 ka qenë një personazh shumë i njohur nga policia kjo ka bërë që dhe ajo të mos ketë një pistë kryesore për të hetuar. Mësohet se për zbardhjen e kësaj vrasjeje mafioze Policia dhe Prokuroria e qytetit bregdetar po hetojnë në disa pista, ndërsa deri tani më shumë rëndësi i kanë dhënë asaj që biznesmeni mund të jetë ekzekutuar për larje hesapesh. Por jo më pak rëndësi u është dhënë edhe pistave të tjera, siç janë ajo e hakmarrjes, aktivitetin e tij të përditshëm, aktivitetin e tij gjatë viteve që ka qëndruar në Itali apo edhe pistës se 35-vjeçari mund të jetë hequr qafe për çështje pronësie. Efektivat blu dhe prokuroria po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si dhe identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit. Por, ndonëse kanë kaluar pesë ditë nga ekzekutimi i biznesmenit tiranas Gentian Zguri (Gashi), policia, ndonëse ka shoqëruar në komisariat më shumë se 25 persona, nuk ka asnjë të dyshuar. Personazhi i njohur në fushën e biznesit, por edhe për policinë, Gentian Gashi, me mbiemër të ndryshuar, mbeti i vrarë në një nga trotuaret e qytetit të Durrësit mesditën e 12 nëntorit.

© Panorama.al

Te lidhura