
DURRES- Policia e Durrësit tha sot se emigranti, Fatbardh Hysi i cili u gjet i pajetë ditë më parë në zonën e ish Kënetës në Durrës, dyshohet se është vrarë nga një i afërm i tij.
Sipas policisë, dyshohet se ka qenë nipi 16- vjeçar i viktimës që ka kryer vrasjen.
Ai është identifikuar me inicialet, A.H. Shkak për vrasjen mësohet se është bërë një shumë prej 3000 eurosh që adoleshenti i kishte gabitur në shtëpi viktimës.
Policia ka shpjeguar se Hysi dhe autori i vrasjes kishin lënë një takim me qëllim marrjen e parave, takim që duket se ka rezultuar një mashtrim pasi në këtë moment 16- vjeçari ka qëlluar për vdekje me thikë Fatbardh Hysin.
Fatbardh Hysi, 34 vjeç, banues në lagjen Nr.14 të qytetit bregdetar u gjet nga banorët e zonës, të cilët më pas sinjalizuan policinë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima kishte marrë plagë të rënda të shkaktuara nga një thikë dhe me mjete të forta. Dyshohet se fillimisht 34- vjeçari është rrahur nga autorët dhe më pas është goditur me levë në kokë e trup, si dhe me thikë.
Sipas denoncimit të familjarëve, ditën e enjte, djali i tyre, Farbardhi, ishte kthyer nga Greqia për të kaluar festat e fundvitit në familjen e tij. Por, rreth 2 orë pas mbërritjes, ai kishte marrë një telefonatë nga persona të paidentifikuar.
© Panorama.al











