Vrasja e efektivit Enea Mekolli, kryepolici Skënder Hita bën homazhe, lë shënim në librin e kujtimeve!

Jun 5, 2026 | 11:30

Ndërsa po zhvillohen homazhet në Pogradec për policin e rënë në krye të detyrës, dëshmorin Enea Mekolli, gjatë aksionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, qindra qytetarë, të afërm, miq, kolegë dhe drejtues të institucionit blu i janë bashkuar ngushëllimeve dhe nderimit për efektivin.

skender hita

Mes tyre ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe zv/kryeministrja Albana Koçiu.

Teksa nderoi me homazhe të rënin në krye të detyrës, Enea Mekolli, ai la edhe një shënim në librin e kujtimeve pranë portretit të efektivit dëshmor.

hita homazhe2

Hita më pas ngushëlloi edhe familjarët e të ndjerit në hollin ku mbaheshin homazhet si dhe i dha lamtumirën e fundit policit dëshmor.

skender hita homazhe

Mekolli mbeti i vrarë nga plumbat e derdhur prej të dënuarit në kërkim Braçellari, gjatë aksionit në Lozhan të Maliqit dje (4 qershor). Kurse i plagosur mbeti efektivi tjetër Edison Adri.

hota2

Kurse autori Braçellari gjithashtu mori tre plumba dhe të dy po trajtohen nga mjekët në Tiranë.

hita homazhe

ZV/kryeministrja Koçiu pas homazheve: Ngjarje shumë e rëndë, ditë reflektimi për të gjithë!

Zv/kryeministrja Albana Koçiu gjithashtu mori pjesë në homazhe dhe pas ngushëllimeve ajo bëri edhe një deklaratë për mediat.

albana kociu

“Në fakt, humbja e jetës së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli është një ngjarje shumë e rëndë, ashtu siç është i rëndë çdo incident që kryhet në funksion të ushtrimit të detyrës, e mbi të gjitha të një detyre kaq fisnike sa mbrojtja, garantimi dhe siguria e rendit publik. Ngushëllime të gjithë familjarëve, ngushëllime kolegëve të tij, ngushëllime trupës së punonjësve të Policisë së Shtetit. Është një nga ato ngjarje të cilat na bëjnë të reflektojmë thellë mbi sakrificën dhe mbi përgjegjësinë që ushtrimi i kësaj detyre mbart, duke përfshirë aty edhe të gjithë ngarkesën që familjarët, miqtë, kolegët kanë në momente të tilla për çdo punonjës edhe efektiv të Policisë së Shtetit. Ngushëllime të gjithëve, sepse në fakt në këtë ditë është një reflektim për të gjithë shoqërinë për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna tek sjellja qytetare dhe patjetër pastaj edhe tek përgjegjësia përpara ligjit”, tha ajo.

albana kociu2

albana kociu3

albana kociu4

© Panorama.al

Te lidhura