Vrasja e dëshmitarit të drejtësisë, lirohet i dyshuari

Sep 12, 2011 | 12:59
Vendi ku ndodhi vrasja e Aleksandër Koliçit

Gjykata e Tiranës shfuqizoi dje masën e sigurisë “arrest me burg, me afat” për shtetasin Bledar Balliu, i hetuar nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e vrasjes së shtetasit Aleksandër Koliçi, dëshmitar i Drejtësisë.Në një seancë gjyqësore në mesditën e djeshme, gjykata deklaroi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për të dyshuarin Bledar Balliu, i arrestuar në muajin korrik të këtij viti, pas ekzekutimit me armë të Aleksandër Koliçit, më 15 korrik 2011. Në dy vendime të mëparshme, njëri më 18 korrik dhe tjetri në fillim të gushtit, Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg, me afat”, një herë 40 ditë e më pas 15 ditë, për të dyshuarin rreth akuzës për vrasje. Ditën e djeshme, gjykata ka vendosur të mos shtyjë më afatin e mbajtjes në burg të 34-vjeçarit, që ndryshe njihet edhe me emrin Arif Shehu. Për rrjedhojë, me vendim të gjykatës, i dyshuari për vrasjen ka lënë qelitë e paraburgimit dhe tashmë ka detyrimin të paraqitet në policinë gjyqësore, siç urdhëruan togat e zeza, një herë në javë. Burime të Gjykatës së Tiranës thanë se në përfundim të afatit të vendosur për masën e sigurisë “arrest me burg”, ditën e djeshme ka qenë prokurori Shpëtim Kurti që ka kërkuar vazhdimin e hetimeve në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës thanë dje se një muaj më parë prokurorisë i ishin lënë disa detyra në lidhje me provimin e akuzës së ngritur, por dje, në seancë, trupi gjykues i gjeti të parealizuara detyrat në fjalë.
Hetimi
Kontradiktat pas dëshmisë së Aleksandër Koliçit në procesin gjyqësor “Poter Al”, sipas Policisë e bënë Bledar Balliun të dyshuarin kryesor për vrasjen e dëshmitarit të gjykatës. Koliçi, ashtu si Balliu, ranë në pranga në vitin 2006, në të njëjtin operacion policor dhe u akuzuan se kishin trafikuar drogë së bashku. Procesi gjyqësor ndaj tyre ishte i përbashkët, ndërsa Balliu e Koliçi pretendohet se kanë pasur kontradikta të forta në paraburgim, pasi viktima e vrasjes së 15 korrikut 2011 dha shpjegime në gjykatë. Përveç këtij konflikti, sipas akuzës, Bledar Balliu ka pretenduar se në momentin e ngjarjes ka qenë duke pirë kafe në një lokal në zonën ku u vra viktima. Sipas alibisë së tij, ai ka lëvizur vetëm për 5 minuta për të blerë një kartë rimbushëse telefonike. Por sipas akuzës, nga deklarimet e marra nga punonjës të lokalit ka rezultuar se koha e largimit të Balliut nga lokali ka qenë rreth 20-25 minuta (më shumë nga sa pohon i hetuari). Po sipas akuzës, shitësi i dyqanit pranë lokalit nuk ka konfirmuar versionin e Balliut për blerjen e një karte rimbushëse. Shitësi, që pretendohet se e njeh Balliun, nuk ka pohuar shitjen e paketës atë natë. Në fund, sipas akuzës, në banesën e Bledar Balliut, është bllokuar një bluzë, ku thuhet se ndodhen elemente plotësuese, gjurmë kimike, të ardhura nga qitja me armë. Lënda në fjalë është barut dhe, sipas ligjit e procedurave, duhet të analizohet dhe më pas të përputhet me armën apo gjurmët e barutit që janë gjetur në trupin e viktimës.

Deshmitari

Pas arrestimit në vitin 2006 me akuzat e trafikut të drogës, Aleksandër Koliçi dhe Bledar Balliu janë gjykuar bashkërisht. Në proces, Koliçi ka dhënë shpjegime për gjykatën dhe ka përfituar përgjysmimin e dënimit (4 vjet burg), kurse Balliu është dënuar me tetë vjet burg. Dëshmia e Koliçit para gjykatës dyshohet se ka qenë shkak i konfliktit.

© Panorama.al

Te lidhura