FIER- Policia e Fierit ka bërë ndalimin e një shtetasi, të dyshuar për vrasjen e biznesmenit, vetëm pak ditë më parë në lagjen “11 janari” të këtij qyteti.
Sipas të dhënave të para, mësohet se në pranga është vënë shtetasi Agim Hyka, që dyshohet se është autori i vrasjes së Spartak Spahos.
Ndalimi i tij, duket se ka ardhur pas hetimeve për vrasjen, e cila mendohet se ka qenë për një hakmarrje të vjetër mes autorit dhe viktimës.
Ngjarja
Viktima u qëllua nga një distancë e afërt me armë automatike teksa ishte duke ecur në bulevardin kryesor të qytetit. Personat qëlluan me breshëri teksa makina e tyre ishte në ecje, në vendin e quajtur ish-hotel “Vjosa”. Mësohet se në trupin e 40-vjeçarit janë zbrazur 14 plumba që e lanë të vdekur në vend. Ndërsa u plagosën edhe dy kalimtarë, shtetasit Leonard Toli dhe Dritan Yzeiri.
Në momentin e vrasjes, vendi i ngjarjes ka qenë mjaft i populluar, pasi në këtë orë qytetarët bëjnë xhiron e mbrëmjes. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se breshëria e armës shkaktoi panik e ulërima në vend, ndërsa ata panë viktimën që ra në mes të pellgut me gjak i pajetë, si dhe dy të plagosurit e tjerë të përgjakur që kërkuan ndihmë. Dëshmitarët deponuan në polici se viktima po kalonte i vetëm në rrugë. Një automjet me ngjyrë të zezë (i papërcaktuar ende tipi i mjetit), brenda të cilit mendohet se kanë qenë dy vetë, ka qëlluar me breshëri në drejtim të objektivit.
Duke shfrytëzuar situatën e krijuar në vend, automjeti me autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës “Aulona”, rrugë që lidh Fierin me qytetin e Vlorës. Mësohet se Dritan Yzeiri, 25 vjeç, ka marrë dy plumba në shpatull dhe në parakrah. Ndërsa i plagosuri tjetër, Leonard Toli, është plagosur me plumba në të dyja këmbët.
© Panorama.al











