
ELBASAN – Gjykata e Elbasanit vendos masën e sigurisë “burg pa afat” për kontrollorin e Kapshticës, i cili akuzohet se kaloi pa asnjë problem të kërkuarin e dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi. Vendimi nga trupi gjykues për 45-vjeçarin nga Pogradeci, Ardian Çekiçi, u mor dje. Më datë 4 janar, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi në flagrancë Çekiçin, me akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, si edhe “përkrahje të autorit të krimit”. Arrestimi i tij u bë 3 orë pasi nga Kapshtica doli i kërkuari Bledar Muçaj, i cili dyshohet se ka gisht në vrasjen e Rexhepit mbrëmjen e 30 dhjetorit në Elbasan. Ndonëse ishin lajmëruar të gjitha pikat kufitare, Muça mundi të kalonte drejt Greqisë. Nëpërmjet një e-maili ai dha alibinë e tij për natën e krimit, por ndonëse pretendonte se ishte në Londër, prokuroria ka zbardhur faktin se mesazhi ishte nisur nga Shqipëria. m.s











