Vrasja e Anuar Rizik për biznes, bie pista e pronës

Jun 12, 2012 | 15:14
Anuar Rizik i vrarë në Tiranë

Konfliktet në biznes janë pista kryesore në të cilën Prokuroria e Tiranës është duke e hetuar vrasjen e zv.drejtorit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, shtetasit palestinez Anuar Fuad Rizik. Ai, më 9 maj 2012, u ekzekutua me një bombë të vendosur në portën e banesës së tij pranë Qytetit Studenti në Tiranë. Burime të Prokurorisë kanë thënë dje se hetimi është përqendruar vetëm në pistën e vrasjes për konflikte në biznes. Sipas hetuesve, nga shqyrtimi i provave dhe dëshmive të mbledhura deri tani nga policia dhe grupi i hetimit, nuk ka fakte dhe elemente që lidhin vrasjen me shkaqe të tjera, veç konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në biznes. “Anuar Rizik ishte një nga personat kyç në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Ndonëse ky subjekt ka një konflikt pronësie me banorët, Rizik nuk del i përfshirë direkt këtu, ai nuk ishte pronari i fabrikës, por zv.administrator i saj”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, puna e bërë pas vrasjes së shtetasit palestinez me hetimin e banorëve të zonës ka qenë voluminoze. “Të gjithë personat që kanë pasur konflikte apo pretendime pronësie për truallin ku është vendosur fabrika janë marrë në pyetje 2-3 herë pas ngjarjes. Janë kryer hetime me metoda speciale ndaj tyre, por nuk kanë dalë në dritë prova apo elemente që t’i lidhin ata me vrasjen”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, krahas kësaj mungese të provave dhe fakteve për problemet e pronësisë me banorët e zonës, hetimi ka gjetur “përplasje të forta biznesi”. “Vetëm kaq mund të thuhet”, pohuan dje burimet nga Prokuroria. Sipas të dhënave jozyrtare në dosjen e vrasjes së Rizik, ka dëshmi nga të afërm të tij që pohojnë presionet e vazhdueshme dhe madje kërcënimet që ai ka pasur “për shkak të biznesit”.
Vrasja për biznes
Për shkak të incidenteve me eksploziv të ndodhura vazhdimisht pranë fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, menjëherë pas vrasjes së Anuar Rizik, policia shoqëroi mbi 20 persona nga kjo zonë me dyshimin se ata kishin gisht në ekzekutimin e Anuar Rizik. Veprimet hetimore në Fushë-Krujë ndaj banorëve të zonës vazhduan edhe disa ditë më parë, por nuk u gjetën prova që ndonjë nga banorët të kishte gisht në vrasje. Dy prej banorëve, në dy raste ishin dënuar për disa mesazhe kërcënuese të dërguara në adresë të drejtuesve të fabrikës, por ata u morën në pyetje dhe thanë se gjithçka e kishin bërë “për presion” që të zgjidhej çështja e pronësisë. Gjatë veprimeve hetimore, Policia dhe Prokuroria arritën të gjen të indicie të mjaftueshme për të ngritur pistën e hetimit për konfliktet e biznesit. “Aktualisht dosja është deleguar në Polici për kryerjen e disa veprimeve hetimore. Pista e vetme e hetimit është për konfliktet në biznes”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre ka pasur disa rezultate konkrete në këtë pistë. Pak ditë më parë, në Policinë e Tiranës u mor në pyetje Carls Buori, një nga pronarët e fabrikës.

Viktima, personalitet në Palestinë
Anuar Fuad Rizik, shtetasi i vrarë me bombë në Tiranë më 9 maj, jetonte në Shqipëri që nga viti 2003. Ai ishte një biznesmen i njohur në Tiranë, por kishte edhe një të shkuar të rëndësishme në vendin e tij në Palestinë. Babai i tij atje kishte qenë kryetar i një partie politike dhe Anuar Fuad Rizik njihej në Palestinë edhe si veprimtar politik, përveç aktivitetit të tij në biznes. Pista e vrasjes për shkaqe politike është përjashtuar.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura