SHKODER – Arrest me burg është vendimi i Gjykatës së Shkodrës ndaj dy të arrestuarve për vrasjen e 77-vjeçarit Sulejman Velaj. Kushëriri i viktimës, Myslim Velaj, 55 vjeç dhe nipi i tij 21-vjeçar, Fatos Lushaj, janë paraqitur dje në seancën e masës së sigurisë për krimin. Në këtë seancë u mësua se autori i krimit është 21-vjeçari Fatos Lushaj, i cili është shtyrë për ta kryer këtë krim nga ana e Myslim Velajt. Sipas provave të paraqitura nga ana e organit të akuzës, është mësuar se Myslim Velaj prej kohësh kishte konflikte me kushëririn e tij, viktimën Sulejman Velaj. Duke qenë se ata ishin kushërinj dhe ishte e pamundur që ai ta vriste vetë, Myslimi ka shtyrë që të kryejë vrasjen e 77-vjeçarit pikërisht djalin e motrës së tij. Pas këtij rrëfimi në Gjykatë, dy të akuzuarit kanë paraqitur pendesën e tyre mbi krimin e kryer, duke u justifikuar se një veprim të tillë e kanë bërë në gjaknxehtësi e sipër. Pasi janë dëgjuar faktet e prokurorisë së Shkodrës, ku është bërë e ditur se autori i vërtetë i vrasjes është 21-vjeçari Lushaj, ky i fundit i shtyrë nga 50-vjeçari Veliaj, avokati i këtij të fundit ka kërkuar që ndaj tij të jepet masa e sigurisë arrest shtëpie. Një kërkesë e tillë nga ana e avokatit të Velajt është dhënë me pretendimin se Myslim Velaj është kryefamiljar dhe se me punën e tij jeton e gjithë familja. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata, e cila vendosi masën e sigurisë arrest me burg për të dy.











