Vrasja e 15-vjeçarit në Durrës, Klodiana Lala: Sherri me thika pas konfliktit në TikTok! Një familjare më dërgoi foto vërtet të dhimbshme

Dec 5, 2025 | 22:37

Ngjarja e rëndë në Durrës, ku 15-vjeçari Erion Boba humbi jetën pasi u godit me thikë nga një tjetër i mitur, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si u trajtua i mituri në spital. Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar këtë të diel në emisionin “Kjo Javë” në News24, analizoi të gjithë zinxhirin e ngjarjeve dhe përgjegjësitë institucionale.

lala

Lala e përshkroi situatën si “shumë të rëndë dhe të dhimbshme”, ndërsa kujtoi se fillimisht ishte raportuar se Erioni kishte mbetur i plagosur në një konflikt mes dy të miturve, i cili dyshohet se nisi pas një debati në TikTok. Sipas saj, spitali i Durrësit kishte njoftuar se ndërhyrja kirurgjikale ishte kryer me sukses, por gjendja e djalit u përkeqësua deri në atë pikë sa u transferua me urgjencë në QSUT.

Gazetarja rrëfeu edhe momentin kur një familjare e viktimës i kishte kërkuar ndihmë. “Më tha se djali kishte nevojë për trajtim të specializuar dhe se familja nuk dinte çfarë të bënte. Më dërgoi një foto tepër të dhimbshme, thuajse momentet e fundit të jetës së tij,” u shpreh Lala, duke theksuar se familja nga Bulqiza kishte ardhur në Durrës për një jetë më të mirë, por tani përballej me një humbje tragjike.

Teksa përpiqej të gjente mënyra për të orientuar familjarët, Lala mori lajmin e hidhur të vdekjes së Erionit. “Ndërsa po kërkoja mënyra për të ndihmuar, më njoftuan se Erioni kishte ndërruar jetë,” tregoi ajo. Gazetarja shtoi se, sipas hallës së të miturit, familjarët kishin kërkuar urgjentisht ndihmë mjekësore, por nuk morën përgjigjen e duhur në kohë.

© Panorama.al

Te lidhura