
Konkluzionet shkencore mbi përputhshmërinë e ADN-së së të pandehurit Lavdërim Tufa me disa njolla gjaku të gjetura në një kapuç pranë vendit ku u vra biznesmeni Fatmir Rama (Miri i Xhikes) në vitin 2003, u ridiskutuan dje në Gjykatën e Tiranës.Në seancën e radhës në ngarkim të Tufës, i akuzuari për këtë ngjarje, trupa gjykuese administroi përgjigjet e katër ekspertëve gjenetistë për pyetjet e palëve mbi analizat e ADN-së së Tufës. I pranishëm në seancën ku u interpretuan konkluzionet e akt-ekspertimeve, të cilat mund t’i japin pafajësinë Tufës, ishte i pranishëm edhe vetë i pandehuri, i cili kishte munguar prej disa seancash. Para gjykatës ekspertët pohuan se u qëndronin konkluzioneve të tyre të paraqitura në seancat e mëparshme të këtij procesi. Në seancat e mëparshme, në konkluzionet e tyre tre nga ekspertët e thirrur nga gjykata, Prof. dr. Vahe Mokini, Prof. as.dr. Grigor Zoraqi dhe Msc. Ervin Marku kanë pohuar se mbetjet e ADN-së të gjetura në një kapuç pranë vendit të ngjarjes, nuk përputhen me ADN-në e të akuzuarit Tufa. Sipas tyre, probabiliteti i përputhshmërisë duhet të ishte mbi 99.99 për qind, kusht që nuk plotësohej në rastin e Tufës. Në kundërshtim me këtë konkluzion ka qenë ekspertja Msc. Ela Zaimi, sipas së cilës, profili gjenetik i Tufës nuk mund të përjashtohej nga profili miks gjak-pështymë i gjetur në vendngjarje. Dje ekspertët sqaruan se në vende të ndryshme, referuar karakteristikave gjenetike të popullsive, kufiri në përqindje që duhet të kalohet për t’i quajtur dy profile gjenetike të njëjta, është i ndryshëm. Ky fakt u përmend referuar përputhshmërisë 90.4 për qind, të konkluduar në vitin 2003 nga eksperti italian, Renato Biondo. Sipas ekspertit italian, “nuk mund të përjashtohej prania e aleleve të profilit të Lavdërim Tufës në përzierjen gjak-pështymë”. “Në Europë, përputhshmëria për të akuzuar një person është në kufirin mbi 99,972 për qind. Ndërsa FBI-ja e ka kufirin në masën 99,99 për qind. Pra, për të quajtur dy profile gjenetike të njëjta përputhshmëria duhet të jetë më shumë se kaq”, sqaroi para gjykatës profesori Vahe Mokini. Më herët, ekspertët paraqitën para gjykatës dy akt-ekspertime të analizave krahasuese të njollave të gjakut të gjetura pranë vendngjarjes me ADN-në e familjarëve të të pandehurit Tufa. Kjo, në zbatim të një detyre të lënë nga Gjykata e Lartë në vendimin që ktheu dosjen e Tufës në rigjykim. Në një zë, të katër ekspertët kishin mbërritur në konkluzionin që gjurma gjak pështymë e gjetur pranë vendit të ngjarjes nuk është lënë nga asnjëri prej tre familjarëve të Tufës, ADN-ja e të cilëve ishte krahasuar.
VRASJA
Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë, ngjarja për të cilën akuzohet Tufa ka ndodhur më 29 mars të vitit 2003, te kompleksi “Kartodrom”, në zonën e Lundrës. Mbrëmjen e kësaj dite, Fatmir Rama, i njohur si Miri i Xhikes, ishte nën shoqërinë e katër personave të tjerë në një nga tavolinat e kompleksit. Në këtë kohë, një breshëri arme zjarri është “derdhur” mbi këtë tavolinë. Për pasojë, u vranë tre persona, mes të cilëve edhe Fatmir Rama.
Ekspertët, tre me një
Analiza gjenetike krahasuese e ADN-së së Lavdërim Tufës dhe një njolle gjak-pështymë të gjendur në një kapuç pranë vendit të ngjarjes, i ndau në dy grupe, me konkluzione të ndryshme, ekspertët e përcaktuar nga gjykata. Tre prej tyre arritën në përfundimin se mbetjet e ADN-së nuk përputhen me ADN-në e të akuzuarit Tufa. Ndërsa eksperti i katërt pohonte në përfundim se, “nuk mund të përjashtonte praninë e ADN-së së Tufës në njollën e gjakut të gjetur pranë vendngjarjes”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











