Vrasja, dyshohet për një femër

Dec 26, 2011 | 11:24

Viktima Fatbardh Hysi

Hetohet konflikti i 34-vjeçarit për një lidhje jashtëmartesore.

Policia e Durrësit nuk ka ende një pistë zyrtare në lidhje me masakrimin e një emigranti ditën kur u kthye për festa nga Greqia, më 22 dhjetor. Deri më tani janë shoqëruar 20 persona që janë marrë në pyetje si të dyshuar që mund të kenë lidhje apo dijeni për krimin e rëndë, por ata janë lënë të lirë pasi nuk ka prova për t’i adresuar asnjërit prej tyre akuzën e vrasjes. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar në disa pista për vrasjen e 34-vjeçarit Fatbardh Hysi. Por, burime kofidenciale nga grupi i hetimit bënë të ditur se një ndër dyshimet për ngjarjen e rëndë ka të bëjë me një konflikt të dyshuar të viktimës për shkaqe xhelozie. Të njëjtat burime bënë të ditur se nga hetimet e kryera, dyshohet se 34-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ka pasur një konflikt të hershëm për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore. Mësohet se grupi hetimor është përqendruar veç kësaj, edhe në disa pista të tjera. Një prej tyre është edhe veprimtaria e viktimës në shtetin ku jetonte, në Greqi, si dhe konflikte të mundshme që mund të ketë pasur atje. Gjithashtu, nuk përjashtohen as konflikte të tjera të hapura që mund të ketë pasur ai apo familja e tij, si në Durrës ku jetonin prej shumë vitesh, ashtu edhe në Dibër nga kanë origjinën. Policia bëri të ditur se është afër zbardhjes dhe se mund të jetë çështje orësh arrestimi i autorëve. Dyshohet se në vrasjen e 34-vjeçarit, babait të dy fëmijëve të vegjël, mund të kenë marrë pjesë më shumë se dy persona. Sipas Policisë, në vendin ku ndodhi ngjarja janë gjetur prova të shumta materiale, të cilat mund të çojnë në identifikimin e autorëve të vrasjes së Hysës. Një numër i madh oficerësh janë ngarkuar për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa vendi në të cilën ka ndodhur krimi është bllokuar me qëllim mbledhjen e të gjitha provave të mundshme materiale. Mësohet se provat e mbledhura në vendin e ngjarjes janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore. Një ndër provat që mund të çojnë në identifikimin e personave që masakruan emigrantin janë edhe gjurmët e gishtërinjve, të cilat janë çuar për krahasim në laboratorin shkencor. Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e 34-vjeçarit Fatbardh Hysi, i cili kishte mbërritur pranë familjareve për të kaluar

Policia në vendin ku u gjet i masakruar emigranti

festat e fundvitit më 22 dhjetor. Rreth dy orë pas mbërritjes, familjarët kanë deponuar se një telefonatë nga një mik e kishte nxjerrë djalin nga shtëpia. Ai u kishte thënë se nuk do të vonohej, por nuk u kthye më. Fatbardh Hysi, babai i dy fëmijëve, ishte emigrant në Greqi prej nëntë vitesh. Ekspertet e Kriminalistikës thanë se plaga në shpinën e viktimës është shkaktuar vetëm nga një goditje me armë të ftohtë, thikë. Gjithashtu, ai është masakruar edhe me leva në kokë dhe në trup. Sipas ekspertëve mjekoligjorë, këto goditje kanë qenë vdekjeprurëse për 34-vjeçarin, ndërsa vrasja mendohet të jetë kryer rreth 48 orë para gjetjes së trupit tij. Referuar të dhënave paraprake, dyshohet se në vrasjen e 34-vjeçarit kanë marrë pjesë më shumë se dy persona dhe se vendi i ekzekutimit është pikërisht banesa ku është konstatuar trupi i pajetë i Hysës. Burime nga Policia bënë të ditur se janë duke marrë në pyetje të afërmit e viktimës, por këta të fundit nuk kanë bashkëpunuar për të deponuar konflikte konkrete. Njëra prej të cilave është edhe një sherr i mëparshëm për shkak të një femre.

Familja denoncoi zhdukjen ditën që erdhi
Familja e viktimës denoncoi zhdukjen e djalit të saj, Fatbardh Hysi, që ditën kur ai erdhi nga Greqia. Ai doli pasi dikush e telefonoi, duke u thënë familjarëve se nuk do të vonohej. Por vonesa ka vënë në alarm të afërmit, të cilët, pasi kanë kaluar shumë orë dhe 34-vjeçari nuk po iu përgjigjej, i janë drejtuar për ndihmë policisë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura