
KORÇE – Arrest në burg për tre të rinjtë e akuzuar për vrasjen e të moshuarës Emine Rota, ngjarje e ndodhur 3 ditë më parë në fshatin Poloskë të Devollit. Të akuzuarit e kësaj vrasje janë Ergys Rushitaj, 19 vjeç, Taulant Muka, 18 vjeç dhe 17-vjeçari M.K. Sipas skenës së ngritur nga Prokuroria në lidhje me ngjarjen, planifikimi për kryerjen e kësaj vjedhje është bërë fillimisht mes Ergys Rrushitajt dhe Taulant Mukës në sheshin qendror të fshati Hoçisht të rrethit të Devollit. Në bisedë e sipër, 19-vjeçari Rushitaj i ka sugjeruar shokut të tij vjedhjen e të moshuarës Emine Rota, pasi ajo jetonte e vetme dhe mund të kishte lekë të kursyera. Sipas versionit të Prokurorisë, Rushitaj ka pasur dijeni për të moshuarën se ishte e vetme për shkak se kjo e fundit jetonte pranë shtëpisë së gjyshit të 19-vjeçarit. Më tej, 18-vjeçari Muka është ofruar për të thirrur edhe shokun e tij me iniciale M.K., me arsyetimin se do të ishte i nevojshëm edhe një person i tretë, pasi dy prej tyre do të hynin në banesë dhe një i tretë do të bënte roje. Pasi kanë planifikuar vjedhjen, tre të rinjtë janë nisur buzëmbrëmje nga fshati Hoçisht në drejtim të Poloskës. Ata kanë hyrë në banesën e 86-vjeçares, por kur janë njohur prej saj, e kanë goditur atë me grushte e shkelma derisa ajo ka rënë në tokë pa ndjenja dhe më pas ka gjetur vdekjen. Pas marrjes në shqyrtim të gjithë rrethanave të paraqitura nga Prokuroria, por edhe pasi kanë paraqitur versionet përkatëse mbrojtësit e të akuzuarve, gjykata e faktit ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 3 të rinjtë. dh.d











