Votimet në Kuvend, Rama mbledh Kryesinë e Grupit

Dec 24, 2011 | 12:43

Kreu socialist, Edi Rama, mblodhi dje Kryesinë e Grupit Parlamentar Socialist. Në qendër të saj ishte bilanci i aktivitetit parlamentar të deputetëve në Kuvend që prej muajit shtator, kur PS vendosi të heqë dorë nga bojkoti dhe të nisë një jetë të re parlamentare. Për të përcaktuar dhe strategjinë që Grupi Parlamentar do të ndjekë deri në muajin qershor 2012, kur do të mbyllet sesioni veror parlamentar, Rama kërkoi ngritjen e dy grupeve të punës. Një grup në të cilin bëjnë pjesë deputetët Ruçi, Leskaj, Shalsi etj. do të merret me projektin politik të PS-së në Kuvend. Një tjetër grup që do të ndjekë nga afër reformat parlamentare, atë zgjedhore dhe parlamentare, do të përbëhet nga Bushati, Tahiri, Subashi etj. Muaji dhjetor përmbylli dhe fazën e parë të bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës, ku ishte rënë dakord për miratimin e kodeve që kërkonin 3/5 e votave. Opozita dha votat e saj për Kodin Detar, Ajror dhe Rrugor, ndërsa u realizua dhe miratimi me konsensus i Avokatit të Popullit, një kandidaturë e propozuar nga Partia Socialiste. Afati për miratimin e këtyre kodeve ishte data 31 dhjetor, ndërsa Parlamenti i përmbushi këto detyrime që më 22 dhjetor. Por, Kryesia e Grupit është ndalur te mënyra se si kanë votuar deputetët socialistë në Kuvend. Vota pro Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani nga deputetët Ben Blushi dhe Arben Malaj është diskutuar gjatë dje në mbledhjen e Kryesisë së Grupit. Gjithashtu dhe mungesa e Kastriot Islamit në seancën kur votohej Bujar Leskaj, ishte pjesë e analizës së djeshme, ku u gjykua me vend, sipas Kryesisë, zbatimi i statutit me përjashtimin e tij. Kryesia e Grupit vendosi që të këmbëngulë dhe të forcojë rregullat për zbatimin e disiplinës dhe të vendimeve të marra me shumicë në mbledhjet e grupit me deputetët.

Takimi me fshatin
Kreu socialist ishte dje në një takim me krerët e komunave të rrethit të Tiranës me rastin e festave të fundvitit. Në bar-restorant “Austria”, Pjerin Ndreu dhe Edi Rama takuan krerët socialistë në komunat e kryeqytetit, ndërkohë i përgëzoi ata për punën e bërë në ringritjen e PS-së në zonat rurale të Tiranës. Rama ka qëndruar pak çaste me të ftuarit dhe më pas është larguar për angazhimet e tjera të ditës, ndërkohë që priten dhe takime të tjera në PS para mbylljes së vitit.

© Panorama.al

Te lidhura