Votat pro e kundër: Përjashtohet Islami, debatet në Grupin e PS

Dec 21, 2011 | 11:36

Vendimi merret me 52 vota pro, 4 kundër dhe dy abstenime. Rama: Do t’i gjej spiunët dhe do t’i çregjistroj nga Grupi.

Deputetët socialistë votuan në shumicë për çregjistrimin e Kastriot Islamit nga Grupi Parlamentar dhe PS. Gjatë një mbledhjeje, e cila nisi me tension mes Islamit dhe Edi Ramës, 52 deputetë votuan pro largimit të kolegut të tyre, Arben Malaj, Marko Bello, Tom Doshi dhe Azir Gashi votuan kundër këtij largimi, ndërsa dy prej tyre, Pandeli Majko dhe Ethem Ruka, abstenuan. Që në fillim të mbledhjes, ashtu siç ishte shprehur dhe një ditë më parë, Islami i kërkoi kreut të Grupit, Gramoz Ruçi, që t’i jepte mundësi atij të dëgjohej përpara deputetëve, por dhe në prani të mediave. Kjo kërkesë ka krijuar tension mes Ramës dhe Islamit, i cili donte të bënte sqarimet e rastit për vendimmarrjen e deputetëve. Që në nisje të fjalës së tij, Rama u shpreh se ajo që kishte thënë në mbledhjen e Kryesisë të premten e shkuar nuk kishte të bënte me shkarkimin e Islamit, por me zbatimin e Statutit, si një rregull të pranuar dhe vendosur nga të gjithë deputetët. Por Islami është larguar nga mbledhja duke pritur një vendimmarrje të Grupit për zhvillimin e saj në praninë e mediave. Rama ka vijuar fjalën e tij duke thënë se debatet që zhvillohen në forumet e PS nuk duhet të bëhen pjesë e mediave, pasi ishte duhet hetuar personat që “spiunojnë” në media.
Votimi
Grupi Parlamentar ka votuar që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura, por Islami nuk pranoi të marrë pjesë në të për të shprehur qëndrimin e tij për vendimin që pritej të merrej. Arben Malaj, i cili votoi kundër çregjistrimit të Islamit, ka kërkuar më shumë fleksibilitet nga deputetët e Grupit sepse me politika përjashtuese, sipas tij, PS humbet forcën e saj elektorale. “Nga pikëpamja politike është e dëmshme dhe nuk u shërben sfidave që ka qoftë modernizimi i Partisë Socialiste, qoftë modernizimi në tërësi i demokracisë në vendin tonë”, është shprehur Malaj. Edhe deputeti Bello është shprehur kundër përjashtimit të Islamit nga Grupi i PS-së. “Nëse dikush gabon, shumica nuk duhet të jetë kaq agresive, ne jemi parti e madhe, demokratike. Gjërat duhen parë me gjakftohtësi. Ne kemi bërë një amnisti ku kemi falur shumë gjëra dhe më të rënda, dhe nuk mund të falim një mungesë në një seancë që nuk solli asnjë efekt politik”, mësohet të ketë thënë Bello. Po ashtu, kundër çregjistrimit ishin dhe deputetët Tom Doshi dhe Azir Gashi. Sipas Tom Doshit, arsyeja pse kërkohet të përjashtohet Islami është e pajustifikueshme. “Islami ka kryer veprime edhe më të rënda se mospjesëmarrja në një seancë Kuvendi. Përderisa nuk e kemi regjistruar atëherë, arsyeja e sotme nuk është më e rëndë për të shkuar në çregjistrim të tij nga Grupi i PS”, mësohet të jetë shprehur Doshi. Në një votim të hapur, 52 deputetë votuan pro çregjistrimit dhe përjashtimit të Islamit nga Grupi i PS, katër ishin kundër dhe dy deputetë abstenuan.

Debatet në mbledhjen e Grupit
Gramoz Ruçi: Në seancën e fundit parlamentare ne kishim vendosur që të votonim kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për kreun e KLSH-së. Kishim vendosur që duhet të ishim të gjithë, pa përjashtim, në seancë, madje disa shokë u kthyen dhe nga jashtë shtetit, ku kishin vajtur për arsye shëndetësore. Kjo tregon se vendimi politik që Grupi kishte marrë ishte i rëndësishëm për ne. Siç bëjmë në çdo mbledhje Grupi, dua edhe sot të bëjmë analizën tonë për seancën e kaluar. Dua të ndalemi te mungesa e shokut tonë, Kastriotit, i cili nuk ka paraqitur ndonjë arsye pse mungoi në këtë seancë.
Kastriot Islami: Unë kam kontaktuar me kryetarin e Grupit, Gramozin…
Edi Rama: Prit se duhet të flas unë si kryetar i partisë.
Kastriot Islami: Jo, këtu po flitet për mua, dhe unë i kam kërkuar Gramozit që kjo mbledhje të bëhet me dyer të hapura dhe në prezencën e mediave. Vetëm në këtë mënyrë unë do të shpreh arsyet e mia pse mungova në këtë seancë. Më lajmëroni kur ju të vendosni që kjo mbledhje do të hapet për mediat.
Gramoz Ruçi: Nuk do ta bëjmë Grupin si KPD-ja e dikurshme.
Islami largohet nga mbledhja
Edi Rama: Dua t’i propozoj Grupit vetëm zbatimin e rregullores. Fjala ime në mbledhjen e Kryesisë socialiste mori përmasa të tjera nga ç’isha shprehur përmes mediave. Por thelbi i fjalës sime në mbledhjen e Kryesisë ishte zbatimi i Statutit. Nuk kemi kohë për të humbur duke u marrë përditë me probleme. Por dua të tërheq vëmendjen se ata që do t’i nxjerrin në media këto gjëra, debatet nuk do të jenë më deputetë. 1% është këtu që ua jep mediave diskutimet tona, do ta gjej dhe do të çregjistrohet për thyerje të rëndë të disiplinës së Grupit. Çdo njeri ka dinjitetin e vet, por dhe Grupi ka dinjitetin e vet ne duhet t’i bindemi vendimit të shumicës.
Arben Malaj: Deputetët nuk duhet të jenë thjesht kartonë solidarë, por duhet të kenë personalitetin e tyre. Nëse do të përjashtohej deputeti i PS-së, kjo do të ishte një ngjarje e dëmshme për politikën shqiptare. Ne duhet të jemi më fleksibël, pasi kemi pasur edhe më të rënda në të kaluarën dhe nuk kemi shkuar në këtë zbatim strikt formal të Statutit për një rast mospjesëmarrjeje. Ju kujtoj se 14 deputetë socialistë nuk votuan kundër buxhetit të qeverisë së Sali Berishës, dhe kjo votë ishte kundër vendimit të përhershëm politik të Grupit. Ata nuk u përjashtuan. Pse duhet të jemi kaq të ngurtë? Nëse duhej të zbatohej Statuti dhe rregullat e vendosura nga ne duheshin përjashtuar 14 deputetët.
Marko Bello: Në parim jam kundër përjashtimeve, por duhet t’i japim një mundësi tjetër kolegut, i cili nuk ishte seancën e kaluar. Nëse dikush gabon, shumica nuk duhet të jetë kaq agresive. Ne jemi parti e madhe demokratike. Gjërat duhen parë me gjakftohtësi. Ne kemi bërë një amnisti, ku kemi falur shumë gjëra dhe më të rënda dhe nuk mund të falim një mungesë në një seancë që nuk solli asnjë efekt politik.
Besnik Bare: Ky fleksibilitet a ka impakt negativ te votuesi ynë? Ky është shqetësimi im. Këtu, disa, njëherë i referohen Statutit, njëherë flasin për fleksibilitet e tolerancë, pra largohen nga Statuti. S’ka arsye të kemi dy standarde. Nëse u vendos një moment pas të cilit do të zbatohet Statuti, atëherë ai duhet respektuar.

Mbledhja
Mungojnë Blushi dhe Harasani

Dy deputetë, pjesë të ish-Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Ben Blushi dhe Andis Harasani, munguan dje në mbledhjen kur deputetë socialistë diskutonin dhe votonin për përjashtimin e Islamit nga Grupi. Mësohet se Harasani ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë familjes së tij, ndërsa Blushi ndodhej në Itali.
Deputeti socialist, Andis Harasani, u shpreh në Facebook se: “Mungesa ime sot në Grup ka qenë me arsye! Nuk ndodhem në Shqipëri. Dhe megjithëse kam munguar, votoj dhe do votoj kundër çdo lloj përjashtimi, aq më shumë të themeluesve të PS!”.

Malaj me të rinjtë: “Çregjistrimet e politikanëve, të dëmshme për partitë”
“Çregjistrimet e deputetëve apo përjashtimet e politikanëve janë njerëzisht të trishtueshme dhe politikisht të dëmshme për partitë politike dhe për demokracinë tonë”, u shpreh Malaj dje gjatë një takimi me të rinjtë. Dje pasdite, në Qytetin Studenti, deputeti Arben Malaj mori pjesë si i ftuar së bashku me Ilir Zelën, kryetarin e parë të FRESSH në panelin e diskutimit, gjatë takimit të hapur, organizuar me studentë dhe pedagogë të Shkencave Ekonomike dhe Politike nga “Shoqëria Shqiptare për Vizion dhe Virtyt”, ku u diskutua mbi tematikën “Shqipëria: Sfidat ekonomike dhe politike të saj”.
“Në shoqëritë demokratike janë individët që përzgjedhin partitë politike, të cilave u besojnë dhe për të cilat përkushtohen. Në modelet jodemokratike janë partitë politike që përzgjedhin individët që promovojnë apo që përjashtojnë”, vijoi më tek Malaj në fjalën e tij. Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm shumë socialistë, si ish-kreu i PS-së Tiranë, Musa Ulqini, ish-deputetja Rajmonda Stefa, ish-anëtaret e Kryesisë, Saemira Pino, Eva Allushi, por dhe deputeti tashmë i pavarur, Kastriot Islami.

Olta Xhacka duke hyre ne mbledhje

Atmosfera dje në PS gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar
Majko, Malaj, Xhaçka e Ruka vijnë me vonesë, gjejnë derën të mbyllur

Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist, që do të vendoste çregjistrimin dhe përjashtimin e Kastriot Islamit, ishte lajmi kryesor i djeshëm. Kjo duket në praninë e madhe të mediave, të cilat kishin kohë pa u mbledhur ashtu në hollin e selisë rozë, ndoshta që prej 8 majit, zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Pak para orës 13:00, kur do të niste mbledhja, deputetët nisën të vinin në selinë rozë. Kokulur dhe aspak entuziastë, ata hynin në një mbledhje në të cilën do të duhej të përjashtonin një kolegun e tyre deputet. Këtë atmosferë e shtonte dje edhe koha e trishtë me shi e ftohtë, që tregonte se ishim në zemër të dimrit. Gazetarë të të gjitha mediave, të shkruara dhe televizive, prisnin vendimin e Grupit, i cili do t’i lejonte ata të ishin pjesë e “dëgjesës” së deputetit Islami para deputetëve. Por, hermetizmi i mbledhjes u duk dhe në lënien jashtë të katër deputetëve socialistë të mbërritur me vonesë. Olta Xhaçka, Ethem Ruka, Pandeli Majko dhe Arben Malaj u drejtuan për nga dera që ndodhet prapa selisë, që të çon në sallën e Grupit Parlamentar. Asnjë prej tyre nuk mundi të hynte. Dera ishte e mbyllur, ndërsa deputetët e mbetur jashtë nisën përpjekjet që të lajmëronin ata që ishin brenda. Asnjë nuk u përgjigj. Pas pak minutash ata vendosin të ulen te kafja pas selisë, derisa morën lajmin se dera u hap. Ndërkohë Islami kishte zbritur nga salla e mbledhjes dhe bëri me dije gazetarët se do të shkonte atje vetëm pasi të lejohej një mbledhje e hapur për mediat. Ai u tha gazetarëve se kishte përgatitur një fjalë që tregonte të gjitha etapat e historisë mes tij dhe kryetarit Rama deri më 20 dhjetor 2011, ku Grupi duhej ta përjashtonte. Pas disa minutash, pasi deputetët kishin votuar, sekretari i Grupit, Taulant Balla, i cili nuk mundte ta fshihte sikletin e atij momenti, zbriti dhe lajmëroi vendimin e Grupit se mbledhja do bëhej pa media. Islami nuk preferoi të shkonte në mbledhje, ndërkohë që debati dhe votimi mori rrugë. I pari që doli nga mbledhja pas votimit ishte Paulin Sterkaj. “I njoh mirë këto vendime që merren në Grupin Parlamentar të PS-së”, tha Sterkaj me humor, por të gjithëve na ktheu në korrikun e 2007-s, kur ai dhe gjashtë deputetë socialistë u përjashtuan pse votuan për Presidentin aktual Topi.

Tom Doshi: Nuk ishte rasti për përjashtim
Deputeti socialist, Tom Doshi, shprehu dje arsyet pse votoi kundër Grupit të PS për të mos përjashtuar Kastriot Islamin. Sipas tij, PS ka pasur shumë raste edhe më të rënda për ta larguar Islamin nga Grupi, por nuk e ka bërë. “Islami ka kryer veprime edhe më të rënda në të shkuarën se mospjesëmarrja e tij në një seancë Kuvendi. Përderisa nuk e kemi çregjistruar atëherë, arsyeja e sotme nuk është më e rëndë për të shkuar në çregjistrim të tij nga Grupi i PS”, u shpreh Doshi për gazetën “Panorama”, duke dhënë dhe arsyet pse votoi kundër shumicës së Grupit Parlamentar dje në një mbledhje jo pa debate.

Balla: Islami e shkeli me vetëdije vendimin politik

Taulant Balla

“Zbatimi i normës statutore, pasojë e paralajmëruar”
Partia Socialiste vendosi dje çregjistrimin e deputetit Kastriot Islami nga Grupi i saj Parlamentar. Vendimi i Grupit të Partisë Socialiste është paraqitur nga sekretari Taulant Balla, i cili paraqiti shkeljen statusore të realizuara nga deputeti Islami. Balla ka konfirmuar se vendimi i Grupit është shoqëruar me katër vota kundër dhe dy abstenim, çka i ka hapur “dritën jeshile” largimit të deputetit “rebel” Islami nga radhët e PS-së.
“Me vetëm katër vota kundër dhe dy abstenime, Grupi Parlamentar socialist miratoi zbatimin e normës statutore të Partisë Socialiste për çregjistrimin nga Grupi të deputetit Kastriot Islami, për thyerje të vendimit politik të Grupit lidhur me votimin kundër kandidaturës së kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në seancën e kaluar të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Balla.
Shkeljet e Statutit
Sekretari i Grupit të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se në mbledhjen e shkuar të Grupit ishte vendosur që të votohej në bllok kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për postin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Zbatimi i kësaj norme statutore është vendosur në kolegjialitet të plotë nga Grupi socialist përpara seancës dhe çdo deputet e ka pasur të qartë paraprakisht detyrimin statutor për zbatimin e vendimit politik. Kjo do të thotë se qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik, ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e Grupit socialist. Ashtu sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të Grupit duke shkelur vendimin politik”, theksoi Balla. Sipas Grupit të PS-së, deputeti Kastriot Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga Grupi Parlamentar socialist.
Mungesat e tjera
Në seancën e shkuar gjatë votimit të dekretit të Presidentit për kreun e KLSH-së, munguan dhe dy deputetë të tjerë. Përkatësisht: Rudina Seseri, e cila la mandatin e deputetes disa ditë më vonë për angazhimet personale, gjithashtu dhe mungesa e ish-kryeministrit të PS-së, Pandeli Majko. Grupi i socialistëve e ka justifikuar mungesën e deputetit Majko me motivacionin e angazhimeve të tjera për të marrë pjesë në garën për një post të lartë në OKB. “Kryesia e Grupit socialist shpreh publikisht konsideratën më të lartë ndaj disa deputetëve që pavarësisht arsyeve shëndetësore apo familjare të qenësishme, nderuan mandatin e Partisë Socialiste dhe kontribuuan me praninë e me votën e tyre në ushtrimin e plotë të vullnetit politik të Grupit socialist. Nga ana tjetër, kryesia e Grupit socialist mirëkuptoi plotësisht pamundësinë objektive të deputetit Pandeli Majko për të qenë i pranishëm në seancë dhe në emër të të gjithë deputetëve socialistë uron bashkë me të gjithë shqiptarët suksesin e plotë të kandidaturës së tij për postin e lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi sekretari i Grupit të PS-së.
Precedenti
Grupi i Parlamentar i PS-së, duke parë dhe precedentët e rrjedhjes së votave nga radhët e PS-së, siç ishte vota pro ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nga deputetët Arben Malaj dhe Ben Blushi, vendosi të mbajë një qëndrim më të rreptë ndaj këtyre qëndrimeve. “Partia Socialiste është një bashkim i lirë njerëzish që besojnë në vlerat e lirisë, drejtësisë, solidaritetit dhe bashkëjetojnë në diversitetin e mendimeve në respekt të njëri-tjetrit e të vlerave e normave të pranuara bashkërisht”, pohoi sekretari i Grupit, Balla.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura