Pritet të zgjasë misteri se kush do ta drejtojë Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet e 8 majit.Vonesat në nisjen e procesit të numërimit kanë bërë që kutitë e para të fillojnë të hapen vetëm në orën 12:00 të ditës së djeshme. Në Durrës janë gjithsej 165 kuti për t’u numëruar, por deri mesnatën e djeshme ishin hapur vetëm 22 prej tyre. Në këto momente, gara duket shumë e fortë, pasi të dhënat flasin për një diferencë të ngushtë votash mes Vangjush Dakos të PS-së dhe Ferdinand Xhaferajt të PD-së. Nga 22 kuti të numëruara deri në fund të ditës së 9 majit, Dako kishte 5315 vota, ndërsa rivali i tij politik 5155 vota. Gjatë të gjithë procesit, që nga nisja e tij, dy kandidatët kanë kapërcyer herë pas here njëri-tjetrin, gjithmonë me pak vota. Procesi i numërimit në Durrës nisi vetëm mesditën e djeshme, duke u shtyrë fillimisht për shkak të numëruesve të votave. Ndërsa ata duhet të jenë të gjithë me arsim të lartë, para procesit nuk kishin paraqitur fotokopjon e diplomës dhe noterizimin e tyre. Vonesat u krijuan më tepër kur është kërkuar kohë për trajnimin e tyre. PS në Durrës ka paraqitur me vonesë listën emërore të numëruesve, duke bërë që të kërkohet kohë më shumë për fillimin e numërimit të votave. Në bazë të ritmeve të deritanishme, përfundimi i këtij procesi ka shumë të ngjarë të vijojë edhe për dy ditë, për të pritur shpalljen ditën e enjte. Gjatë gjithë ditës së djeshme në këtë KZAZ nuk ka pasur asnjë incident për t’u shënuar, ndërsa procesi është monitoruar pa ndërprerje nga vëzhgues të OSBE-ODIHR-it. KZAZ Nr. 9 në Sukth e ka nisur numërimin me kutitë për bashkinë e Sukthit, ku kandidojnë Sherif Fortuzi për PD, Selami Xhelili për PS dhe kandidati i pavarur Hysen Llaca. Deri në orët e vona të mbrëmjes rezultatet më pozitive i ka pasur kandidati PD, i cili gjendet rreth 700 vota para dy rivalëve të tij. Ndonëse ndaj Llacës, Prokuroria e Durrësit provoi akuzën e ngritur ndaj tij prej PS-së për falsifikim dokumentesh dhe u vu në dyshim kandidimi i tij, Llaca u fut në garën e 8 majit. Rreth orës 22:00 u shpall dhe kandidati fitues në Sukth, pikërisht Fortuzi, i zgjedhur nga Aleanca për Qytetarin, nën siglën e PDIU-së. Nga ana e tij, komisioneri në KZAZ Nr. 10 ka deklaruar se pas përfundimit të numërimit për komunën Xhafzotaj, e ka mbyllur procesin për ta rihapur mëngjesin e sotëm, veprim që ka qenë i njëjtë edhe për KZAZ Nr. 9.
Fitoren e parë nga dhjetë njësi vendore në qarkun e Durrësit e ka zgjedhur komuna e Rrashbullit. KZAZ Nr. 9 ka marrë në administrim kutitë e votimit për bashkinë Shijak e komunat Xhafzotaj, Gjepalaj e Rrashbull, duke e nisur procesin e numërimit me këtë të fundit. Sipas të dhënave nga brenda këtij komisioni, kryetari aktual i komunës Rrashbull, Hysen Gashi, që këtë herë ka garuar nën siglën e LSI-së, ka mundur të fitojë me 780 vota më shumë përballë rivalit të tij, Shkëlqim Fortuzi, i PS-së. Gashi ka drejtuar komunën në 3 mandate, dy me mbështetjen e PD dhe një me siglën e PR-së. Komuna ka pasur 20 qendra votimi dhe në orët e mbrëmjes kanë përfunduar 16 prej tyre, ku Gashi ka qenë me 1050 vota më shumë. Statistikat janë dhënë nga KZAZ, por ato ende nuk janë shpallur publikisht në pritje të shqyrtimit të disa fletëve të pavlefshme, të cilat kanë qenë të konsideruara.
Durres
Bashkia Sukth
Sherif Fortuzi, PD 3788 vota
Selami Xhelili, PS 2160 vota
Hysen Llaca, i pavarur 1068 vota
Bashkia e Fushë-Krujës
Gjon Bardhi, PS 3516 vota
Bilal Stafuka, PD, 2564
Komuna Rrashbull
Fiton Hysen Gashi i LSI me 780 vota pro rivalit të tij, Shkëlqim Fortuzit të PS-së
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











