Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj foli në një lidhje direkte me News 24 natën e sotme nga një prej qendrave të numërimit të votave në Shkozë të Tiranës.

Shehaj tregoi për një problem të hasur pak më parë në këtë KZAZ numërimi, ku një prej komisionerëve të kësaj partie sinjalizoi se vota të pavlefshme po numëroheshin për parti politike.
Kandidatët e Partisë Mundësia që ishin aty në sallë u nxorën jashtë teksa ngritën këtë problem gjatë numërimit.
Më tej, aty erdhi dhe vetë Shehaj që pati dhe një debat me kreun e KZAZ dhe ministrin e brendshëm Ervin Hoxha.
“U njoftova se në këtë KZAZ një nga vëzhguesit sinjalizoi një problem si disa nga vota po tjetësoheshin. Disa vota të pavlefshme po shtohen për partine politike. Bënë sikur nuk dëgjuan. Me ftesë të ministrit që ishte te cepi aty, këtu vendosën të largoheshin kandidatë e Partisë Mundësia. Erdha këtu diskutova me kryetarin e KZAZ që pa asnjë problem tha nuk bëhet kështu për një votë, por për disa vota. E sinjalizuam këtë problem te kryetari i KQZ. Kemi komisionerë në gjithë qendrat e numërimit. Jemi shumë afër mandatit të dytë në Tiranë. Po luftojmë për çdo votë.
Presim të marrim një përgjigje. Duhet të jemi të vëmendshëm që votat e Partisë Mundësia dhe procesi i numërimit të mos manipulohet.
Ne kemi bërë një fushatë si ajo që bëmë se mendojmë se mesazhi që duhet të jepnim ishte ai. Problemi se shqiptarët ikën sepse shteti nuk i lejon dhe i pengon. Ky ka qenë mesazhi, që kushdo ia del me punë të ndershme. Donim të tregonim që ka dhe një Shqipëri tjetër. Kjo mendojmë se duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë.”
Shehaj tregon se kur i foli ministrit, përgjigjja e tij ishte shpërfillja.
“Asnjë përgjigje. Shpërfillje, arrogancë e pushtetit. Është tipike.”
© Panorama.al











