Është mbyllur protesta e 30-të radhazi e qytetarëve në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, pas marshimit në disa zona të kryeqytetit dhe kthimit përfundimtar para Kryeministrisë, ku u zhvillua tubimi i radhës kundër qeverisë.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, mijëra qytetarë nisën marshimin në rrugët e Tiranës, duke kaluar fillimisht drejt qendrës së qytetit. Protestuesit u zhvendosën pranë Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe zonës së 9-katësheve, duke vijuar më pas drejt Rrugës së Barrikadave.
Nga Rruga e Barrikadave, turma vijoi marshimin drejt Bulevardit “Zogu i Parë”, më pas pranë Muzeut Kombëtar, në zonën e Shallvareve dhe më tej u rikthye në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.
Gjatë marshimit, qytetarët vijuan me thirrjet e tyre politike, mes të cilave: “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”, “Edhe Sala ka mbaru, ka mbaru”, si dhe sloganin e përsëritur gjatë protestave: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Të shumta ishin edhe thirrjet e tjera të dëgjuara gjatë ecjes së protestuesve: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi” dhe “Erion o legen, prite Ramën se po vjen”.
Kujtojmë se protesta së sotme para Kryeministrisë u shoqërua edhe me fjalime nga aktivistë dhe përfaqësues të ndryshëm, mes tyre edhe eurodeputetët Tineke Strik, Nicolae Ștefănuță, Cristina Guarda, Jutta Paulus, Vula Tsetsi dhe Anna Strolenberg, të cilët mbajtën fjalime para protestuesve.
Tubimi i sotëm shënoi një tjetër ditë të protestave të vazhdueshme në Tiranë, me kërkesën kryesore të organizatorëve dhe protestuesve për largimin e kryeministrit Edi Rama.
© Panorama.al
















