Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfshihet nga debatet për votën e hedhur nga Presidenti Bamir Topi më 8 maj.Në mbledhjen e mbrëmshme, teksa po hapeshin kutitë e Njësisë Bashkiake Nr. 9, në orën 20:40 u hap edhe kutia me nr. 1968, e cila i përket shkollës “Servete Maçi”, ku ka votuar edhe kreu i shtetit. Në këtë kuti rezultoi se ishin futur gabim 4 fletë votimi, ku dy i përkasin Partisë Socialiste për Këshillin e Minibashkisë, 1 votë PS-së për Këshillin e Bashkisë dhe një votë për Edi Ramën. Pas mbylljes së kësaj kutie me kodet e sigurisë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, kërkoi një pushim prej 10-minutash. Pas rifillimit të mbledhjes, anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, iu referua mediave duke thënë se vota e Presidentit pas hapjes së kutisë u lexua. “Kur po vija në mbledhje tani, pashë titrat në televizion dhe po jepnin lajmin se u zbuluan vota e Presidentit të Republikës se për kë kandidat ka votuar. Kjo është shumë e rëndë dhe me veprimet këtu është shkelur rëndë Kushtetuta dhe garancia për votë të fshehtë. Është një lajm i rëndë dhe të gjitha mediat po flisnin për këtë fenomen”, u shpreh Lazaj. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se të gjitha votat që janë hedhur në mënyrë të gabuar janë lexuar para mediave. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, tha se nëse ky rast dihej, duhet të ishte diskutuar përpara se të hapej qendra e votimit. “Kjo nuk mund të ketë mundësi dhe, nëse ju kishit ndonjë indicie, duhet ta kishit thënë këtu. Nuk është puna se u zbulua fshehtësia e votës kur ato hapen në çdo qendër votimi këtu. Këto kuti janë hapur edhe njëherë tjetër nga grupet e numërimit. Ishit në këtë tavolinë dhe nëse e dinit, duhet të na e kishit thënë”, u shpreh Kosovrasti. Dy ditë më parë, në emisionin “Opinion” të Bledni Fevziut në TV klan, ku ishte i ftuar kryeministri Sali Berisha, u shfaq një video në të cilën u aludua se kreu i shtetit ka hedhur fletën e votimit për kryetarin e bashkisë në kutinë e kryetarit të njësisë bashkiake. Videon e komentoi edhe kreu i qeverisë, teksa tha se “emocionet janë njerëzore. Nga emocionet nuk privohet as Presidenti”.
Reagimi i Presidencës
Pas publikimit të lajmit në disa televizione, reagoi mbrëmë zyra e kreut të shtetit, e cila i hodhi poshtë të gjitha aludimet. Në deklaratën e lexuar nga zëdhënësja, Mimoza Koçiu, thuhet se “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, hedh poshtë me neveri spekulimet politike dhe mediatike lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë më 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. Në deklaratë thuhet më tej se ky aludim bëhet për të hequr vëmendjen nga problemet e mëdha që kanë të bëjnë me vonesat e administrimit të rezultatit të zgjedhjeve. “Çdo qytetar i interesuar ka pasur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër, mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve”. “Presidenti i Republikës refuzon të përfshihet në spekulimet dhe lojërat politike të ditës dhe me cilësinë e kryetarit të shtetit, apelon edhe njëherë aktoret politike dhe institucionet përgjegjëse, që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që u ngarkon ligji dhe interesat madhore të vendit”, përfundon deklarata e kreut të shtetit.
Topi takon ambasadoren britanike
Kreu i shtetit u takua dje me ambasadoren britanike, Fiona Mekullam, ku u diskutua lidhur me situatën aktuale. Topi tha se këtë situatë po e ndjek me shumë vëmendje në çdo moment dhe nënvizoi se duhet ruajtur qetësia, vetëpërmbajtja, rendi publik si dhe se duhet gjetur ekuilibri i nevojshëm që vendi të mos rrëshqasë në tensione të panevojshme politike. “Këto do të ishin të mundura vetëm nëpërmjet zbatimit me rreptësi të ligjeve dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese nga kushdo”, theksoi Presidenti.
Debati në KQZ për Presidentin
Artan Lazaj: Kur po vija në mbledhje tani, pashë titrat në televizion dhe po jepnin lajmin se u zbulua vota e Presidentit të Republikës, se për kë kandidat ka votuar. Kjo është shumë e rëndë dhe, me veprimet këtu, është shkelur rëndë Kushtetuta dhe garancia për votë të fshehtë. Është një lajm i rëndë dhe të gjitha mediat po flisnin për këtë fenomen.
Arben Ristani: Kjo s’ka kuptim, ne votat i kemi nxjerrë të gjitha këtu.
Njazi Kosovrastri: Kjo nuk mund të ketë mundësi dhe, nëse ju kishit ndonjë indicie, duhet ta kishit thënë këtu. Nuk është puna se u zbulua fshehtësia e votës kur ato hapen në çdo qendër votimi këtu. Këto kuti janë hapur edhe njëherë tjetër nga grupet e numërimit. Ishit në këtë tavolinë dhe, nëse e dinit, duhet të na e kishit thënë.
Artan Lazaj: Thashë me sinqerisht dhe kur e pashë lart më lanë një shije të hidhur. Do ta shikoni se çfarë demi do t’i sjellim ne, indirekt apo direkt me dashje apo pa dashje, demokracisë në vend.
Arben Ristani: Të lutem lëri këto deklarata politike.
Artan Lazaj: Jo, është shumë interesante për t’u marrë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











