Vota nga Trekëndëshi i Bermundës…

May 7, 2011 | 10:00

AGRON TUFA

Ajo që personalisht më ka trishtuar gjithnjë në zgjedhjet qendrore e lokale, përtej rezultateve të majta apo të djathta, ka qenë braktisja e votimit. Nëse gjykojmë përqindjet e abstenimit në votimet tona, shifra është e frikshme. Ajo kap mbi gjysmën, ose diku afër gjysmës së përgjithshme të votuesve shqiptarë. Duke e kuptuar votuesin tonë si në gjendjet vanitoze e të çinteresuara, si në gjendjet e zhgënjimit të fortë emocional, duhet theksuar fort një e vërtetë e dhimbshme: shpërfillja ndaj votës, si shprehja më elementare e vullnetit personal në zgjedhje, përbën premisën më të sigurt të arbitraritetit të nesërm të pushtetit. Dhe kur ky arbitraritet i pushtetit, qoftë i drejtuar personalisht ndaj teje, qoftë ndaj grupit social ku individi pret realizimin e idealeve të tij, – pra kur ky pushtet cenon, ngushton dhe deformon lirinë dhe të drejtat e tua, atëherë, para se zemërimit tënd t’i japësh udhë të ligjshme, nuk duhet harruar t’i bësh vetes një pyetje elementare: çfarë bëre ti vetë, konkretisht, për aq sa mundeshe dhe kishe në dorë? Ka dhjetëra forma, të thënë e të marra me mend, se vullneti i paushtruar demokratik, vullneti i lënë stok, i shkon shëndet asaj praktike të “ligjshme” qeverisjeje, në të cilën ti nuk ke investuar as minimalen e përgjegjësisë qytetare, apo thënë me një idiomë popullore – “nuk ke luajtur as gishtin e vogël”.
Është e trishtueshme të mendosh se sa herë vijnë zgjedhjet, afro gjysmën e votuesve shqiptarë i përpin njëfarë “trekëndëshi Bermunde”, një vrimë e zezë harrimi, duke e lënë cilësinë e votës qytetare më shumë në dorë të militantizmit partiak, sesa në dorë të një arsyeje shumë më të koklavitur. Është pikërisht cilësia e kësaj vote, që ndërdyshet e refuzon, ajo për të cilën ka më shumë nevojë demokracia jonë. Nuk dua të merrem më arsyet dhe shkaqet e kësaj topitjeje e hezitimi që e bën skeptik abstenuesin tonë, pasi kjo do të na hapte një çështje tjetër edhe më të ndërlikuar; nga ana tjetër, apeli ynë duhet t’i drejtohej me sinqeritet, pa dhunë verbale e me përvujtni, pikërisht kësaj vote të munguar, delikate e përcaktuese, sepse kjo është vota më e “brishtë” e vetëdijes sonë qytetare.
Për vetë të shkuarën dhe të tashmen tonë, ne jemi një shoqëri ende shumë larg kulturës demokratike dhe përgjegjësive si qytetarë. Jemi një shoqëri e polarizuar tepër me ngarkesa negative të trashëguara përgjatë historisë sonë; jemi të polarizuar skajshëm në ndjeshmërinë familjare ndaj diktaturës dhe postkomunizmit; ndaj raportit tradicional dhe të ri me ideologjinë, prejardhjen, politikën; ndaj ndjeshmërisë fetare, sociale dhe regjionare. Por, arsyetimet tona private, familjare, shoqërore e më gjerë, nuk duhet të finalizohen me “asgjënë” e abstenimit. Për të gjitha e për gjithçka, veç e veç, ka një përgjigje dhe vetëm përgjigjja “me votë” ngre peshë në përgjigjen e përbashkët të votuesve shqiptarë.
Nga ana tjetër, arsyet e braktisjes së votës janë shenjë e padiskutueshme edhe e zhgënjimit, e për një pjesë të abstenuesve janë edhe shenjë e dëshpërimit. Kur dëshpërimi përfshin afro gjysmën e votuesve potencialë, kjo do të thotë se kemi mbërritur në një gjendje të përgjithshme të krizës shoqërore, të humbjes së besimit për çfarëdo perspektive të mundshme të fateve tona. Mosvotimi e thellon më shumë këtë krizë, duke e përshkallëzuar në psikozë negative kombëtare. Por nuk duhet të fitojë gjendja e përgjithshme e topitjes së vullneteve “të ndrydhura”, e çinteresimit, tërheqjes, lëshimit të terrenit. Njeriu, realisht, në të gjitha situatat ku ndodhet, kryen sakrificat e tij të përditshme, lufton për të mbërritur diku, – ndryshe nuk do të kishte pikë kuptimi, qoftë edhe trajektorja e vogël e përpjekjeve të tij të përditshme, nëse do t’i mungonte kësaj përpjekjeje dimensioni i nesërm i shpresës dhe vazhdimësisë. Ndryshe nuk do të kishim më fuqinë për t’u ngritur sërish nga rëniet tona. Nuk është gjithçka aq zi sa po përpiqen të na e ngulisin në mendje! Gjatë gjithë kohërave njeriu ka pasur një zakon të pandryshueshëm: të ankohet. Dhe këto ankime i kemi dëgjuar gjithmonë të përsëriten po njëlloj: “Po jetojmë një kohë të keqe! Kurrë më parë nuk ka qenë kaq keq sa tani!”. Mirëpo e vërteta, në fakt, është krejt ndryshe. Ka qenë keq e më keq, sa është mëkat të vendosësh krahasimin. E prapë njerëzit do të vazhdojnë të ankohen. Sepse ideali dhe pritshmëria e tyre nuk është arritur: ai po vonon. Vetë ankimet janë shprehje nervoze e vonesës së asaj që pritej, që duhet të vinte e që vonon të vijë. Prandaj fajtorët duhen treguar, se, pa dyshim, dikush e ka fajin! Njerëzit e lodhur nga “pritja”, njerëzit e zhgënjyer, njerëzit zemëruar me “të dyja palët”, e zhvendosin veten në një pozicion cinik, si ata që tundin dorën dhe thonë: “Çafshi kokën me njëri-tjetrin…!”; “Mos ua pafsha sytë!”; “Si të shtroni, ashtu do të flini” etj., etj. Është pozicion cinik, sepse kjo pjesë e madhe e elektoratit shqiptar ka projektuar kësisoj me veten “palën e tretë”, atë që nuk “përzihet”, sehirtarin e çinteresuar që sodit i hequr mënjanë.
Por kjo nuk është përgjegjshmëri dhe mungesa e përgjegjshmërisë e fragmentarizon të Vërtetën. Kjo nuk është bashkëpjesëmarrje, ndonëse edhe duke e refuzuar pjesëmarrjen, je në njëqind fije i përfshirë. Fati ynë është i përbashkët. Asnjëri nuk mund ta konceptojë veten se është një lloj eremiti, që bredh nëpër male, pasi ka hequr dorë nga hallet tokësore. Shëndeti i një shoqërie pasqyrohet në demonstrimin e vullneteve të lira në zgjedhje, dhe jo duke menduar, si dikur, në kohërat që lamë pas, kur njeriu i trembej mendimit në përgjithësi dhe sidomos mendimit të vet: “Pse, mua më gjetën të mendoj? Ka kush mendon… Mendon Partia”!
Ajo pjesë e madhe e elektoratit që braktis votën e vet, përbën pjesën më të tuhajësuar të shoqërisë sonë. Njeriu i tëhuajësuar i ka humbur lidhjet më veten dhe me të tjerët. Sepse ka humbur idenë e vlerës së tij reale në këtë shoqëri. Vullneti i tyre i mungon dëshpërimisht sot shoqërisë shqiptare – vullnet, i cili do të ishte përcaktues. I vetmi vullnet i lirë legjitim, për shëndetin moral e mendor të tyre në radhë të parë, mandej dhe të gjithë shoqërisë. Ata mund të bëjnë përfundimisht diferencën midis alternativës sonë të sotme, për të përgatitur nesër një alternativë më të mirë. Dhe diferenca shpall legjitimitetin e mjaftueshëm, qoftë edhe me një votë… Është pikërisht vota juaj, për peshën e së cilës nuk keni qenë të vetëdijshëm, por që vendos. Është vota juaj e papranishme ajo që i jep cilësi arsyes, gjykimit dhe zgjedhjes sonë – ajo që na nxjerr nga polarizimi i skajshëm militantesk – që na çliron nga vota e nxehtë emocionale dhe përfundimisht na çliron nga pengu i një loje absurde, aspak zbavitëse. Përndryshe, në të kundërt, jeni po ju që mund ta tërhiqni pak e fije gjithë vullnetin qytetar drejt një Trekëndëshi Bermunde, në vrimën thëthitëse të Harrimit.
Dhe ai që vendos të na kthejë në përmasën reale ku jetojmë, je ti, i dashur qytetar, bashkëkohës i imi, qoftë edhe më një votë…!

© Panorama.al

Te lidhura