Vonesat, 350 pasagjerë revoltë në tragetin Vlorë-Brindizi

Jan 29, 2012 | 11:10

Gjatë protestës së udhëtarëve të tragetit Vlorë-Brindizi

Konfliktohen me ekuipazhin. Një person humb ndjenjat. Kapiteneria: Faji i agjencive

Shkak, vonesa. 350 pasagjerë, tri orë e gjysmë në pritje

Pritja prej më shumë se tri orësh në sheshin e trageteve në Portin e Vlorës ka revoltuar pasagjerët që prisnin të udhëtonin drejt Brindizit. Vonesa në procedurat e kontrollit dhe përpunimit të udhëtarëve dhe mjeteve ka ngritur në një protestë të befasishme rreth 350 persona. Njëri prej pasagjerëve ka pasur probleme shëndetësore dhe ka pësuar gjendje të fikëti, çka ka sjellë acarimin e mëtejshëm të udhëtarëve. Sipas burimeve të kapitenerisë dhe policisë portuale, shkak për vonesën e tragetit të linjës Vlorë-Brindizi ka qenë kontrolli i rreptë i automjeteve të lehta dhe të tonazhit të rëndë për shkak të dyshimeve që kanë pasur për praninë e sendeve të paligjshme, të cilat mund të trafikoheshin drejt Italisë. Kontrolli ka zgjatur më shumë se çdo ditë tjetër, por policia ka bërë fajtore agjencitë dhe udhëtarët, të cilët duhet të marrin informacion se kur duhet të hipin në traget. Sipas Policisë, hipja me vonesë e një pjese pasagjerësh dhe sidomos atyre që janë me makina private, shkakton vonesa në kontrollet e automjeteve dhe imbarkimin e tyre në traget. Në fakt, ndonëse sipas pasagjerëve, vonesat nuk janë për herë të parë sa herë që niset trageti drejt Brindizit, dje situata ka qenë tepër e tensionuar. Udhëtarët kanë nisur të debatojnë ashpër me punonjësit e policisë dhe ekuipazhin. Njëri prej shoferëve të mjeteve të rënda ka debatuar dhe fyer rëndë kapitenin e tragetit, duke tentuar përplasjen fizike me të. Në këto momente ka ndërhyrë policia kufitare, e cila ka bërë shoqërimin për rreth 30 minuta të tij, për ta lënë më pas të lirë të vazhdonte udhëtimin drejt Italisë. Kjo ka shkaktuar dhe vonesa të mëtejshme të orarit të nisjes. “Kemi hipur që në orën 11:00 në traget. Nuk jemi ne shkaktarët e vonesës, por policia dhe ekuipazhi i tragetit”, thanë pasagjerët. Pas tri orësh e gjysmë, trageti është nisur, duke lënë pas Portin e Vlorës.

Të dhëna
350 pasagjerë pritën dje për të lundruar drejt Brindizit

96 automjete të vogla dhe të mëdha u kontrolluan para se të ngjiteshin në traget

3 orë e gjysmë u vonua në nisje trageti i linjës Vlorë-Brindizi, çka solli dhe revoltimin e udhëtarëve

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura