Vonesa në raportin mes stabilitetit dhe demokracisë!

Mar 7, 2011 | 10:19

REXHEP MEIDANI

Për ruajtjen e sekularizmit. Dorëheqjet e kryetarëve të shteteve, nën presionin e demonstratave masive, në Tunizi dhe Egjipt dhe manifestimet masive në Jemen, Bahren, Jordani, Marok, Algjeri, Arabi Saudite, Oman, etj., deri dhe përplasjet me armë në Libi, përveç shqetësimit në rritje, kanë nxitur një debat të gjerë mbi shkaqet apo rrënjët e vërteta të këtyre ngjarjeve. Ato, krahas mbylljes së syve në sajë të interesave konkretë politiko-ekonomikë, pasqyrojnë njëkohësisht një vlerësim të gabuar në raportin e binomit stabilitet-demokraci prej politikës demokratike perëndimore ndaj regjimeve autokratike në botën arabe. Kështu, është pranuar, p.sh., kultura politike jodemokratike e shtypjes në pjesën dërrmuese të qeverive arabe, e shoqëruar me padrejtësi e pabarazi të dukshme socio-ekonomike, papunësi të rinisë së shkolluar relativisht mirë, korrupsion të gjerë dhe hendek të madh midis të pasurve dhe të varfërve. Prandaj, për disa, këto protesta shprehin një reagim popullor ndaj politikave autokratike, që i bëjnë të domosdoshme reformat politike fondamentale. Ndërsa, për të tjerë, kjo valë protestash (të konsideruara dhe si revolucione) lidhet ngushtë me pakënaqësinë popullore ndaj vështirësive ekonomike dhe sociale, që kanë tronditur jo pak botën arabe.
Të njëjtat kushte dhe pakënaqësi sociale-ekonomike, që ekzistojnë në Tunizi dhe Egjipt, ndeshen në të gjitha vendet arabe dhe kjo gjë e favorizon përhapjen e valës së protestave. Në fakt, shpërhapja e protestave nga një vend në tjetrin lehtësohet shumë nga gjuha e përbashkët në të gjitha këto vende, kultura dhe trashëgimia kulturore e përbashkët, e njëjta fe (mbi gati 90% të popullsisë), vazhdimësia territoriale (pavarësisht kufijve shtetërorë artificialë të përcaktuar), perceptimi që të gjithë kanë probleme të njëjta, përfshirë dhe rezistencën ndaj dominimit të huaj. Dhe ashtu si shkaqet e njëjta, priten dhe efektet apo pasojat pasuese! E thënë ndryshe, i gjithë rajoni është i mbarsur nga një situatë revolucionare.
Në të vërtetë, faktet janë të pamohueshme: shumica e popullsisë arabe është nën 25 vjeç, kurse shkalla e papunësisë midis të rinjve është e lartë. Ajo është më e lartë midis grave, që janë të margjinalizuara nga ana ekonomike dhe sociale. Klasa e mesme në këto vende është goditur keqas nga inflacioni, duke e bërë të paqëndrueshëm standardin e jetesës dhe rritur hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Edhe nevojat për strehim, kujdes shëndetësor e edukim janë mjaft larg kërkesës së miliona njerëzve. Por, veç kësaj, në vendet arabe janë manifestuar prej kohësh shqetësime serioze në sistemet politike, kurse udhëheqjet përkatëse janë bërë, në shumicën e rasteve, të padurueshme, pavarësisht vizitave, takimeve, marrëveshjeve apo “puthjeve” me udhëheqës demokratikë perëndimorë. Vetë pjesëmarrja politike është e trunguar apo e manipuluar, për të garantuar praktikisht zgjedhjet e vetëm një partie të përhershme. Në kushte të tilla reformimi i thellë ka qenë i domosdoshëm, edhe pse tani rezulton i vonuar. Por, edhe shoqëri të tjera, të prekura përpara nga sëmundje të ngjashme, kanë arritur të ringjallen e të marrin veten. Për këtë kërkohet hapja e plotë e këtyre sistemeve politike, një pjesëmarrje politike masive, përgjegjshmëri e transparence, fuqizim të rolit të gruas dhe të rinjve, ndershmëri e drejtësi në qeverisje. Duket se deri tani protestat në Tunizi, Egjipt e vende të tjera nuk shfaqin apo nuk janë frymëzuar nga ndonjë ethe antiamerikane apo ndonjë zell ekstremist islamik. Nën trysninë e tyre, qeveritë e vendeve arabe, të paktën në një ardhme të afërt, nuk mund të sillen më sipas qejfit me popullin e tyre; ato nuk mund të sillen e të mendojnë se njerëzit mund të qëndrojnë statikë dhe të nënshkruar ndaj tyre, në këto erëra ndryshimi që po fryjnë me mjaft forcë në të gjithë rajonin e Afrikës Veriore dhe Lindjen e Mesme. Kërkohen mekanizmat zbutës e qetësues dhe më tej korrektues, reformues e demokratizues. Do të ishte marrëzi që të mendohej se kjo valë protestash do të shpërndahet shumë shpejt, aq më tepër që përjashtimi nuk funksionon dhe as punon më…
Ndryshimet sociale e politike janë gjithmonë turbulente, të dhimbshme dhe të paparashikueshme. Madje, nisur nga shkalla e lartë e emigracionit të ri dhe të vjetër, ky eksplozion në botën arabe mund të krijojë implikime serioze dhe për vetë vendet perëndimore. Por, kryesore është që kjo valë emancipuese, ky revolucion aktual arab për zhvillime demokratike e sekulare të mos shndërrohet në një kundërrevolucion fetar antisekular.
Paralele emancipuese
Afro 150 vjet më parë, viti 1848, i quajtur dhe si vit revolucionesh, është konsideruar në Europë si një pranverë e kombeve apo popujve. Gjatë tij u ndeshën afro 50 raste revolucionesh, që shpërthyen në të gjithë Europën. Të tillë janë: revolucioni i vitit 1848 në Francë, ato në shtetet gjermane, në perandorinë austriake, në shtetet italiane, në Danimarkë, Poloni, etj. Modeli i tyre ishte ai francez i vitit 1789. Po ashtu, shumë më vonë, zëvendësimi i diktaturave ushtarake në Portugali dhe Spanjë në mes të viteve ’70 u shpërhap me shpejtësi në Amerikën Latine kundër regjimeve autokratike të atëhershme. Një dukuri e ngjashme “infektimi” apo një “efekt domino” është ndeshur në perandorinë komuniste (sidomos atë sovjetike) në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Kështu, në Poloni, vala e grevave të punëtorëve dhe e manifestimeve disa mujore, më 1988, tronditi regjimin komunist, saqë ai u detyrua të futej në bisedime me Solidarnost-in dhe ta njihte atë. Kjo thyerje u shtri në fund të vitit 1989 në gjithë perandorinë sovjetike dhe bllokun komunist të Europës Lindore.
Pra, ka disa paralele midis turmave në Tuniz, Kajro, etj., dhe turmave në Pragë e Berlin dy dekada më parë. Por, ka dhe një dallim madhor. Revolucionet e rrugës, që rrëzuan komunizmin, kishin një karakteristikë të ngjashme: pamundësinë e mbështetjes së diktatorëve nga perandoria sovjetike që ishte vetë në zbërthim e sipër. Revolucionet arabe shfaqen si prodhime të situatave të ndryshme: ekonomike, teknologjike e demografike, me një specifikë konkrete në çdo vend. Pra, ata i ngjajnë më shumë revolucioneve të 1848-ës (të inspiruar nga ide të nacionalizmit liberal dhe objektiva demokratizues të klasës së mesme në secilin vend) të ndryshimeve të vitit 1989. P.sh., në vitin 1848, në Hungari, kërkohej pavarësi nga Austria e Habsburgët. Në rajonet gjermane kërkohej një unifikim i popujve gjermanishtfolës në një shtet të vetëm. Në Francë, synohej hedhja poshtë e monarkisë, etj. Por, në shumicën e rasteve, synime të tilla dështuan. Kështu, Franca e themeloi republikën, që pësoi kolapsin e radhës disa vjet më vonë. Në thelb, viti 1848 ishte një moment i veçantë historik në arritjen e një ndryshimi madhor, që deri diku dështoi në realizimin e asaj pike kthese historike. Por, ama, jo që nuk emancipoi, po edhe ndikoi në mjaft procese të mëtejshme. Madje, aty e kanë zanafillën ndryshimet e mëvonshme. P.sh., kancelari Bismark e unifikoi Gjermaninë dhe Franca themeloi Republikën e Tretë. Kurse kombet nën Habsburgët fituan pavarësinë pas Luftës së Parë Botërore. Përveç aspektit aktual, po aq ndikuese do të jenë këto revolucione arabe në një kohë të mëvonshme. Pra, edhe pse në vitin 2012 apo pak më vonë, disa nga këto ngjarje mund të konsiderohen diku si dështime, diku si rivendosje diktaturash, diku si demokraci jo funksionale, diku si konflikte etnike deri kthime në dhunë etnike, ata po vrasin frikën, po ndërgjegjësojnë reagimin ndaj tiranisë, po ngrenë lart emocionin e forcës popullore.
A mund të garantohet zgjidhja e duhur demokratike?
Në vendet arabe, tronditja e brendshme serioze nisi me krizën e vitit 2008. Goditjet e kësaj krize kanë qenë tepër të ashpra në Lindjen e Mesme. Gjatë këtyre viteve të fundit, gjithçka ziente por nuk besohej, madje as nuk dëshirohej të “lexohej” pakënaqësia në rritje. Aty-këtu bëheshin paralajmërime, por ato nuk dëgjoheshin fare. Kështu, në një artikull të prillit 2008, Jean Duval e Fred Weston ka shkruar: “Regjimi i Mubarakut po përballet me një nga krizat më serioze të ndeshura më parë. Gjëja më e rëndësishme është se punëtorët nuk e kanë më frikë këtë regjim… Të gjitha kushtet janë pjekur për revolucion”…
Dhe, në fakt, kjo po ndodh. Fillimisht, nën trysninë e protestave gati njëmujore, u largua pas 23 vjetësh presidenti Ben Ali (më 14 janar 2011). Kjo lloj lëvizjeje popullore, e quajtur dhe revolucion jasemin, u përhap menjëherë në Egjipt. Madje, aty u konstatuan protestat më të mëdha publike kundër presidentit Mubarak (në pushtet mbi 30). Edhe ai, më 11 shkurt 2011, u largua nga pushteti. Këtë pushtet e mori Këshilli i Lartë Ushtarak që deklaroi shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare, pezullimin e kushtetutës, dhe ndërtimin e menjëhershëm të një komisioni për rishikimin e saj. Duke e krahasuar me atë që po ndodh në Libi me regjimin e Kadafit, që po bombardon e mitralon nga ajri popullin e tij, Ben Ali dhe Mubarak ishin autokratë, por qeverisjet e tyre nuk arritët deri në gjakosjen masive të popullit të tyre…
Pyetja kardinale e ditëve tona është: ky lloj revolucioni jasemin, a do të japë një rezultat më të mirë apo më të keq në qeverisjet e ardhshme? Për dy rastet e para, ka arsye të pranueshme për optimizëm, sepse historia tregon që protestat paqësore përgjithësisht e mundësojë njëfarë liri reale, ndërkohë që ato mjaft të dhunshme zakonisht e mbyllin ciklin e tyre me një tirani të re. Diçka tjetër: për protestat në Egjipt vihet re, deri tani, një rol relativisht i dobët i grupimeve islamike. Madje, ata janë të detyruar të shfaqen si liberalë për t’iu përshtatur aspiratave demokratike të publikut protestues. Kjo është arsyeja që Vëllazëria Myslimane kërkon zgjedhje të menjëhershme sepse, aktualisht, ajo është forca e vetme e organizuar. Ushtarakët duhet t’i rezistojnë kësaj kërkese, duke vendosur e forcuar dialogun me shoqërinë civile, pse jo dhe duke ndarë pushtetin me figura të njohura. Pa pretenduar për të qëndruar gjatë, ata duhet të “blejnë” kohën për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pra, zgjedhja më e mirë është të vonohen votimet derisa ata të garantojnë sekularizmin institucional, nga njëra anë, dhe pasqyrimin sa më drejtë të vullnetit popullor, nga ana tjetër.
E gjithë bota po ndjek diku me çudi e interes, diku me emocion dhe diku me frikë, zinxhirin e protestave, ortekun e lëvizjeve masive në botën arabe dhe vendet e Afrikës Veriore. Edhe pse nuk është zgjidhur ende e ardhmja e dy vendeve të para, një gjë është e qartë:  qytetarët e këtyre vendeve duan demokraci, kërkojnë ndryshime thelbësore në qeverisjet e tyre. Të shohim ç’ do të prodhojnë protestat e tjera që po zhvillohen në vendet e tjera. Pra, pas përgjigjes së pyetjes: cili ka radhën pas Ben Alisë; pyetja mbetet po ajo: cili e ka radhën tani, pas Mubarakut? Pra, ndërsa Egjipti ishte pas Tunizisë; cili vend është tani pas Egjiptit? Në fakt, prirjet e lëvizjeve masive e revolucionare-reformuese janë shtrirë aktualisht në drejtim të Libisë (ku përplasjet me armë janë gjakderdhëse), ku po synohet të bllokohet kjo përhapje valë nëpërmjet një gjakderdhjeje masive. Pas vjen Jemeni, Bahreni, Jordania, Algjeria etj. Janë raportuar po ashtu dhe protesta në mjaft qytete të Iranit…
Një nga pyetjet bazike është ajo e udhëheqjes së këtyre protestave. A është roli i intelektualëve apo i bashkësisë akademike ai që duhet në kanalizimin e këtyre ngjarjeve? Përgjigja është tepër bazike, nisur dhe nga menaxhimi i të ashtuquajturit revolucion iranian të vitit 1979. Bile, në atë kuptim, nëse tentohet, si atje, të kalohet nga një sistem sekular në një sistem teokratik, ky lloj ndryshimi nuk mund të konsiderohet revolucion. Nën këtë optikë, ajo që po ngjet në botën arabe do të ishte më mirë të rezultonte si një lëvizje për reformim thelbësor nga një sistem politik autokratik në atë demokratik (por gjithmonë sekular), sesa i ashtuquajturi revolucion i mirëfilltë teokratik.
Në rastin e Egjiptit, apo të Tunizisë ka rëndësi që të vazhdohet me një reformim të mëtejshëm social, një reformim politik të thellë e konstruktiv dhe jo një revolucion në kuptimin teokratik e përmbysës, duke ruajtur me domosdo institucionet politike sekulare. Sidoqoftë, nëse egjiptianët do të arrijnë të realizojnë një kalim të suksesshëm në demokraci, ka shumë mundësi që dhe vende të tjera të rajonit të ndjekin këtë rrugë. Kështu, edhe në Jemen, protestuesit po kërkojnë ndryshim të qeverisjes. Në 2 shkurt, presidenti Ali Abdullah Saleh deklaroi mos kandidimin e tij në vitin 2013 (as i biri i tij nuk do të përfshihej në atë garë presidenciale). Por, kjo deklaratë u prit me skepticizëm nga turmat protestuese, sepse të njëjtën gjë ai kishte deklaruar edhe më 2005. Situata të ngjashme shihen aktualisht në Bahren, Marok, Jordani, Arabi Saudite, Oman, Sudan apo Siri. Por, përshtypja është se disa nga këto vende të prekura, p.sh. Jemeni, Jordania, Bahreni dhe Algjeria, janë diktatura të “buta”. Në asnjërën prej tyre, nuk duket si e mundur që të masakrohen disa mijëra qytetarë të tyre, siç ndodhi në Hama në vitin 1982 nga regjimi sirian, apo Sadam Hyseni në Irak, apo aktualisht në Libi prej regjimit të Gedafit… Sidoqoftë, shqetësimi mbetet po ai i fillimit: a do të kenë këto lëvizje një sukses të dukshëm? Kjo është ende e paqartë. Por, nga ana tjetër, këto protesta e pakënaqësi kanë simbolikën e tyre, ato mishërojnë një thirrje nga poshtë për demokracinë, të paparë më parë në rajon. Problem mbetet që të mos lejohet deformimi i kësaj situate, manipulimi i saj në mënyrë ideologjike e fetare.
Dy modele.
Liria fetare është një e drejtë themelore e njeriut. Për ta garantuar atë në të gjithë spektrin e saj, nevojitet që institucionet e shtetit dhe institucionet fetare të jenë të ndara, edhe pse në bashkëjetesë, respekt e bashkëpunim të ndërsjellë me njëri-tjetrin. Kjo nënkupton se dhe formacionet politike që prodhojnë institucionet shtetërore nuk duhet të jenë “unifetare” sepse në momente të caktuara, në përputhje dhe me situata konkrete, shkallën e emancipimit të shoqërisë dhe të opinionit publik, mund të ngarkohen dhe me detyrën e formimit të qeverisjes. Ajo në përputhje dhe me “burimin”, në mënyrë të natyrshme, mund të theksojë karakterin e saj të njëanshëm religjioz në kurriz të sekularizmit apo grupimeve të tjera fetare. Pra, kjo, në njëfarë mase, është dhe një kundërvënie ndaj lirisë në përgjithësi, lirisë së vullnetit apo asaj të zgjedhjes së individit në veçanti. Në këtë optikë, vota e lirë dhe demokratike është më se e domosdoshme, por megjithatë e jo e mjaftueshme për të garantuar të gjitha standardet e një zhvillimi shoqëror-institucional të vërtetë dhe të pakthyeshëm, në respekt të qytetarit të lirë, të drejtave të njeriut dhe të ndërtimit të një shoqërie e të një shteti demokratik. Dhe kjo nuk mund të lihet jashtë vëmendjes nga qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse…
Aktualisht, sipas prirjeve të veçanta të segmenteve të shoqërisë arabe, në optikën e një peshe të konsiderueshme të fesë tek individi e shoqëria, ndeshen aty dy modele perceptimi në ndërtimin e institucioneve shtetërore. Njëri është modeli turk dhe tjetri ai iranian. I pari, që nga koha e Mustafa Qemal Ataturk-ut, imponoi ndarjen e fesë nga shteti me objektivin e qartë të ndërtimit të shtetit sekular, ndërsa në Iran, pas rrëzimit të Shah Pahlavit (16 janar 1979) aleanca e drejtuar nga ajatollah Khomeini (udhëheqësi shpirtëror i “revolucionit islamik”) e zëvendësoi monarkinë me shtetin teokratik, në të cilin fuqia reale u zhvendos në duart e udhëheqjes fetare, pavarësisht zgjedhjeve që realizohen aty. Dalja nga ky qerthull kontrolli religjioz mbi institucionet e shtetit do të ishte një nga sukseset më të rëndësishme në shoqërinë arabe me tradita të lashta… Sidoqoftë, në kushtet aktuale, mund të shtrohet me të drejtë pyetja: Cili model do të mbizotërojë, në një të afërme të afërt, në këtë zonë të nxehtë të globit? Përgjigja në terren e kësaj pyetjeje është mjaft e rëndësishme për të ardhmen e këtij rajoni dhe në zonën pranë tij. Madje, pse jo dhe për prirjet pozitive në perspektivën demokratike të politikës botërore.

© Panorama.al

Te lidhura