“Presidenti konsensual dhe mbi nivelin e partive”

Sep 17, 2011 | 11:04
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, shprehet se zgjedhja e Presidentit vitin e ardhshëm duhet të bëhet brenda tri raundeve të para, ku kërkohen 84 vota.Në një intervistë në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, ai flet edhe për ndryshimin e përbërjes së KQZ-së, për të cilën propozon rikthimin në modelin e mëparshëm kur një përfaqësues ishte i Presidentit.
Qëllimi i prezencës së OSBE-së, si gjatë vitit të kaluar, por edhe në përgjithësi, është promovimi i demokratizimit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, si dhe konsolidimi i institucioneve demokratike në përputhje me parimet e OSBE-së, edhe në vende të tjera. Si po i zbaton Shqipëria këto parime që nga koha kur ju erdhët si kryetar i Prezencës?
Shqipëria ka një legjislacion të rëndësishëm, duke filluar me Kushtetutën, i cili funksionon mjaft mirë. Por, sigurisht që është ende një vend në zhvillim dhe duke marrë hapat e mëtejshëm për t’u integruar edhe më shumë në strukturat europiane, si dhe për t’u shndërruar në një shtet edhe më modern çdo ditë e çdo muaj që kalon. Kjo është punë gjithëpërfshirëse dhe shumë komplekse. Nevojiten reforma dhe bashkëpunim në shumë faza, sepse edhe sipas Kushtetutës: qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për pjesë të rëndësishme të legjislacionit, që kërkojnë një shumicë votash prej 3/5. Kështu që bashkëpunimi mbetet një pjesë shumë e rëndësishme në politikën shqiptare…
Gjatë një takimi që kryetari i opozitës, z. Rama, pati me z. Stonestreet, z. Rama tha se raporti i ODIHR-it ishte objektiv, i qartë dhe ndihmoi në një farë mënyre në qetësimin e tensionit politik. Jeni i të njëjtit mendim?
Mendoj se është një këndvështrim i rëndësishëm i një prej politikanëve kyç të vendit dhe patjetër që nuk duhet nënvlerësuar.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it përmban edhe një sugjerim për të ndryshuar formulën e përbërjes së Komisionit Qendror Zgjedhor, në mënyrë që të rritet besimi në pavarësinë e tij dhe për zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e tij. Cila do të ishte një formulë e mirë për Shqipërinë? Çfarë sugjeroni ju?
Sugjerimin përfundimtar do t’ua lija partive politike të përfshira. Por, ndoshta, një sugjerim do të ishte të rishikonim edhe një herë modelet që kanë ekzistuar më parë në Shqipëri. Modeli aktual lë praktikisht çdo gjë në dorë të dy kampeve kryesore; shtatë anëtarë, të shtatë të emëruar nga partitë politike. Përpara ndryshimeve në vitin 2008, partitë nuk kishin shumicën. Palë të tjera mund të emëronin, si për shembull, gjyqtarët ose Presidenti i Republikës, kështu që përbërja ishte më e larmishme, dhe disa prej zhvillimeve që pamë gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e 8 majit mund të kishin ndodhur me sistemin e vjetër. Kështu që ndoshta ia vlen të shohim dhe krahasojmë eksperiencën e fundit me ato të mëparshme, si dhe ndoshta të marrim disa elemente nga modelet e vjetra në mënyrë që të arrijmë në zgjidhje më pak të vetjake.
A keni një recetë të gatshme që mund t’ua sugjeronit politikanëve shqiptarë për formulën e përbërjes së KQZ-së?
Do ta kufizoja te drejtimet – të mos lihet në dorë të partive politike, por të përfshihen edhe institucione të tjera të rëndësishme si Presidenti i Republikës, në mënyrë që të jenë më tepër teknike sesa për interesa vetjake. Pjesa tjetër u takon diskutimeve midis aktorëve kryesore.
Në raport ju shpreheni se Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet për të adresuar vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, procedurat për të përfshirë këto vota në tabelën e rezultateve dhe procedurat që duhen ndjekur në rast mospërputhjesh mes numrit të votave të hedhura në kuti dhe numrit të firmave në listat e zgjedhësve. A mund të jepni një formulim konkret të këtyre procedurave? Dua të them fakti që nuk ishte parashikuar për këto zgjedhje, por që u zbatua. A sjell kjo dyshimin se nuk ishte e drejtë të përdorej këtë herë meqë nuk kemi procedura konkrete për këtë aspekt të veçantë të votave të hedhura në kutitë e gabuara?
Jo çdo gjë duhet përkufizuar; të paktën kështu ndodh në nivel ndërkombëtar dhe gjithashtu në vendin tim, në Gjermani. Kur diçka bëhet në frymën e duhur, është e drejtë. Kur shihet vullneti i shprehur i votuesve ditën e zgjedhjeve, dhe kjo bëhet hapur, atëherë, nën rrethana normale, mund të pranohet plotësisht. Ju pyetët se çfarë do të rekomandoja për të ardhmen. E theksoj përsëri se është më e rëndësishme që partnerët, dhe them qëllimisht partnerët dhe kundërshtarët, në zgjedhjet e ardhshme të bien dakord se si të organizohen, ndaj nuk dëshiroj të jap propozime apo receta të gatshme. Megjithatë, ka një sërë zgjidhjesh të mundshme, si për shembull hedhja e të gjitha votave në një kuti të vetme, dhe për këtë duhet rregulluar procedura e numërimit, në mënyrë që të jetë më e lehtë për numëruesit – sepse nuk ka qenë e tillë në të kaluarën. Kur vendoset që të mbahen katër kuti, si në rastin e Tiranës, për dy nivele të ndryshme, mund të veprohet në mënyrë të tillë që të hapen të gjithë kutitë,  ë ndahen fletët e votimit, të organizohen në grupet përkatëse dhe pastaj të numërohen, për të shmangur kështu vota të pavlefshme të harruara apo të lëna pa numëruar. Kjo do të ishte në përputhje me leximin e përgjithshëm të Kushtetutës, që çdo votë duhet trajtuar si e barabartë dhe të numërohet, dhe, si e tillë, do të ishte konsistente. Nga përvoja me zgjedhjet e kaluara vlen që kjo pikë të rishikohet shumë më përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe të qartësohet, në mënyrë që të shmangim një konfuzion të ngjashëm.
Në vitin 2012, pra vitin tjetër, Kuvendi do të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës. Mirëpo, tashmë kanë filluar debate, jo vetëm nëse duhet zgjedhur apo jo sërish Presidenti aktual, por edhe nëse duhet ndryshuar metoda për zgjedhjen e tij. Në fakt, po debatohet rreth zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, pra, me anë të votës popullore. Sipas mendimit tuaj, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin tonë?
Tani ne ndodhemi më pak se 12 muaj larg zgjedhjes. Kështu që një ndryshim kaq rrënjësor, mbase nuk do të ishte i këshillueshëm në këtë kohë. Kjo sepse për të, ashtu si edhe për Kodin Zgjedhor, apo për çfarëdolloj reforme tjetër, si ajo gjyqësore apo edhe e shërbimit civil, do të nevojitej një debat i shëndoshë. Unë e kuptoj plotësisht idenë që Shqipëria t’i bashkohet një numri të madh vendesh të rajonit, të cilat e zgjedhin Presidentin me votë të drejtpërdrejtë. Është një ide me vlerë, por gjithashtu duhet pasur parasysh nëse pas këtyre ndryshimeve Presidenti duhet të kufizohet kryesisht në një post protokollar, me funksione që, ndonëse të rëndësishme, do të mbeteshin gjithsesi protokollare, apo nëse atij duhet t’i shtohen edhe funksione të tjera vendimmarrëse, të cilat nuk parashikohen ende në kuadrin e këtij posti, apo që kanë qenë parashikuar dikur në kuadrin e tij. Përsa i përket procedurës, siç parashikohet në Kushtetutë, duhet pasur parasysh se rregullat e reja nuk janë vënë ende në përdorim, as edhe një herë të paktën, dhe për këtë arsye duhen provuar. Për mua personalisht, nëse më lejoni të shpreh mendimin tim rreth kësaj çështjeje, ajo çka do të dëshiroja të shihja tani është nisja e diskutimeve dhe debateve se kush mund të jetë kandidati apo kandidatët më të mirë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, sepse ky person është numri një i shtetit, ndaj përzgjedhja e tij duhet bërë në një mënyrë jopartizane, mbi nivelin e partive politike; ky, pra, është elementi më i rëndësishëm, dhe për këtë nevojitet një figurë e shquar. Mund të jetë Presidenti aktual, por mund të jetë edhe një kandidat tjetër. I takon popullit dhe partive politike të shohin se kush i plotëson kushtet për të qenë Presidenti i ardhshëm.
Sipas mendimit tuaj, a mos duhet të jetë ky një kandidat konsensual, duke qenë se shumica nuk ka nevojë për ndihmë për sa u përket votave që nevojiten për zgjedhjen e tij. Ata i kanë të gjitha votat që u duhen për të zgjedhur Presidentin e ri. A mendoni se numri i votave nuk duhet të jetë i rëndësishëm kur zgjidhet Presidenti i ri, por se duhet bërë një përzgjedhje më e gjerë për të pasur një President sa më konsensual?
Mendoj se Kushtetuta flet qartë në lidhje me këtë pikë, pra, që në tria raundet e para të votimit nevojitet një shumicë e cilësuar votash. Një gjë e tillë do të dëshmonte konsensusin e palëve dhe prandaj dua ta ritheksoj atë që e shpreha më herët në formë ftese: kërkoni sa më intensivisht që të jetë e mundur për një apo disa kandidatë të mirë dhe kështu nuk ka për t’u nevojitur raundi i katërt i votimit, i cili parashikon shumicë të thjeshtë votash dhe aq më pak do t’ju nevojitet një raund i pestë. Rrjedhimisht, instrumentet ekzistojnë, por gjithçka varet nga fakti se cili do të jetë kandidati ose kandidatët.
Qarkullojnë disa emra në media për këtë detyrë. Ndër ta janë edhe disa emra grash. A mendoni se Shqipëria është gati për të pasur një presidente grua?
Përse jo, përse jo? Burrë apo grua, kushdo mund të përzgjidhet, mjafton që të ketë staturën e duhur për këtë post, si dhe të mbajë qëndrim të pavarur mbi palët. Patjetër!
Mendoni se vonesat për përfundimin e këtyre hetimeve për 21 janarin janë normale?
Është një periudhë vërtet e gjatë! Tani jemi në shtator, pra kanë kaluar plot 8 muaj. Këto ishin incidente të rënda dhe ndoshta incidente edhe më pak të rënda kërkojnë kohë. Megjithatë, duhet bërë me shumë urgjencë.

© Panorama.al

Te lidhura