Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, reagoi dje pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Sipas ambasadorit Volfarth, ende nuk ka një rezultat përfundimtar, ndaj dhe shqiptarët duhet të presin se si do të vijojë më tej kjo situatë. Sipas tij, vendimi përfundimtar për rezultatin duhet të pritet me durim. Në këtë deklaratë ai shprehet se jeta vazhdon dhe se nuk ka nevojë për eksitime. “Nuk ka ende një rezultat përfundimtar. Kështu që duhet të presim. Mendoj se duhet të jemi të durueshëm dhe, nga ana tjetër, të shohim se si do të zhvillohet situata. Pra, të jemi të durueshëm dhe të presim rezultatin final. Jeta vazhdon. Para së gjithash, është një garë për kreun e Bashkisë, jo më shumë, nuk ka arsye për eksitime. Qetësohuni dhe prisni përfundimin e procesit ligjor”, thuhet në deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Eugen Volfarth. Vetëm një ditë më parë, KQZ shpalli rezultatin për Bashkinë e Tiranës, ku kandidati demokrat, Lulzim Basha, fitoi me 81 vota para.











