Volfarth: Regullorja e Kuvendit duhet të jetë konsensuale

Sep 28, 2011 | 11:43
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, në një intervistë për Top Channel, kërkoi nisjen nga puna të palëve politike në Kuvend me një frymë konsensuale.
Z. ambasador, si do ta komentonit situatën politike aktuale në Shqipëri pas kthimit të opozitës në Parlament?
Kthimi në Parlament ishte një hap vendimtar dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, por sigurisht, historia nuk mbaron vetëm me të qenit atje. Është vetëm fillimi. Çështja është se duhet të zhvillohen diskutime konstruktive dhe të ekzistojë dëshira për t’u përfshirë në një dialog, për ta çuar vendin përpara e për të krijuar atmosferën e nevojshme për hapa konsensualë, që janë qartësisht të nevojshëm për axhendën e reformave, duke përfshirë këtu edhe  integrimin europian. Pra, kthimi është vërtet thelbësor, por nuk duhet të jetë vetëm një kthim fizik, duhet të jetë edhe kthim në përmbajtje, kombinuar me vullnetin për të dhënë rezultat. Më duket një fillim shumë, shumë inkurajues. Ishte një fillim i mbarë dhe ajo çka duhet është edhe një ton i mirë komunikimi, jo gjuhë e ashpër, por një gjuhë e orientuar nga puna, nga përmbajtja. Përsëris, shoh shumë shenja inkurajuese në këtë drejtim, gjë që është shumë e rëndësishme.
Opozita ka bërë publike disa propozime për disa ndryshime në Rregulloren e Parlamentit, duke kërkuar që Rregullorja të jetë njësoj si në vitin 2005. A mendoni se këto kërkesa duhen zbatuar, pra a mendoni se opozita ka të drejtë?
Një parlament duhet të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe sigurisht që Rregullorja është e një rëndësie kyçe në këtë aspekt. Siç thashë edhe më herët, është çështje vullneti dhe pasja e një rregulloreje që siguron kushte të barabarta për qeverinë nga njëra anë dhe për opozitën nga ana tjetër, përbën një ndër parakushtet për të pasur mundësinë për të punuar siç duhet në Parlament. Në shumë vende, për të mos thënë në të gjitha vendet, në të gjitha parlamentet apo kuvendet, në Bundestagun gjerman, apo në Parlamentin Europian, rregulloret zakonisht janë konsensuale. Në Shqipëri, mendoj se ka ardhur koha për t’iu rikthyer një rregulloreje konsensuale, por sigurisht që duhet sqaruar nëse është më mirë të fillohet nga Rregullorja e vjetër e 2005-s, apo nëse duhen shtuar elemente të tjera. Sidoqoftë, Rregullorja është sigurisht thelbësore.
Zoti ambasador, si i shihni 10 propozimet e bëra nga zoti Rama me titullin “Pakti Kombëtar i Integrimit”.
Është një titull interesant dhe përfshin propozime, sigurisht, shumë të dobishme. Ndoshta mund të mos kufizohet vetëm në dhjetë, pasi ka ende punë për t’u bërë, por dy elemente janë patjetër të rëndësishme. Njëri ka të bëjë me Rregulloren e Parlamentit, kurse tjetri, të cilin e kemi parë tashmë se sa i rëndësishëm është këtë vit, është pikërisht Kodi Zgjedhor. Pra, qoftë edhe në këto dy elemente, duket qartë se ka përmbajtje në këto propozime, por kuptohet që gjithçka duhet diskutuar mes partnerësh brenda partive, por edhe midis vetë partive, dhe vendi më i mirë për këtë është sigurisht Parlamenti, dhe aty, sigurisht që Rregullorja ka rëndësi kyçe për t’iu kthyer një sjelljeje vërtet europiane dhe demokratike. Kjo besoj se mund të çojë vetëm në sukses, gjithmonë nëse ekziston vullneti politik për ta çuar kombin përpara.

© Panorama.al

Te lidhura