
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, ka apeluar nga juglindja e vendit për kryerjen sa më shpejt të reformës zgjedhore. Nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, ku Volfarth është ndalur për një vizitë, ai u ka bërë thirrje forcave politike për të shfrytëzuar kohën në mënyrë që deri në pranverë të jetë përfunduar kjo reformë, pasi, sipas tij, koha e mbetur duhet shfrytëzuar më së miri. Apeli për të bashkëpunuar, sipas ambasadorit Volfarth, ka të bëjë edhe me gjetjen e gjuhës së shumicës. “Është e rëndësishme puna për reformën zgjedhore. Diskutimet në Parlament kanë nisur dhe aty është vendi i duhur për to. Në demokraci duhet gjetur gjuha e shumicës. Unë them se duhet të vijojnë diskutimet, të shfrytëzohet koha, se po afrojnë zgjedhjet. Shpresoj për diskutime të shëndosha, të cilat të përfundojnë brenda pranverës. Kodi Zgjedhor të mbarojë para zgjedhjeve. Qëllimi është të jemi konstruktivë dhe për këtë duhen reforma, e në veçanti reforma zgjedhore. Duhet bashkëpunim përtej interesave të partive politike”. Sipas ambasadorit, zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të regjistrojnë më probleme, por politika duhet të jetë më tepër në shërbim të qytetarëve. Diplomatët e huaj në Tiranë u kanë bërë thirrje disa herë radhazi forcave politike për të përfunduar sa më shpejt reformën zgjedhore.











