Vodhën 5 milionë: Luftë me grabitësit në kazino, plagoset polici. Kapen autorët

Sep 15, 2011 | 10:37
Vendi i plagosjes së policit në afërsi të 9-katësheve

Një oficer i Policisë së Tiranës u plagos mbrëmë rreth orës 23:00, në afërsi të 9-katësheve në Tiranë nga autorët e grabitjes së një kazinoje në këtë zonë.Ervin Gjana, oficer i forcës së gatshme operacionale, është përballur me reagimin agresiv të grabitësve të kazinosë që ndodhet fare pranë një banke në këtë zonë. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnate, pasi policia po gjurmonte një grup prej katër personash për të cilët dyshohej se kishin plan të kryenin grabitje. Grupi i armatosur ka lëvizur mbrëmë me dy motorë nëpër Tiranë, derisa katër personat kanë ndaluar te kazinoja pranë 9-katësheve, te Prokuroria e Përgjithshme. Rreth orës 23:00, oficeri i Policisë së Tiranës, Ervin Gjana, së bashku me kolegë të tij, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar kazinonë. Grabitësit ndërkohë kanë dalë me shumën e parave të marra dhe pasi pikasën policinë, kanë lënë dy motorët në oborrin e sallës së lojërave dhe kanë tentuar të ikin rrugicave. Në këtë kohë ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit, i cili shkaktoi plagosjen e oficerit të Policisë, por edhe të dy prej grabitësve. Në kohën kur dy prej grabitësve kishin hapur zjarr ndaj policëve, dy të tjerët kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes nëpërmjet rrugicave që shkojnë në drejtim të Prokurorisë së Përgjithshme.
Hetimi
Oficeri i plagosur është dërguar në Spitalin Ushtarak ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Burime zyrtare nga Policia thanë mbrëmë se dy nga autorët e grabitjes mbetën të plagosur në vendin e ngjarjes gjatë shkëmbimit të zjarrit pranë kazinosë. Një bashkëpunëtor i tyre mësohet se është arrestuar, ndërsa po tentonte të qëllonte sërish ndaj policisë, por pistoleta është bllokuar dhe fisheku ka mbetur brenda në armë i paplasur. Nga Policia mësohet se njëri prej autorëve të ngjarjes, i cili mori plagë me armë zjarri, ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Forcat e rendit më pas kanë vazhduar ndjekjen e autorëve, duke arritur të kapin të tretin prej tyre, të cilit, pas kontrollit, mësohet se i është gjetur edhe një sasi e konsiderueshme parash që janë grabitur në kazino. Referuar numërimeve paraprake, policia deklaroi mbrëmë se shuma e grabitur në kazino mund të jetë mbi 5 milionë lekë, megjithatë, numërimi i saktë i parave nuk është bërë të paktën deri në mesnatë, për shkak se policia ka qenë e angazhuar në ndjekjen e autorëve të ngjarjes. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës thanë mbrëmë se forcat e rendit u konfrontuan me armë me një grup kriminal që mbahej në vëzhgim prej një muaji. Këta katër persona mësohet se po hetoheshin për grabitjen e një kazinoje në rrugën “Don Bosko”, një salle lojërash fati te Stacioni i Trenit dhe një supermarket në Yzberisht.

Policia: Kryen 17 grabitje
Zyrtarët e Policisë së Tiranës thanë se mbrëmë është goditur një grup kriminal i rrezikshëm në fushën e grabitjeve. “Dyshojmë se anëtarët e këtij grupi kanë kryer të paktën 17 vjedhje me dhunë në Tiranë”, thanë burimet e Policisë. Sipas tyre, për shkak të rrezikshmërisë së lartë, autorët e ngjarjes po ndiqeshin prej kohësh me anë të gjurmimit operativ.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura