VLORE – Vetëhidhet nga kati i pestë i pallatit ku jetonte, gjen vdekjen në spital 58-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në orën 14:00 në lagjen “Isa Boletini” të qytetit të Vlorës. Sipas burimeve të Policisë, një shtetas u dërgua me shpejtësi në spitalin rajonal për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, pasi ishte në gjendje të rëndë për jetën. Ai kishte rënë nga lartësia në sheshin e pushimit të një pallati. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar Policia hetimore dhe ajo Kundër Krimit. Pas kryerjes së veprimeve në vendngjarje dhe marrjes së informacioneve të nevojshme, është mësuar se personi që kishte rënë nga kati i pestë i pallatit ishte shtetasi Fatmir Feta, 58 vjeç, me banim në katin e pestë të këtij pallati në lagjen “Isa Boletini”. Pas disa minutash nga mbërritja e tij në spitalin rajonal, Feta ka ndërruar jetë, si pasojë e dëmtimeve të rënda në të gjithë trupin dhe humbjes së sasisë së madhe të gjakut. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Feta është hedhur nga sheshpushimi i shkallëve të katit të pestë të pallatit Nr.1280 ku dhe banonte. Sipas të dhënave të familjarëve, 58-vjeçari sapo kishte ardhur nga puna në një pikë karburanti. Pasi ka qëndruar disa minuta në shtëpi me gruan dhe djalin, është veshur dhe ka dalë, duke thënë se do të kthehej shumë shpejt. Sapo ka dalë te sheshpushimi i katit ku jetonte, Feta është vetëhedhur drejt tokës. Familjarët e tij e mësuan faktin tragjik pak kohë pasi trupi i Fetës ishte transportuar për në spital nga banorët e pallatit ku dhe u hodh. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas punonte në një pikë karburanti si shitës, jetonte në shtëpi me bashkëshorten dhe djalin e tij e ishte konsumator i pijeve alkoolike. Policia dhe Prokuroria po heton për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Pritet që gjithçka të sqarohet pas ekspertizës nga grupi hetimor. q.b











