Vlorë, skadojnë afatet, Apeli liron hungarezin e akuzuar për evazion

Jul 21, 2012 | 12:43
Gjykata e Apelit në Vlorë

VLORE – Gjykata e Apelit rrëzon masën e arrestit për shtetasin hungarez të prangosur në Vlorë me akuzën e kryerjes së evazionit fiskal, Laszlo Kiraly Vincze. Ai ka dalë dje në Apel, pasi ankimoi masën e sigurisë “burg pa afat”, që pati lënë disa ditë më parë në fuqi Gjykata e Shkallës së Parë. Para trupit gjykues, shtetasi hungarez ka deklaruar se në ngarkim të tij nuk ka asnjë çështje aktualisht në vendlindjen e tij, pasi ajo është mbyllur me kohë. Ai ka kërkuar verifikimin e dosjes në shtetin hungarez, ndërsa ka kërkuar lirimin pasi është i pafajshëm. Pak ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë e la sërish në burg hungarezin, i arrestuar për qëllim ekstradimi nëntorin e kaluar. Sipas Gjykatës, ende nuk kishte ardhur nga Hungaria përgjigje mbi dosjen penale ndaj Vinczes, nëse ishte pushuar çështja ndaj tij apo jo. Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga ana ligjore, Gjykata e Apelit, duke konstatuar se të arrestuarit i kishin kaluar të gjitha afatet ligjore të mbajtjes në burg, ka marrë masën e lirimit e shtetasit të huaj nga burgu. Sipas Apelit, mungon një përgjigje nga autoritetet hungareze, ndërkohë që janë shkelur afatet ligjore për mbajtjen e tij nën arrest. Ai u arrestua në 20 nëntorin e kaluar në qytetin e Vlorës, pasi shteti hungarez e akuzonte për mospagim taksash dhe falsifikim dokumentesh. Por, ndërsa Apeli shprehu se Vincze duhej të linte burgun dhe të deklarohej i lirë, juristi i burgut nuk e ka lejuar këtë. Sipas tij, arrestimi i hungarezit është bërë për qëllim ekstradimi dhe, pë pasojë, duhet një tjetër vendim gjykate për të shfuqizuar kërkesën për ekstradim të shtetit hungarez.               q.b

© Panorama.al

Te lidhura