Vlorë, për 30 minuta qytetarët bëhen bashkë kundër krimit

Sep 17, 2011 | 12:41
Nga protesta e djeshme në Vlorë

VLORE – Për 30 minuta, qytetarët vlonjatë janë bërë bashkë kundër krimit. Në një tubim paqësor, në ditën e shtatë të atentatit që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ata kanë marshuar në bulevardin kryesor për të dënuar ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në qytetin e Vlorës. Në tubimin me moton “Bashkë kundër krimit”, krahas familjarëve dhe kolegëve të gjyqtarit, janë parë së bashku në manifestim edhe prefekti i Vlorës, Eduart Velçani, kreu i Gjykatës, Artur Malaj, figura të njohura të shoqërisë civile, intelektualë, studentë dhe qytetarë të thjeshtë. Tubuesit kanë kërkuar më shumë siguri në jetën e tyre të përditshme dhe zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Konomi përmes parullave si “Vlora është e lirë”, “Të ndëshkohen kriminelët” etj. Tubimi, i cili u zhvillua në mënyrë paqësore nga Sheshi i Flamurit deri në Skelë, u përcoll nga forcat e policisë, tek të cilët ishte marrë leje më parë. Pak para nisjes së tij, në bulevard është bllokuar qarkullimi i mjeteve, në mënyrë që të sigurohej mbarëvajtja. “Jam këtu si qytetar i thjeshtë, duke iu bashkuar me këtë status kësaj lëvizjeje që zhvillonte shoqëria civile”, pohoi dje Artur Malaj, kreu i Gjykatës së Vlorës. Pjesëmarrësit e shumtë në këtë tubim kanë përshkruar bulevardin dhe kthyer te rrethi në Skelë, për t’u ndalur tek vendi ku u vra gjyqtari Skerdilajd Konomi, ku u vendos një foto e tij dhe lule. Një nga organizatorët e këtij tubimi është Auron Rrokaj. Nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ai bëri thirrje për të gjithë qytetarët që të ishin pjesë e këtij tubimi paqësor, por që është cilësuar një lëvizje kundër krimit. “Mesazhi që përcolli ky manifestim është: Beteja kundër krimit fitohet duke qenë të gjithë bashkë, individë, grupime, institucione. Në këtë betejë, indiferenca, e qytetarëve apo e institucioneve, mungesa e ndërgjegjes kolektive, janë armiqtë tanë kryesorë”, deklaroi Rrokaj.                       q.b

Tiranë, Konomi paditi Toptanët për falsifikim
Tirane – Gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi, i vrarë një javë më parë në Vlorë në një atentat me bombë me telekomandë, ka paditur për falsifikim dokumentesh në Prokurorinë e Tiranës, pasardhësit e familjes Toptani. Duke u bazuar në dokumentet që Toptanët kishin dorëzuar në Gjykatën e Durrësit, në Apel dhe në Gjykatën e Lartë në gjyqin për pronësinë e tokës në bregdet në Hamallaj, gjyqtari Skerdilajd Konomi i ka paditur ata fillimisht në Prokurorinë e Durrësit me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Pas verifikimeve, padia është transferuar në Prokurorinë e Tiranës, ku në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje trashëgimtarët e Toptanëve dhe avokati i tyre. Sipas kallëzimit që ka bërë Skerdilajd Konomi, familja Toptani ka paraqitur dokumente false, kur ka pretenduar pronësi në truallin që me dokumente origjinale i takonte trashëgimtarëve të Miltiadh Shallvarit, mes të cilëve ishte edhe ish-gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi. Familja Toptani, me avokat Dilaver Rexhepin, kishte pretenduar pronësinë e 270 hektarëve tokë në bregdet mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara. Pas padisë së bërë nga Skerdilajd Konomi për falsifikim dokumentesh, pala tjetër, familja Toptani, ka bërë edhe ajo padi në Prokurorinë e Durrësit, duke akuzuar trashëgimtarët e Miltiadh Shallvarit për falsifikim të dokumenteve.

KLD, draft për mbrojtjen e gjyqtarëve

Mbledhje e KLD

Situata e krijuar në Gjyqësor pas ekzekutimit makabër me anë të një shpërthimi të telekomanduar të gjyqtarit të Vlorës,  Skerdilajd Konomi, ka qenë argumenti kryesor i mbledhjes së djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.Në nderim të figurës së tij, mbledhja e radhës e KLD-së ka filluar me një minutë heshtje, ndërsa diskutimet në vijim kanë shprehur domosdoshmërinë e rritjes së përpjekjeve për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve. Burime pranë KLD-së bënë të ditur se Këshilli vendosi ngritjen e një grupi pune, i cili do të rishikojë legjislacionin për sa u përket dispozitave që kanë të bëjnë me mbrojtjen e gjyqtarëve. Ky grup do të rishikojë legjislacionin referuar rrethanave aktuale, si edhe kushteve në të cilat togave të zeza do t’u nevojitet mbrojtje fizike. Më pas, ky grup do të ndërtojë një draft, ku do të paraqiten ndryshimet e nevojshme. Njëkohësisht, u mësua se Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të dalë në ditët në vijim në një deklaratë të përbashkët për inkurajimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi, për të mos u trembur nga presionet apo ngjarje si ajo e pak ditëve më parë në qytetin e Vlorës.
INSPEKTIMET
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim tre raportet e inspektimeve tematike, të kryera nga Inspektorati i Këshillit, objekt i të cilave ishin gjykimet e çështjeve me objekt ndryshim të kombësisë, evidentimin e shkaqeve të zvarritjeve të proceseve gjyqësore, si dhe respektimi i disiplinës në punë nga gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatave të Apelit. U konkludua që në rastet e konstatuara me shkelje nga ana e Inspektoratit, aktet t’i përcillen ministrit të Drejtësisë për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje zyrtarisht KLD-ja. Burime brenda mbledhjes bënë të ditur se nga shqyrtimet e inspektimeve nuk është gjetur asnjë shkelje nga ana e togave të zeza, në gjykimet e çështjeve me objekt ndryshimin e kombësisë. Po ashtu, pa shkelje nga ana e gjyqtarëve ka rezultuar edhe zvarritja e disa proceseve, mes të cilave edhe ai i dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Të njëjtat burime pohuan se vetëm në rastin e inspektimeve në lidhje me respektimin e disiplinës në punë nga ana e gjyqtarëve janë konstatuar disa shkelje, aktet mbi të cilat do t’i përcillen Ministrisë së Drejtësisë.
VEREJTJET
Ashtu si ishte lajmëruar një ditë më parë nga një dalje publike e nënkryetarit të KLD-së, Këshilli mori masa disiplinore ndaj dy gjyqtarëve. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim edhe kërkesat e Ministrit të Drejtësisë për procedim, si dhe mori masa disiplinore ndaj dy gjyqtarëve, përkatësisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan”, pohuan burime zyrtare të KLD-së.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura