VLORE – Në mbledhjen e tyre të fundit, anëtarët e vjetër të KRRT-së së Vlorës e kanë “liruar” dorën, duke firmosur plot 113 leje ndërtimi në qytetin bregdetar. Mbledhja e djeshme është ndjekur me interes nga mjaft qytetarë e biznesmenë, të cilët prisnin të miratoheshin lejet që deri më dje kishin mbetur pezull edhe për shkak të periudhës disamujore të fushatës e më pas zgjedhjeve elektorale. Mbledhja është drejtuar nga kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, ndërsa nuk ka pasur debate ndërmjet anëtarëve. Nga 125 kërkesa për leje ndërtimi, 12 prej tyre nuk u miratuan për disa mangësi të vogla, por është vendosur të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme. Dy ditë më parë, materialet kaluan për diskutim në këshillin teknik, mbledhje kjo sipas të pranishmëve, tepër e ngarkuar për nga volumi i kërkesave. Detyrat e projektimit dhe studimet ku ndërhyhet në disa lagje për përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht në disa rrugë, janë prezantuar nga specialistë të Drejtorisë së Urbanistikës dhe Drejtorisë së Projekteve në Bashkinë Vlorë, ku anëtarë të KRRT-së kanë ndërhyrë disa herë në diskutimin e projekteve, një pjesë e të cilave kanë shërbyer për përmirësimin e detyrave të projektimit. Në këtë mbledhje janë miratuar ndërtime deri në 12 kate, madje ka pasur kërkesa dhe deri në 16 kate për hotele dhe pallate banimi. Shumica e projekteve dhe lejeve të ndërtimit janë miratuar nga anëtarët e KRRT-së me shumicë votash. Gjithashtu u shqyrtuan 24 studime pjesore urbanistike, 17 saktësime projektesh, 17 revokime, 8 zgjatje afati për leje ndërtimi, 72 akte shfrytëzimi, 7 leje ndërtimi për objektet publike, kryesisht rikonstruksione shkollash. q.b











